Blerta mbante në dorë një akullore dhe e lëpinte herë pas here, kur takoi dy shoqet e saj, Gentën dhe Erlën. U tha me një frymë:
– Unë kam akullore, ndërsa ju nuk keni! Ha – ha – ha! Shikoni me sa kënaqësi e lëpij!
Shoqet u habitën aq shumë, sa nuk donin ta besonin që para tyre ishte Blerta, mikesha e tyre e fëmijërisë.
– Edhe po të doni një të lëpirë, nuk ua jap dot! E kam për vete! Ha – ha – ha e hiiiu!- Tani, nuk keni se ç’bëni, rrini e më vështroni se si e lëpij akulloren shumëngjyrëshe, – vazhdoi bisedën Blerta.
Nga fjalët e saj, Genta dhe Erla u zemëruan. Nga fjalët e saj dielli u vrenjt në fytyrë. Rrezet e kuptuan shqetësimin e baba Diellit dhe u nisën për udhë…
Blerta, e harruar nga lëvdatat, nuk kishte vënë re që akullorja po shkrihej si me… shpejtësi dhe pikonte pikë-pikë, pikë… Vonë, kur e pa, u çudit, u trishtua, dhe e pyeti:
– Akullore, aku…llo…, ç’po ndodh me ty?!
– Po shkrij…, se nuk të kam më shoqe! – u përgjigj akullorja.
– As ne s’të kemi shoqe, – thanë Genta e Erla dhe u larguan menjëherë.
– Përse rri e vetmuar, moj Blerta? – e pyeti pas pak Dielli. – Ti, pak më parë ishe me dy shoqet e fëmijërisë: Gentën dhe Erlën.
– Ato ikën…, për një gabim që s’duhet ta bëja…, – u përgjigj ajo.
– Po tani ç’do të bësh?.. – pyeti Rrezearti.
– Të lutem, o Diell, u thuaj dy rrezeve më të shpejta, që t’i takojnë dy shoqet e mia. T’i thonë se Blerta u kërkon të falur dhe i pret sa më parë…
Sytë e Blertës, tani, vështronin, vetëm, nga dielli. Ato qeshën ëmbël, kur buzëqeshi Dielli. Ndërsa akullorja e mbetur, sikur, i thoshte: “Blerta, të kam shoqe…”
Shkodër, më, 07.05.2023 ( Xhahid Bushati )
CIKLI: Vizatime poetike për fëmijë
Burimi/Facebook


Leave a Reply