“Mësuesi i Popullit” Petro Nini Luarasi, veprimtar i shquar i rilindjes kombëtare, mësues i shqipes dhe nismëtar i krijimit të shkollave dhe kishës ortodokse te pavarur shqiptare, publicist, poet, studjues, Ai u lind në Luaras të Kolonjës, djalë i vetëm me tre motra, me prindër Nini Petro Kostallarin dhe Vasilen, bijë e Naum Pandos nga Gostivishti. U arsimua në shkollat e Nokovës, Hotovës dhe pedagogjiken e Qestoratit ne Lunxheri te Gjirokastres. Në Qestorat, në shtëpinë e mikut të babait, atdhetarit martir Koto Hoxhi, ai mësoi privatisht shkrim e këndim në shqip. Më 1882 filloi punë si mësues i greqishtes në shkollën e Bezhanit ku u mësonte nxënësve edhe shqip. Më pas u dha mësim shqip, shkrim e lexim, në fshatrat Luaras, Katund, Treskë të Vakëfeve dhe më gjerë gjerë në Kolonjë, Pogradec e Korçë ku përgatiti mësues të ardhshëm të gjuhës shqipe si Vasil Cico Duro, Jorgji Miti Sevo, Kristo Papa Stefan Kici (ose Kristo Luarasi), Leko Zisi Dhima e Vasil Thanas Vasili. Në shtator 1887 hapi shkollë shqipe private në Ersekë e më pas drejtoi Mësonjëtoren Shqipe të Korçës dhe shkollën shqipe të Negovanit. Krahas lidhjeve miqësore patriotike, shkaktoi armiqësi me zyrtarët turq e bejlerët dhe klerin shovinist grek e agjentët e tij. Për veprimtarinë e tij si mësues i gjuhës shqipe, hapjen e shkollave, përkthimin e leximin në shqip të psallmeve në kishën e Luarasit në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin, u perndoq, u mallkua dhe u shkishërua familjarisht nga tri dhespotë e Kosturit : më 1887 nga Qirilli, 1889 nga Gregori dhe më 1892 nga Fillareti, i cili edhe e shkishëroi familjarisht (shih: P.N.Luarasi: Mallkimi i shkronjave shqipe…)

Në prill 1904, P.N.Luarasi arratiset nga burgu ku e ishte mbyllur qeveria turke dhe u strehua në Sh.B.A, si emigranti i parë politik shqiptar. Atje Petro Nini Luarasi zhvillon një aktivitet të gjërë duke futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët ishin të tërhequr e të frikësuar nga reaksioni shovinist mbi familjet në atdhe. Ai krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane : “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Sh.B.A., themeloi librarinë e parë me libra shqip. Më 1908 u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e farefis, për të luftuar si komit për çlirim duke krijuar një çetë në bashkëpunim me Çerçiz Topullin. Ndërkohë u shpall Hyrieti ( Autonomia e amnistia) e ai vazhdoi veprimtarinë patriotike në legalitet. Mori pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit si përfaqësues i “Lidhjes Ortodokse”, fshatrave të Negovanit e Ballkamenit, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm në mbrojtje të ortodoksëve shqiptarë. Përparimi i shkollës shqipe të Negovanit, veprimtaria e tij për themelimin e një komiteti për bashkimin e gjithë çetave në Shqipërinë jugore dhe sidomos libri ”Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”, që goditi rëndë politikën shoviniste te klerit grek në Shqipëri, bënë që më 17 gusht 1911 agjentë e dhespotit grek të Korçës Joakim ta helmonin dhe të shpallnin se vdiq nga kolera Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë por gdhendi në historinë e popullit tonë amanetet legjendare:: “Ruamani gjakun, se do të duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…!” “ Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi!” Per informim më të gjerë mund të lexoni : https://www.forum-al.com/…/petro-nini-luarasi…/.Petro
Nini Luarasi, Mall i mëmëdheu
Zemra sa ësht’ e gëzuar,
kur ka mall për mëmëdhe,
sa e rritur, sa e lartsuar,
përmbi qiellin të ngreh!
Mall i madh për mëmëdhenë
të bën të quhesh njeri,
të marrç vesh vetë- vet’henë
të kuptosh Perëndi!
Të shton përmbi jetën jetë,
Të jep kurajë e guxim,
Shpirtin ta bën të pametë
Dhe në botë t’ep lëvdim.
Malli dhuron dashurinë
Të kesh mbi t’afërmin tënd
Të dashurosh Shqipërinë,
Larg e afër, në çdo vend.
Shumë larg dhe fort mërguar
Nga Shqipëria kur je,
Malli të djeg krahruar
Por zemrën e ke atje!
Plak i thinjur, i motuar,
Malli ty të përtërit,
Të fluturon këmb e duar
Dhe në çdo rrezik të shtit.
Shpirt-lig ësht’, i pavlerë
Dhe i poshtër çdo njeri
që s’ka mall për mëmëdhenë,
Shëmbëllen me bagëti!
Burimi/Facebook


Leave a Reply