Më datën 22 prill, shoqata “Besëlidhja” në Rovereto, një nga shoqatat më të njohura e më aktive në Trentino, do të festojë 15-vjetorin e krijimit të saj.
Me këtë rast do të organizohen dy aktivitete të rëndësishme.
Në sallën Caritro, në orën 10.30 do të zhvillohet një konferencë jubilare, me pjesëmarrjen e autoriteteve lokale, përfaqësues të konsullatave të Shqipërisë e Kosovës në Milano, të ftuar nga shoqatat e tjera trentine dhe atyre simotra në zona të tjera të Italisë, imprenditorë shqiptarë në Trentino, anëtarë e simpatizantë të shoqatës edhe nga komuniteti italian etj.
Në këtë konferencë do të pasqyrohet rruga 15-vjeçare e shoqatës, sukseset dhe aktivitetet e saj në vite, si dhe arritjet në integrimin e shëndoshë të emigrantëve shqiptarë në jetën ekonomike e kulturore italiane. Pas përshëndetjeve të autoriteteve lokale dhe përfaqësuesve diplomatikë, do të referojnë mbi këto tema, Profesoresha e Universitetit të Venecias, Lucia Nadin (në videokonferencë), drejtues e aktivistë të shoqatës, si Dashamir Kërtusha, Jonilda Dervishaj, Nereida Xhakolli, Dila Rrapi, Imprenditori dhe anëtari i këshillit komunal Fation Mulliçi, artistë e intelektualë si Rudina Muharremi Beja e Aleksandër Kolshi etj.
Në mbrëmje, në ora 19.00 e deri në mesnatë, në pallatin ne sportit të qytetit, në Via Piomarta, do të zhvillohet një koncert i madh interkulturor me pjesëmarrjen edhe të shoqatave “UPA”, “Shqipet” onlus, “Majoretes” dhe “Artisti”.
Këngëtarë të ftuar: Renato Jaho, Aldi Loci, Gentiana Abazaj e Kosta Bonshi. Programit do i japë ngjyra gazmore humoristi Lulzim Gjoci.
Hyrja për fëmijët deri në 12 vjeç është falas.
Hyrja për të rritur 10 euro, me të drejtën e konsumimit të një pijeje.
Bukurinë festës ia shton pjesëmarrja e gjerë e komunitetit shqiptar. Është e rëndësishme të jemi të bashkuar. Bashkimi jo vetëm e bën atmosferën më të bukur, por është një garanci për arritje të tjera më të mëdha sëbashku.

Burimi/Facebook


Leave a Reply