Ka dy-tri vjet që e kam çdo ditë para sysh. Me shishe qumështi në duar vrapon nga njëra anë në tjetrën nëpër lagjen tonë të Tiranës së re. Nga Lana tek udhëkryqi i katër rrugëve. Nëpër blloqet “1 Maji” te stadiumi “Dinamo”. Dhe me ato që përdoren me emrat tradiconalë-pallatet e aviacionit dhe blloku i Udhëheqjes. Në këtë hapësirë të gjerë ajo vrapon nga njëra anë në tjetrën. Të del përpara 5-6 herë në një orë. Mund të thuash me bindje: E kudondodhura. Eshtë Bakushja, gruaja nga fshati Mënik i zonës së Pezës.
Nuk mund të kaloj pa kujtuar se nga e kam marrë hua këtë fjalë “E kudondodhura”. Atyre që e kanë ndjekur futbollin më se 30 vjet më parë, kur komentatori i shquar i njohur i kohës, i famshmi Anton Mazrreku pat folur për “të kudondodhurin” Kolec Kraja, i cili në atë kohë lëvizte gjatë gjithë vijës së gjashtëmbëdhjetëshit para portës së kundërshtarit duke shënuar gola të shkëlqyer nga pikat më të ndryshme të tij. Duke dhënë spektakël loje futbollistike. Këtë rast po e përmendim për të nderuar kujtimin e Anton Mazrrekut e të Kolec Krajës.
Tani mund të kalojmë nga i kudondodhuri Kolec Kraja tek e kudondodhura Bakushe.
Çfarë e dallon Bakushen? Energjia e jashtëzakonshme, shpejtësia, shkathtësia, vëllimi i madh disafish i punës që kryen. Ajo nuk di të ecë. Ajo vrapon. E kam pyetur Bakushen dhe më është përgjigjur prerë: Edhe po të më thonë, pse vrapove kështu, ec më ngadalë. Nuk di të eci. Dje e kam parë vetë. Duke biseduar për vizitën që do të bëja në shtëpinë e saj ajo kërceu nga njëra anë e bulevardit në anën tjetër duke vrapuar si një atlete e tetëqindëshit.
Në fillimet e njohjes sonë, duke buzëqeshur i thoja se ajo ishte për “Heroinë e Punës Socialiste.”
Paraqitja e Bakushes – nuk ka ku vete më mirë. 58 vjeçe, e mbajtur mirë, e drejtë dhe e gjatë si fiskajë. E veshur me një përparëse të pastër pune. Ndrit e vezullon. Lëshon dritë. Mbi të gjitha, qeni i punës. Nga këto anë tek ajo shohim mashkullin. Por mos u çuditni, ajo ka edhe shumë feminitet. Gjithmonë me fytyrë te qeshur, me buzë e sy të qeshur. Gojëmbël. Edhe në këtë moshë, me një ngarkesë shumë të madhe pune, gjithmonë e prirur për komunikim dashamirës e të këndshëm. Kështu mund të themi pa frikë, me tepricë feminiteti. Një paraqitje totale, monolite, e përpjesëtuar në gjithçka. Pa dyshim –një shëmbëlltyrë, një ekzemplar i rrallë, një qenie njerëzore “sui generis” (e vetme në gjininë e vet).
* * *
Me të drejtë mund të pyesin: Nga ka dalë? Si është formuar kjo Bakushe? Vajza nga Sekujt e Vaqarrit, nga një familje fshatare nga ato që mund të quhet disi e kamur. E që te ne i kanë bërë “kulakë”. Me shumë pak tokë mbi normën, pa hyzmeqarë, pa argat. Por që kanë punuar shumë. Këtej edhe pasuruar pak. Ja burimi që i kanë shikuar me zili. Kulakë ka dalë nga babai, kulakë I ka gjetur te burri. Ky rang shoqëror nuk e ka penguar Bakushen të shpërthejë vrullshëm në punë. Veç çfarë ta ketë ndihmuar. Burri, si shumica e fshatarëve tanë-jo pa prirje patriarkale, konservatore. Por që nuk i ka mbyllur gruas së re rrugët e jetës.
Cilat rrugë? Menjëherë-nënë. Menjëherë edhe amvisë. Patjetër edhe bujkeshë. Siç trajtoheshin gratë në kooperativën bujqësore. Punë në arë, me bel. Por punë Bakusheje. Duke thyer pesë norma në ditë. Kështu ka punuar deri në 1990, në fushat e kooperativës. Për rendimentin e punës së saj flet pensioni që merr, 27 mijë lekë të vjetra. Për një kooperativiste të thjeshtë nuk është pak.
Por jeta më e ngarkuar, “më e pasur”, më e vuajtur e Bakushes- jeta e nënës. Bakushen e kanë rritur, e kanë formuar si të tillë puna dhe vuajtjet. Mos u çuditni –vuajtjet qëllon që i pasurojnë shpirtërisht shumë njerëz, sidomos që i humanizojnë dhe I fisnikërojnë shumë gratë. Kjo ka ndodhur “rëndshëm” me Bakushen.
Keni të drejtë të pyesni: Si? Së pari si nënë. E martuar pesëmbëdhjetë vjeçe, në shtatëmbëdhjetë vjet ka lindur fëminë e parë. Dhe me radhë njërin pas tjetrit – dhjetë fëmijë. Nuk është lehtë që në kushte jete të vështirë të kollandrisësh e të rritësh dhjetë fëmijë duke vazhduar punën si kali. Dhjetë fëmijë, deri në moshën 35 vjeçare. Kur i ka ndërprerë lindjet dhe ka operuar mitrën. Por e keqja është se nga fëmijët i kanë vdekur tetë. Njëri pas tjetrit. Dhe i kanë ngelur dy – djali, Dilaveri, tani burrë, mos u çuditni, i miqësuar mjaft me mua. Ai me nusen dhe tre fëmijë jeton me prindërit. Dhe një vajzë e martuar në shtëpinë e vet.
Duke biseduar lirshëm me Bakushen për këtë dramë plot vuajtje të saj i them se në këtë pikë paska ngjashmëri të madhe me nënën time. Ndoshta ka jetuar në kushte jo të vështira sa ti, po edhe asaj i kanë vdekur po tetë fëmijë, shtatë vajza dhe një djalë, një Hamit para meje, Hamitit që më në fund i ka jetuar dhe ka qenë këmbëmbarë, pasi ka marrë me vete edhe tre të tjerë.
Dhe vuajtjet e Bakushes vijojnë. Pas tetë vdekjeve të fëmijëve, pas heqjes së mitrës, në moshën 35 vjeçare, kalon një krizë të rëndë, ajo saktësisht nuk e di se çfarë, por ma thotë mendja neuropsikike, pasi gjatë pesë vjetëve është sjellur nëpër spitalin neurospikiatrik. Dhe kujton me nderim dhe fisnikëri të veçantë dy mjekët që ajo thotë se e kanë shpëtuar, mikun e ngushtë timin Petrit Tamburin dhe neuropsikiatren e njohur Luljeta Lleshi. Por kujton me dhimbje tmerrin që ka hequr koka e saj.
Duke biseduar me mua, Bakushes nuk mund t’i shkojë ndër mend se po kuvendon me një njeri që vuan nga depresioni neuropsikik tash tridhjetë vjet, që -edhe më, nga parkinsoni tash tre vjet, që ka ngrënë më se dhjetë thika, që është koleksionist sëmundjesh. Duke më parë të gjallë në komunikim ajo nuk sheh tek unë një njeri që edhe ai paska vuajtur, së paku nga shëndeti.
* * *
Por kthehemi te Bakushja. Në vitin 1990, në moshën 43 vjeçare “erën e demokracisë” ajo e ndjen në mënyrën e vet. Vendos të zgjerojë shitjen e qumështit qytetarëve të Tiranës, punë që e kish filluar që në 1985. Por që t’i kushtohet kësaj pune. Është Bakushja që unë e kam njohur duke vrapuar me shishe qumështi derë më derë te myshterinjtë e vet që tashmë i bën tradicionalë.
Por bën një punë korrekte shembullore. Më tregon një i njohuri im i afërt: Bakushja kishte pësuar një dëmtim kocke në këmbë. Por edhe ashtu, çalë çalë, nuk mund t’i lerë pa qumësht klientët e vet. Ai çuditet, mahnitet kur t’i vijë te dera ashtu e çalë.
Por shitja e rregullt, e përditshme e qumështit, duke ia çuar atë në shtëpi myshterinjve në çdo kohë, në të ftohtë dhe në vapë, edhe duke rënë shi, nuk është punë e lehtë, do përkushtim, mund të thonim edhe sakrificë. Dhe Bakushja e bën atë me zell dhe me kënaqësi.
Puna do dhe organizim. Dhe Bakushja lufton për të deri në përsosje. Gjithmonë në kushtet e sotme shqiptare. Ka arritur të ketë katër lopë race. Merr prej tyre mesatarisht 15 kg qumësht në ditë.
E trajton atë mirë. Në kushte higjenike nga më të mirat. E sjell atë në Tiranë një ditë po, një ditë jo. E mban në dy frigoriferë të mëdhenj, ku qumështi i ruan të gjitha cilësitë. Dhe e shpie në Tiranë bashkë me Dilaverin, djalin e saj. Kuptohet, një ndihmës i saj. Kanë dy makina, njërin “Benz” të ri.
Zbarkojnë te blloku “1 Maji”, te Urgjenca qendrore mjekësore e Tiranë. Bakushja fillon ecejakun e saj marramendës. Kurse Dilaveri qëndron në një pikë dhe tregton prodhime fshati-peme stine, gjizë etj. Policia, duke e çmuar edhe ajo punën e Bakushes nuk po i ngacmon më.
Tani Bakushja ka një regjim të hekurt ditor. E fillon punën në orën katër e gjysmë të mëngjesit. Ditën që nuk vjen në Tiranë, me që thamë se ka marrë masa që qumështi të ruhet i freskët, ajo zbaton regjimin e punës së saj në shtëpi. Mund të mendohet, një ditë punon, një ditë “pushon”. Pushim I thënçin.
Ditë pune njësoj e ngarkuar. Njësoj fillon në orën katër të mëngjesit. Rreth një orë e gjysmë punon rëndshëm me bel. Bën dhe mbarështimin e lopëve dhe gjithfarë punësh të tjera. Ja, sot, marr vesh se për më pak se një orë ka mbledhur 5 kg manaferra. Përsëri mund të çuditeni për shpejtësinë e punës. Çdo t’i bëjë manaferrat? Ndoshta raki.
Por ja më e çuditshmja: Bakushja ha një herë në ditë. Gjithë ajo ngarkesë, gjithë ajo lodhje, gjithë ajo peshë, gjithë ai trup. Si e mban gjallë veten? Mos është ndonjë askete? Apo ndonjë magjistare? As njëra, as tjetra.
Ja që u mbaka gjallë edhe me një të grënë në ditë. Dhe duke u mbajtur për bukuri. E gëzueshme, e komunikueshme. Bën edhe ndonjë shaka. I ndodhi afërsisht diçka e tillë edhe me mua. Duke kaluar aty ku i biri tregton pemë, duan të më sajdisin. Është koha e fiqve. Bakushja më lutet të marr diçka. Mirë i them, një kokërr. Bakushja ndërhyn dhe do të më japë dy. Pasi dy këmbë ke, më thotë. Dhe unë, i njohur si i “prapë në dialog”, që do të fitojë gjithmonë i them: Bakushe, po fiqtë nuk hahen me këmbë, hahen me gojë. Dhe njeriu nuk ka dy, por një gojë. Asaj nuk i bëhet vonë. Vijon sajdinë.
Bakushja interesohet për problemet dhe hallet e të tjerëve. Nuk mjaftojnë shtatë gojët e shtëpisë, ajo me të shoqin dhe Dilaveri me nusen dhe tre fëmijë, njëri pas tjetrit. Po vajza e martuar? Familja e saj është në vështirësi ekonomike. Bakushja mendon si t’i ndihmojë edhe ata. Dhe i ndihmon. Mendon edhe për të tjerët, punon edhe për të tjerët. Nuk ka ndonjë ambicje për parí, për të urdhëruar. I bën punët vetë. Por shpesh duke evidentuar të tjerët. Djali, Dilaveri, shoferi dhe financieri i familjes. I shoqi, Ferhati, siç e kam thënë në librin tim dedikuar familjes “Gjurmë Jete”, e ka hijen e kryefamiljarit, “e kryekuvendarit”. Duke qeshur, Bakushja thotë për të se kur ka “pranuar” të punojë është dukur si bari. Edhe tani, ditën që Bakushja është në Tiranë, I shoqi kujdeset për lopët. Përsëri si bari.
Kur e pyesin Bakushen se ç’vlera pune kanë njerëzit që e rrethojnë, ajo buzëqesh. Eshtë e vetëdijshme se ato janë ende larg saj. Ajo i ka në zemër te gjithë. I do të gjithë. E kur mundet, i ndihmon. Eshtë shpirtmadhja Bakushe.
Sa ka kaluar mesi i Shtatorit. Jam mysafir në shtëpinë e re të Bakushes. Shtëpia e bollshme– 120 m2. Por ende e pashtruar. Pranë shtëpisë një bahçe e bukur 3-4 dynymshe tek e cila mbillet gjithçka. Kanë ende vështirësi të ndjeshme kalimtare, por kanë besim se do t’i kalojnë. Janë në rrugë të mbarë. Besimi i Bakushes – I pakufishëm.
* * *
Në fund keni të drejtë të pyesni: Profesor, na thuaj me dy fjalë kush është Bakushja? Mos është ajo e këngës beratase “Jaseman o moj Bakushe?”
Kush është Bakushja? Askete? Jo. Mos është magjistare? Nuk bën magji. Nuk është xhinde. Madje as shtojzovalle. Është shëmbëlltyra më sipërore që mund të zinte vend denjësisht në krye të librit tim “Gruaja-kjo qenie “shenjte”. Besoj se e kuptoni: Deri sa “shenjte” është me thonjza, nuk bëhet fjalë për kuptimin fetar të fjalës. Është fjala për kuptimin më human të saj.
Kush është Bakushja? Njeriu i vërtetë. Njeriu me gërmë të madhe.
* * *
Në fund po shënoj se e kam bërë zakon që kur shkruaj për autorë librash, për portrete njerëzish të gjallë, për modele që merren si pikënisje për tipa njerëzorë, shkrimin e lexoj me të interesuarit. Për ndonjë saktësim informacioni, edhe për ndonjë vërejtje që mund të kenë. Dhe, po të jetë e nevojshme, bëj korigjimet përkatëse. Sot, më 21 Shtator 2005, e kam bërë këtë në shtëpinë e Bakushes. Me të dhe me gjithë bashkëfamiljarët e saj. Nuk ka vërejtje. Shkrimi “është bekuar” edhe nga ata.
Nga Arkivi
Per”Alba – Dansk” shkodrani
Leave a Reply