
Vini re – (Fotoja eshte huazuar nga rrjeti )
Me 7 Marc 1913 ushtrija malazeze mbytëte në Janosh (afer Gjakovet) mizorisht françeskanin At Luigj Paliq, vetem pse, si meshtar katolik e shqiptar i njmendtë, nuk mujt me pëlqye mizorit, që Slavët bajshin mbi grigjë të tij, as pse s’dijti zemra e dhimbëshme e tij me mshehë mjerimin që ndiete, kah shihte se n’ato vise thjesht shqiptare kamba e anmikut ma të madhit të Kombit lete gjurmët e veta shkretnuese. (Shih Hylli i Dritës Marc 1914).
Në rasen e kryevjetorit Poeti, me ketë vjerrshë, perkujton vrasjen mizore të këtij deshmori, tuj lypë prej Hyjit, që të gjykojë mbi dhunë të bame Shqipnis.
Ushtarët malazez mbasi i ran pesë plumba, tue i derdhë trut per tokë, e theren në krahnuer me bajoneta.
Kje botue në Hylli i Dritës Marc 1914.
1-Barbarët… e mbyten ! E pra
Ky i’dhunë kurrkuj s’i a bani;
Nuk bani kand me kja:
Per t’keq s’i duel zani;
Per Atme e shejten Fe
Punoj me t’drejt n’ketë dhe
2-I vorfni, pa prind mbetun,
që kjan për bukë i mjeri,
Te ky shujten pat gjetun:
Ky lott prej sysh i a teri,
S’e la nen dhunë me fsha
E at e mamë i u ba.
3-Pse pra me e mbytë ?…Trathtari,
E gjaksi e i patenzoni
E i trishtueshmi kusari,
Që s’njeh çka asht zakoni,
Kah t’duen ata po mbajn:
Pse kshtu me e mbytë t’pafaj’n ?…
4-Por, po; për shkja të prujtun
Isht’ ky n’dy faje zhye,
Që ndryshej nuk ka mujtun
Veç se me gjak me i shkmbye:
Shqipnin dote t’lirueme,
E Fen s’ndrrote t’bekueme.
5-E për ketë punë mizori,
Ushtari i Malit t’Zi
Që mshirë s’i njeh krahnori
Heshten i a nguli n’gji,
Edhe me te të ngratit
Zemren shporoj ai Fratit.
6-U rrzue sherbtori i Zotit
-Heu ! si nuk plasi djerri !
E syt për t’gjatë të motit
Ndërmjet anmiqve i erri;
Gjaku prej varrvet t’ngrata
Gurglloi mbi buca t’thata.
7-O Perendi i amshushem,
A thue tu ‘i vu kje trollin
Ndo’i rruzlli ma t’lumnueshem,
Që për nen qiellë mund t’ndollin
Kso punësh mbi ftyrë t’ksaj bote,
Pa shkrepun mnija e Jote ?
8-Qe, shkjau, harlisë krenijet,
Meshtarët asht tue t’i mbytun;
Lterët t’u, seli hyjnijet,
Me gjak asht tue t’i zhytun:
E rrfeja e Jote kisha
Por rrzon, e veç çan pisha
9-As gjaku pra, i Meshtarvet
As gurt e elterevet t’ue
S’mund reshkan mshirë Shqiptarvet,
Nuk mujtkan mnin me t’zgjue ?
E fatin e Shqipnis
E lanka n’dorë t’shkjenis ?…
10- O e mjera, moj e mjera
Shqipni, se keq ke ngelun !
Se mirë, ty t’thau vera,
Qysh se shkjau asht tue t’shkelun
E tue t’poshtnue pa dhimë,
Tue t’lanun n’vaj e n’brimë.
11-T’kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’djegë e tue t’shkrumue:
T’kanë damun copa-copa
Si t’ishe pa zot lshue,
E çk’asht ma fort per t’kja,
Me dorë t’Mbretnivet t’mdha.
12-O Zot ! o Zot ! mostjeter
për ketë pleqni trathtare,
Që Europa, rrence e vjeter,
Bani mbi tokë shqiptare,
Deh ! Ti mos len që njiri
Kshtu t’a dhunojë pa hiri.
13-Veç n’Ty na e kemi shpresen
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse njirit fjalët e besen
Fort mirë sod po i a njohim:
Ai syt s’i prir kurr njeti,
Veç ku mund t’grryejë për veti.
14-Prandej, o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi ne,
E ban që puna t’kthiellet,
Si asht mirë për Atme e Fe;
E gjaku i ktij Meshtarit
T’kjoft falë për komb t’Shqiptarit.
At Gjergj Fishta
Burimi/Facebook


Leave a Reply