PRONOVIM LIBRI
Me fjalën e saj të duket se poetja Rudina Muharremi Beja vizaton në akuarel, por në atë të shpirtit. Poezitë e saj por dhe proza e shkurtër, të cilat ecin paralel me njëra-tjetrën, kanë gjetur hapësirën e duhur në shumë portale, antologji por dhe gazeta të njohura letrare
*Rudina tashmë përgatitet për librat e radhës, që e sjellin më të konsoliduar, me pjekuri më të lartë estetike dhe ashtu përmes vargut të lirë apo prozës së shkurtër ajo depërton përtej fasadave ngjyrime si reflektim por dhe përshfaqje e një kreativiteti që e ngjit në nivele më të larta artistike.
Pas prezantimit, ndodhen edhe disa poezi të përzgjedhura të saj. Rudina shkruan edhe në gjuhë të huaj si një sprovë artistike.
Suksese!
RUDINA MUHARREMI – BEJA, ka lindur në Ishëm, Durrës, më 9.4.1976. Ka përfunduar studimet ne vendlindje dhe më pas ka punuar si mësuese.
Aktualisht jeton në Rovereto – Trentino Alto Adige (Itali),
qe prej Marsit te vitit 2001.
Krijimtaria letrare e saj përmbledh disa libra:
– “Hojet e zemrës”, poezi, 2019
– “Lutje lulesh”, poezi, 2019
– “Valsi vallëzon vetëm”, ,poezi, 2019
– “Orët e Tokës”, poezi, 2020
– “Hënë mbi kodra”, poezi, 2020
– “Kur ndërronte fustanet”, poezi & prozë, 2020
– “Strehë malli”, poezi, 2021
– “Me gjuhën e tyre”, tregime, 2021
– :Im atë, mjeku i të gjithëve”, publicistikë, (jetëshkrim). 2019
-Volevo scrivere” poezi, 2022
-“Kandil i shpirtit” poezi, 2022
KU JAM
Toka, qielli, përzier
ndiej drurët të psherëtijnë,
rënkojnë degët,
Zoti im,
më thuaj ku jam?
Këtu as lulet s’mund ta zgjedhin ngjyrën…!
ATJE…!
Atje më presin gërmadhat e shtëpisë
dhe dallëndyshet që vijnë përherë e më rrallë
Më presin nën dhè zambakët e vdekur
dhe hijet e të parëve ende gjallë…
Kalldrëmi pret që të m’i puthë këmbët
kodra që heshtur m’i ruan kujtimet
arna e qiellit, hardhia që qan
dhe porta qemerëlartë e diellit
Më presin pemët që s’i mbajnë më frutat
oborri ku dikur ulej perëndia
Më pret hija e qenit që vdiq prej mërzisë
kur u largova nga shtëpia
Nëna më pret e lutet me psalme
kur muzgu shtrin krahët mbi qytet
zhaurima e detit, tufanët e rreptë
dhe pusi plot brenga e dert.
Pulëbardha varrosur brenda një vale
burimi me mijëra shtëmba thyer
kujtimet burgosur brenda një fjale
dhe lumi që shkon për t’ mos u kthyer
Pikëllimi ulur më pret mbi gurë
heshtja nëpër gërma tashmë thinjur
pemët me buzët që dridhen në ethe
dhe ëndrrat me gjethet gremisur…
Atje, më presin gërmadhat e shtëpisë,
dallëndyshet që vijnë përherë e më rrallë
Më presin nën dhè zambakët e vdekur
dhe hijet e të parëve, gjallë…
NË KËRKIM
Me majë të gishtërinjsh shkel mbi livadhin e ëndrrave
mbrujtur dëshirave të heshtura
udhëtimit mes krahëve të muzave,
pa busull,
vorbullës së fuqishme të ndjesive,
që nganjëherë më përhumb thellësive
shtjellave gri
e nganjëherë zbardhëllimit të vesuar të agimeve,
herë horizonteve në perëndime
e herë përtej vezullimave
territ të përflakur të yjeve
ku labirintet dhe meridianët e ngurtë
fshehin udhëkryqe,
vetvetes gjithmonë në kërkim!
ËNDRRAT
Ëndrrat,
ashtu si valët,
ngarkojnë flatrat me dëshira të pafajshme
ngjyra të mrekullueshme
parfume dehëse,
e mërmërimave të përhershme
vrapojnë pareshtur,
ndoshta, për t’u thërrmuar shkëmbijve…
DREAMS
Dreams,
Just like ëaves,
load their ëings ëith innocent desires
ëonderful colors
darkening perfumes,
of permanent murmurs
running incessantly
Perhaps to smash on rocks…
VIZATIM NË AKUAREL
Ja gjurmët e mia nën qiellin që stis retë
e dritëhijeve luan me shkimëza rrezesh
Ja shpirti im shndërruar në frymë
tek flet me zhargonë stërkalash…
Ja ndjenjat përhumbur nëpër atë qerthull
që ngjyrat ka zverdhur stinësh,
Ja stigmat fshehur fasadave të rreme
e dhimbjet përtej kornizash…
Ja troku drithërues përhumbur hapave
enigmave që vetëm thellohen,
Ja flatrat ngarkuar me dëshira të pafajshme
shkëmbijve të egër tek thërmohen…
Ja ti, tek vjen si një fllad pranvere
më përkëdhel e lule ndiej të çelin
buisin ngjyra e njëmijë vezullime
mbi fletën ku vizatoj akuarelin…
Burimi/Facebook


Leave a Reply