Shkodra i ka të panumërt, emrat dhe kontributet, të cilët me përkushtimin e tyre arritën të ngrinin një përmendore të lartë lavdie, para së cilës gjeneratat përulen me mirënjohje dhe respekt. Sepse ata nuk ngritën në pavdekësi emrin e tyre, por lanë në themelet e kohës, epokës së cilës i përkisnin, veprën e shpirtit. Një prej atyre që nderoi Shkodrën, lartësoi punën plot pasion, me të cilën ai zgjodhi të ndeshej në të gjitha betejat, ishte Prof. Ahmet Osja. Njeriu dhe profesionisti, dija dhe ndijimi, krijuesi dhe ideatori, lëvruesi dhe vizionari, ishin gjithëçfarë ai besoi, ishte ajo lëndë që mbruni dhe lartësoi atë në atë kresht ku ngjiten vetëm ata që i merituam si shpërblim dhe i vlerësuam dhe i çmuam si kapacitete.
U lind më 25 Qershor të vitit 1939, në fshatin Luarz të Komunës Velipojë. Në një shtëpi me një pemë të shenjtë e të lashtë ulliri në oborr, nga ku shihej Buna e mrekullueshme përgjatë së cilës shtrihej e panjohura dhe e ardhmja, rrota e mullirit të Dulaqit, bregu i Bunës ku lopët pinin ujë dhe ku ankoroheshin lundrat. Këtu e kaloi fëmijërinë e hershme. Këtu u mësua të dojë natyrën, gjëlbërimin dhe bujqësinë. Ahmet Osja është bir i një familje të zakonshme, me tradita shumë patriotike dhe tipare të tjera njerëzore shumë të larta. Është “Profesor i Shkencave Bujqësore” dhe mban Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, akorduar në vitin 2009 nga Presidenti i Republiks së Shqipërisë.
Në një monografi të shkruar nga Zef Gjetja, titulluar, “Prof. Dr. Ahmet Osja -Mjeshter i Madh – 80 vite jetë, punë, krijimtari”, botuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes (25 qershor 2019mes të tjerash shkruhet se: Profesor Osja zotëron dije enciklopedike në shumë sfera të jetës si: arti, kultura, historia, ekonomia, legjislacioni, albanologjia dhe antropologjia, falë përvojës së gjatë në njohjen e territorit, bashkëkombësve dhe pasurive të vendit të tij, aq sa edhe të dëshirës së tij të madhe për të qënë pjesë e “lidhur” kombit dhe kontribues në prosperitetin e vendit. Bazat e para të shkollës i mori në fshatin e tij të lindjes, e më pas ndoqi shkollimin e mesëm, ku u dalluar për lidhjet e tij të forta me librin. Megjithëse u detyruar të fillonte punë, ai për asnjë çast nuk iu nda librit dhe marrëdhënieve të ngushta me të. Për pasojë, edhe sot ai thekson:… janë “3 L” që e kanë çuar shoqërinë përpara: Lapsi, Letra dhe Libri. Gjatë periudhës 1968-1970, ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Agronomisë të ILB-së, ku u diplomua Agronom. Jetën profesionale, Ahmeti e filloi në zonën e Dukagjinit të Shkodrës, ku sipas vetë Profesorit: “…ishte periudha më interesante e jetës sime!”. Është unikale “gjetja” që ai bën në kuadrin e zbatimit të reformës agrare në fshatrat malorë, ku sipas statutit fshatari mbante 1 dynym tokë për nevojat e veta dhe agronom Ahmet Osja u jepte trefishin e kësaj sipërfaqeje, me argumentin që toka përmban 76-70 % gurë, që gjithsesi nuk kunsiderohet tokë bujqësore. Pas kësaj përvoje mjaft interesante, ai u caktua të punonte pranë Stacionit të Zooteknikës në Shkodër, ku u mor me sektorin e kërkimeve për bimën e misrit. Më pas, për afro 30 vjet, ai punoi si ekspert dhe pastaj si drejtues në Institutin e Misrit dhe Orizit. Si koleg i afërt i Akademikut dhe shkencëtarit Hysen Laçej, njihet për rolin e çmuar në krijimin e hibrideve të rinj të misrit, kryesisht ata me përmbajtje të lartë të proteinave të pazëvendësueshme, misrit për pufka, si dhe evoluimin e teknologjisë së kultivimit të misrit në kushtet e Shqipërisë. Gjithashtu, gjatë viteve të punës në IMO, është kontribuesi kryesor në mbledhjen, dokumentimin, shumëzimin dhe karakterizimin shkencor të një popullate prej 300 llojeve të misrave të vendit. Ndërkohë që puna këshillimore, divulgative dhe “rendja” pas fatit të hibrideve të misrit “Rozafa…”, të krijuara në IMO dhe të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, ka qënë një kontribut me shumë vlerë në përmirësimin e rendimenteve dhe të cilësisë së mistrit të mbjellura në rreth 75 mijë hektarë. Në periudhën 1982 – 1991, për rreth 9 vjet, Ahmeti përfaqësoi rajonin si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ku u shqua për fjalime realiste dhe mjaft nxitëse për zhvillimin e zonës dhe të sektorit të bujqësisë. Për rreth 5 vite, ai ka qenë Kryetar i Komisionit të Bujqësisë në Parlamentin Shqiptar. Profesor Ahmet Osja ka qenë edhe Ministër i Bujqësisë në vitin e vështirë 1991, si dhe lektor në Universitetin e Shkodrës dhe në Institutin e Lartë Bujqësor (UBT), në Kamëz, Tiranë. Në lidhje me veprën studimore dhe publicistike, Profesor Osja është autor dhe bashkautor i disa botimeve në lëmin e bujqësisë shqiptare me kolegët e tij, si: “Misri dhe kultivimi i tij” – 1985, “Hibridet Rozafa” – 1986, “Disa masa që kushtëzojnë prodhimin e misrit” -1989, “Misri me kalli” -1989, “Kultivimi dhe mbrojtja e misrit” – 1997, “Historia e bujqësisë dhe agro-përpunimit” – 2003, “Vlera që nuk vdesin – Liqeni i Shkodrës” – 2004, skenarë filmi: “Teknologjia e kultivimit të misrit për kokërr”, “Teknologjia e kultivimit të misrit për silazh”, dhe një sërë ideimesh në këtë fushë, të cilat miqtë e tij të profesionit, arritën t’i realizojnë dhe shfaqin me sukses. Ka qenë anëtar i kolegjumit të redaksisë të Revistës “Shkenca dhe Jeta”, dhe i këshillit botues të revistës Tribuna e Ekspertit”, etj.
Ka realizuar një seri shkrimesh të vijueshme në gazeta qendrore e lokale, dhe po kështu ka botuar mbi 350 të tillë, si divulgativë ashtu edhe shkencorë në revista dhe periodikë të ndryshëm. Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë, a ka vlerësuar si një gazetar profesionist të Bujqësisë, duke i dhënë titullin “Kryetar Nderi” i saj. Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, botoi studimin për lulet Alpine: “100 foto – 100 lule në Alpet Ilirike”, që u vlerësua si një vepër me vlera të dobishme dhe zbulime premierë në nivel studiuesish rajonale. Si studiues poliedrik, ai ka marrë pjesë në një sërë takimesh e konferen cash kombëtare e ndërkombëtare, kryesisht në: Sofje-Bullgari, AnkonaItali, Baleta-Maltë, Pragë-Çeki, Prishtinë-Kosovë, Podgoricë-Mali i Zi, Shtetet e Bashkuara, etj. Për kontributin e tij të shquar dhe për atë që ka dhënë në shumë fusha të jetës, profesor Osja ka marrë disa vlerësime, nga më të rëndësishmit, veçoj më: “2000, Outstanding scholars of the 20-th Century”, IBC, Cambridge CB2 3QP, England; 2009 – “Mjeshtër i Madh” nga Presidenca e Repu blikës; 2009 – Këshilli Bashkiak i Shkodrës e ka shpallur Profesorin Ahmet Osja “Mirënjohja e Qytetit”; 2009 – Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, dega Shkodër përfaqësuar nga ish kryetari Gëzim Uruçi e vlerësoi si: “Intelektual i shquar – Emblemë e qytetarisë”, me njohuri të gjithanshme në shumë fusha të shkencës e kulturës dhe një personalitet i historisë shqiptare; 2010 – Anëtar nderi i Akademisë së Shkencave, ishte titulli që Akademia i akordoi ciceronit të bujqësisë, Profesor Ahmet Osjes, që prej 10 vjetësh është “Anëtar Nderi” i shoqatës “Dukagjini”, si dhe ka një sërë vlerësimesh të tjera lokale dhe kombëtare. Një ndër shprehjet më të goditura që përdor Profesori: “Më thuaj cilin gazetar ke mik?”, është një simbolikë mjaft domethënëse, sidomos për politikëbërësit, për administratën, për funksionarët, me kuptimin se sa informacionin që kanë duan dhe mundohen t’ua përcjellin publikut. Profesor Ahmet Osja është njeriu i palodhur për sa i përket eksperiencave dhe njohurive teoriko – praktike që vë në dispozicion të zhvillimit të bujqësisë dhe për sa i përket angazhimit të energjive dhe njohurive që vë në dispozicion të të rinjve. Ai personalisht është një person që vazhdimisht shkruan dhe bën publike opinionet dhe njohuritë e tij. Por, ajo që e bën më shumë interesante sjelljen e Profesor Ahmetit është angazhimi i tij në nxitjen e bashkëpunëtorëve dhe të të rinjve, në mënyrë që ata të shkruajnë dhe të botojnë sa më shumë. Pa menduar që po e egzagjeroj, mendoj se Ahmet Osja është rilindasi i fundit i shekullit të ri.
Veprimtarë të kalibrit të tij si Ahmet Osja , i shërbyen një brezi, i dhuruan gjithçka patën asaj që besuan, nderuan me një përfaqësim dinjitoz vlerat e vërteta, duke shënuar emrin e tyre në panteonin e korifenjve.
Zani i Malsisë
Burimi/Facebook


Leave a Reply