Politeknikumi “7 Nëntori” dje, alias “Harri Fultz”-i i pardjeshëm, identifikohen si elita e shkollave profesionale në vend për dy arsye kryesore, për trupën pedagogjike dhe nxenësit që e përbënin atë. Duhet theksuar se mbi këta dy komponentë qëndrojnë madhështorë tre musketjerët, Harri Fultz, Gjergji Canco dhe Ali Progri – drejtuesat legjendar të kësaj super shkolle.
Trupën pedagogjike të Politeknikumit e kanë përbërë edhe disa ish nxenës të kësaj shkolle, si psh, Bujar Kaltani, Petrit Morcka, Gani Karaj etj. Ky i fundit është ndoshta politeknikumasi më i vjetër në ushtrinë fejsbukjane, ushtar simpatik, me shëndet të plotë mendërisht dhe fizikisht…dhe nuk duhet harruar, brezi i Ganiut është në vitin e 90-të të lindjes.
Nuk ka gjë më të bukur se sa të shkruarit për të gjithë brezat që kanë kaluar ndër vite në Politeknikum, por kjo nuk bëhet nga një njeri i vetëm…kjo bëhet nga secili prej nesh me shkrime për periudha reciproke…dhe për periudhën e fillim viteve ’50 – të mund të flasë bukur fare ish nxenësi dhe mësuesi praktikës, Gani Karaj.
Me Ganiun kam komunikuar edhe herë të tjera, qoftë me shkëmbim komentesh nëpër statuse të ndryshëm apo edhe në msg. Kam krijuar një simpati dhe admirim intuitiv për të, kam vlerësuar çdo gërëm e fjalë të shkruar prej tij…dhe kjo jo sepse është çudi që Ganiu të jetë i tillë, por sepse çudi është që një 90 vjecar të jetë i tillë. Në këtë rast 90 vjeçari quhet Gani Karaj dhe Gani Karaj është ish politeknikumas si nxënës dhe mësues praktike.
Ganiu është lindur në Tiranë, më 19.9 1932, në një familje qytetare të shtresës së mesme. Përfundoi 7-vjeçaren me rezultate të shkëlqyera dhe pas saj regjistrohet në Politeknikumin “7 Nëntori”, në degën Elektrike, të cilën e përfundon në Qershor të 1953-shit dhe dipllomohet ‘Teknik i Mesëm Elektrik’.
“- Kam qënë në një klasë me Bujar Kaltanin dhe Petrit Morckēn. Kryetar dege ishte Ing Turhan Angoni, i cili na jepte ‘Tension të Lartë’ dhe ‘Paisje Centrale’. Në vitin e dytë Mehmet Çami na jepte ‘Elektronikë Speciale’, ndërkohë që Kiço Bendo na jepte ‘Maqina Elektrike’ në vitin e tretë…kemi pasur edhe një ing sovjetik, na jepte ‘Ndriçim’ dhe ‘Teknikë Sigurimi’ – thotë Ganiu.”
Si Mehmeti, ashtu edhe Kiço u mbajtën pedagog në Politeknikum menjëherë pas përfundimit të shkollës, i pari ishte maturant kur Ganiu ishte në vitin e parë dhe i dyti ishte në vitin e tretë kur Ganiu ishte në vitin e parë. Ndërkohë që kur unë vajta në Politeknikum në ’72-shin, i kisha pedagogë Bujar Kaltanin dhe Petrit Morckën. Ky fakt vërteton sa them në fillim të këtij shkrimi se disa ish nxenës u kthyen në Politeknikum si pedagogë. Nga Politeknikumi në ato vite dilnin profesionistë të vërtetë, mbajtja pedagog në shkollë menjëherë pas mbarimit të saj ishte normalitet dhe jo çudi…dikush mbahej pedagog, të tjerë vijonin universitetin dhe po të tjerë merrnin përsipër të kryenin punë të nivelit të lartë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“- Në dhjetor të 1952-shit mbaruam provimet e shtetit dhe na dhanë temën e dipllomës. Unë kisha Istalimin e rrjetit të Korçës në TN – T U, duke marrë parasysh planin e parë 5 – vjecar. Më 2 Janar 1953 shkova në Korçe bashkë me shokun e klasës, Bujar Kaltanin, ai në temë kishte ngritjen e një Termocentrali. Qëndruam tre muaj, në Prill filluam pregatitjen e dipllomës. Mbrojtjen e saj e bëmë në fund të Qershorit, pas së cilës mora titullin ‘Teknik i Mesëm Elektrik’ – tregon Ganiu”
Pak ditë pushim dhe më 1 Korrik 1953 Ganiu fillon punë në minierën e Rubikut, një punë e lodhshme e me orar të zgjatur, hynte në galeri në 7 të mëngjezit e dilte prej saj në 7 të darkës. Punoj këtu deri në fund të Tetorit, për të shkuar ushtar më 5 Nëntor në Durrës, te Currilat dhe kalanë e Torres në Kavajë. Ishte një brigadë pune dhe gjatë dy viteve punuan me ta edhe pesë inxhinjerë sovjetikë të Traktatit të Varshavës, me ndihmën e të cilëve u ndërtuan katër topa bregdetarë. U lirua nga ushtria më 5 Nëntor 1955.
Pas lirimit nga ushtria Ganiun e emëruan përsëri teknik në Minierë. “- zgjidh kë të duash, Rubik, Selenicë, Kurbnesh – i thanë.” “- Asnjërën! – u tha Ganiu.”
Qëndroi nëntë muaj pa punë, deri sa më 9 korrik 1956 fillon punë në Teatrin Popullor, Estradë dhe Opera. Është një periudhë komode kjo për Ganiun mes atyre yjeve të artit. Nga puna në teatër Ganiu më solli foton e mëposhtëme, ku ai qëndron hijshëm mes Mihal Popit, Drita Pelingut, Violeta Manushit dhe Kujtim Spahivoglit.
Më 5 Tetor 1970 largohet nga Teatri për të vijuar të nesërmen, më 6 Tetor në Politeknikum si Mësues Praktike në degën Elektrike. Drejtori emërmadh i Politeknikumit, i madhërishmi Ali Progri e priti krahëhapur ish nxenësin ekselent në rrafshin njerëzor dhe profesional, Gani Karajn…për të mos thënë se Ai ishte hallka kryesore e këtij transferimi nga Teatri në Politeknikum.
Në Politeknikum Ganiu erdhi në habitatin e tij, aty “shkriu” gjithë talentin e tij, duke krijuar kështu njē emër të mirë për të gjithë, kolegë, drejtues dhe nxenës. Ganiu ishte nga të paktët që gjithëpranohej si Njeri i Mirë, vlerat e virtytet e tij shiheshin si aksiomë që nuk duhej të vërtetoheshin…Ai i mbartte ato vlera dhe të gjithë ia njihnin. Ganiu ka të tijat edhe sot që i ka lënë të 90-at shumë vlera që kushdo do të donte t’i kishte…ka një komunikim dhe artikulim brilant, nje thjeshtësi e modesti të prekshme, të natyrshme, një zgjuarësi të dukshme, një zemër të gjerë e shpirt të madh.
Këto përcaktime janë intuitive dhe jo deduksion i një njohjeje të gjatë me të, por edhe pse të tilla unë jam i sigurtë që janë të gjitha të qenësishme. Nëse dikush që njeh Ganiun, ka punuar a shoqëruar me të qoftë edhe për një kohë të gjatë, do ta lexoj këtë shkrim, do të thotë : “- Po, Lad…Ganiu është edhe më shumë se kaq, Ai është Gjigand i Politeknikumit!”
Në Shtator të 1989-ës Ganiu doli në pension.
Pērpos fisnikërisë si njeri dhe si profesionist, Ganiu është i tillë edhe si familjar. Një bashkëshirt ideal, një prind i rrallë, krjues i një familje simpatike, të bekuar nga vet perëndia. Ka dy fëmijë, djalin në Gjermani dhe vajzën në Kanada. Djali ka mbaruar shkollën e tij, degën Elekrike me medalje Ari, si edhe universitetin në atë degë, ku u dipllomua inxhinjer, ndërkohë që vajza mbaroi Informatike me të gjitha dhjeta. Djali mbaroi edhe në Gjermani universitetin dhe punon si i tillë në Zigen. Ka tre djemë, të shkolluar edhe ata e të mirē si gjyshi. Vajza ka një vajzë në universitet dhe me të qëndron edhe Ganiu, në Toronto, pasi prej tre vjetësh bashkëshortja i ka shkuar në parajsë.
Për Gani Karajn sado të thuash, pësëri pak ke thēnë, por sado të thuash konvergohet në tog fjalëshin : “Gani Karaj është Njeri i Mirë.”



Burimi/Facebook


Leave a Reply