E pandehura Vlora Hyseni,
Unë që ju shkruaj jam një qytetar i Republikës së Shqipërisë, i angazhuar politikisht për të vendosur në vend dinjitetin e bashkëkombësve të mi që jetojnë në atdhe, në toka shqiptare e kudo nëpër botë. Arrestimi juaj në detyrë dhe bërja publike e detajeve të dosjes së ngritur kundër jush më turpëruan dyfish.
Fillimisht, si qytetar i një vendi ku antishteti i drejtuar nga Edi Rama paska arritur të përdhosë edhe Shërbimin Informativ Shqiptar, duke e vendosur nën patronazhimin e hajdutit Ergys Agasi, bashkë me AKSHI-n, Policinë e Shtetit, Policinë Shkencore, sistemin TIMS dhe Gjendjen Civile.
Së dyti, turpi i akteve tuaja si drejtuese dhe mbrojtëse e sovranitetit të Shqipërisë më rëndoi në konferencën rajonale të organizuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) në Malin e Zi, ku, si përfaqësues i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, isha pjesë e delegacioneve të partive parlamentare shqiptare në rajon, për kundërshtimin e ndikimit autoritar të huaj, forcimin e qëndrueshmërisë demokratike dhe identifikimin e rreziqeve strategjike.
Sa të forta duhet të ishin fjala dhe tonaliteti im përballë përfaqësuesve të partive serbe që janë zotuar për të mos njohur Kosovën dhe partive maqedonase që nuk i duan shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, që të balanconin rënien e seriozitetit të Shqipërisë? Sa bindës duhet të ishte argumenti im, kur në çdo media ishte fytyra juaj e shtrembëruar nga tradhtia që i keni bërë shtetit, si një ndër figurat kryesore që duhet të jetë simbol i vendosmërisë, seriozitetit dhe i rrezikshmërisë që vendi ynë duhet të rrezatojë tek aktorët që përbëjnë rrezik strategjik për këdo që flet shqip?
Para kësaj situate, Lëvizja Shqipëria Bëhet është më e vendosur se kurrë për të shkruar në ligj denimin me 25 vite burg, për veprën penale të tradhëtisë kombëtare për zyrtarët e lartë që shpërdorimi i detyrës cënon sigurinë kombëtare.
Ju, Vlora Hyseni, me faktet e bëra publike deri tani, rrezikoni të shpalleni fajtore për veprat penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, neni 295/a, paragrafi 1, dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, neni 302/2, me një dënim potencial deri në 12 vite heqje lirie.
Asgjë, në krahasim me cënimin e sovranitetit të shtetit shqiptar, duke ekspozuar vulnerabilitetet e Shërbimit Informativ me krimin e organizuar, që, nëse dje ishin thashetheme, sot janë fakt.
Asgjë, duke marrë parasysh që sot, kundër Luftës Çlirimtare të UÇK-së dhe kundër interesit mbarëshqiptar, një konspiracion ndërkombëtar dha rezultatet e para me Dhomat e Specializuara në Hagë, ku drejtuesit e saj kanë marrë një dënim me 25 vite burg, shumë më shumë se vetë gjeneralët kriminelë të Millosheviqit.
Asgjë, duke kujtuar se ky popull, i vjetër sa vetë historia, që në vitin 358 para lindjes së Krishtit, me përballjen ushtarake të parë të dokumentuar midis Mbretit Ilir Bardhyl dhe Filipit II të Maqedonisë, ka luftuar e ka derdhur gjak për ekzistencë. Qindra mijëra shqiptarë, e jo shqipfolës, kanë dhënë jetën në 2,348 vitet e fundit që në këto toka populli ynë të mos shpërngulej apo të shuhej.
Para këtyre 3 fakteve historike që listova më sipër, Ergys Agasi dhe Edi Rama, për të cilët ju, me sa duket, jeni e gatshme të lëshoni gjithçka, janë si një parazit në trupin e një pleshti, si në aspektin e rëndësisë, ashtu edhe të funksionit të tyre në raport me sovranitetin e rëndësinë e shtetit shqiptar.
Uroj dhe ju bëj thirrje që mbrojtjen tuaj të mos e bëni në rrafshin e tërheqjes burrë–grua, sepse kjo do t’ju shtonte një tjetër mëkat mbi shpinë. Mëkatin e rritjes së diskriminimit të vajzave dhe grave të këtij kombi që, me dinjitet, kanë marrë dhe kërkojnë përgjegjësi publike në institucionet e këtij vendi. Një dëm që ju, drejtoreshat e larta të shtetit, ua keni bërë vajzave dhe grave, kur i jeni përulur antishtetit që ju dërgonte në rresht për një te zyra e Ergys Agasit.
Kërkoni falje dhe bashkëpunoni me drejtësinë për çdo përgjegjësi penale që keni dhe çdo individ që, në dijeninë tuaj, me korrupsion, hajdutëri dhe korrupsion po gërryen shtetin nga brenda. Bëjeni këtë akt që rrobat e dinjitetit që ju zhveshi antishteti të mund t’jua veshë opinioni publik shqiptar, nëse nëpërmjet dëshmive tuaja e ndihmoni të çlirojë shtetin nga kapja e kësaj sëmundjeje.
Populli shqiptar u ka mbijetuar rreziqeve në këto 2,348 vite, sepse përtej tradhtarëve dhe hajdutëve, ka atdhetarë dhe patriotë që, brez pas brezi, do ta mbajnë popullin tonë gjallë edhe për 3,000 vite të tjera.

Burimi/Facebook


Leave a Reply