“NDËSHKIMI I SPIJUNIT”
I AUTORIT MARK ZADEJA.
Senatorja veterane e Senatit Italian me origjinë ebree, Liliana Segrè, e cila falë të madhit Zot, mbeti gjallë mrekullisht gjatë shfarosjes së familjes së sajë prej bandave naziste, shkruen: “Kujtesa e krimit të diktaturave asht vaksina kundër indiferentizmit”, çka pason me pohimin logjik se: ” Indiferentizmi asht humusi ku lenë e zhvillohet krimi”
Në kushtet e nji qëndrimi antishqiptar e antidemokratik të politikës shqiptare gjatë 31 vjetëve të së ashtuquejtunës demokraci, në proçesin e mosedukimit të brezit të ri me të vertetën historike të krimit komunist, libri ” Ndeshkimi spijunit” i autorit Mark Zadeja synon me plotësue boshllekun e krijuem qëllimisht në fushën e edukimit me të verteten e kujtesës historike, tue ndërgjegjësue brezin e ri mbi të kaluemen kriminale të diktaturës enveriste komuniste.
Ngjarja mbi tragjedinë e mësues Toninit e të familjes së tij, për brezin tim , por edhe për brezin e dytë të shqiptarëve sot, nuk përban lajm, sepse këto dy breza i kanë përjetue personalisht ato situata tragjike e imorale, por përban lajm për brezin e ri që leu në vjetët 80-të të shekullit të kaluem e mbrapa.
Gjatë përshkrimit të personazheve e ngjarjeve në liber , autori shkruen ” pa dorca”, nuk përdorë retushe e zbukurime, por i paraqet personazhet e ngjarjet ashtu si kanë qenë realisht; me të mirat e të këqijat e tyne e lexuesit krahas personazhit pozitiv, viktimës së pafajshmë, mësues Toninit e familjes së tij, i paraqiten edhe bishat komuniste pa moral që torturuen nji popull të tanë në emen të nji ideali utopik me baze urrejtjen klasore.
Pati qenë zbatue teoria leniniste: Nji popull shtrohet, përulet, bahet ” dele” kur dhuna komuniste eleminon fillimisht të pafajshmit, kryesisht në radhët e intelektualëve, klerikëve, akademikëve, ushtarakëve, tregtarëve, fshatarëve të pasun e të mesëm etj.
Filli i ngjarjeve që përshkruhen në libër nuk asht i gjatë, por autori nuk mjaftohet vetem me tregimin e tyne, por nëpërmjet ngjarjes, analizon psikologjikisht karakteret e zbërthen filozifikshit motivet që nxitën urrejtjen te nji pjesë e indoktrinueme e shqiptarëve prej teorisë komuniste, që nuk ishte gja tjeter veçse teori e dhunës dhe e urrejtjës për vëllaun shqiptar. Lexuesi njihet me prokurorët xhelatë, me spijunët e pa shpirtë dhe të poshtëm të cilët pranuen njollosjen morale të tyne, për nji privilegj mizerabel material jetik.
Nuk kemi pse me u çuditë për çka ndodhi në vendin tonë gjatë diktaturës enveriste, këto ngjarje kriminale e antihumane që përshkruhen në libër, i gjejmë gjithkund ku pati diktaturë komuniste; Rusi, Kinë, Kore, Kamboxhia, Kubë e pak ma të zbutuna në Europen lindore. Janë prodhim sistemi, janë markë i nji teknologjie përverse, që në radhë të parë ka për qëllim shtrydhjen e asgjasimin moral të sapiensit. Ballafaqohemi me nji proçes alkimik që përfshiu shoqninë shqiptare për 46 vjetë rresht ku dhuna ekstreme e gërshetueme me vorfninë ekstreme tjetërsoi moralisht karakterin e njeriut shqiptar; njëriu i ndershëm u shpall i poshtëm, sipjuni-hero, krimineli- qingj i bekuem, njeriu i zotit shejtan e shejtani u shpall engjëll.
Autori shkruen:
“Barbarët e kohës”
Pashë spijujt rrugës…
Me sy brejtës, jeshilë
N’aktet e pandërpreme, përmbi pafajsinë…
Zgjim,
kacafytun me brejtësit
Përsëri n’aktet, n’akuzat e vazhdimsisë..
Kacavarësit e ferrave të këqija,
peshkaqejt mishngranës,
n’akuariumin e jetës së mbyllun.
Aso kohe…, në heshtje
munda t’u zhvesh mendimin
Vetem me “grushtin” tim të shkrimit…
Koha i hodhi në koshin e mbeturinave
Ata…, Barbarët e kohës.
Sentenca filozofike: ” Urrejtja nuk e njeh mëshirën, asht urrejtja ajo që han vetveten”, pregatitë fundin e ngjarjeve, ndeshkimin e spijujve e keqbasëve.
Zgjidhja përfundimtare i lehet ” drejtësisë qiellore”, të cilën autori e beson shpirtnisht, sepse asht besimtar.
Mbas shumë veprimëve të damshme që i kishte shkaktue familjeve të tjera të pafajshme në emen të luftës së klasave e idealit komunist, “rrufeja e drejtësisë qiellore” bjen mbi familjen spijune”;
Selimi, kryetari i familjes i shkatërruem shpirtnisht prej izolimit shoqnor, gjen ngushëllim vetem në pije, ashtu i dejun ndërpret rrugën, nji makinë e përplasë për tokë e mbaron…
Samiu i biri prej vramjes së ndërgjegjës e vetmisë familjare, fiton kriza psiqike e nji ditë të bukur vetvrahet…!
Morali: Kush ban keq, gjen keq prej të madhit Zot!”
Ndeshkimi që vjen prej ” nalt”, asht nji dukuni frekuente në shkrimet botnore, Tolstoi, Dostojevski etj. Kjo bindje, përban nji moral pozitiv në marëdhaniet shoqnore , sepse frenon , në nji farë masë, veprimet e damëshme në shoqni. Kjo psikologji shoqnon njeriun qysh në fillimet e jetës kolektive, kur ai besonte te perendite e para, dielli, zjermi, era etj., por me strukturimin e feve monoteiste merr formë , si ma thane, të ligjërueme. Pa hedhë poshtë idenë e ” drejtësisë qiellore” si formë idealiste e ndeshkimit, me lindë dëshira me pyet:
A ndodhë kjo në realitetin e jetës tonë?
Eksperienca e jetës na thotë se jo! Të tanë ne , që jemi në kët sallë, mundemi me dhanë shëmbuj të shumtë të cilët tregojnë se familjet, fëmijte e kriminelave komunistë, sot jetojnë të lumtun e me mirëqenie, po atëherë cila duhet me qenë rruga për edukimin sa ma optimal të shoqnisë njerëzore?
Fjala e urtë popullore , që ta tanë e dijmë:” Zoti na këshillon: rueje veten pak, për me të ruejtë unë shumë” na orjenton drejt veprimit logjik që duhet me ndjekë nji shoqni shoqnore për me qenë e shndetshme.
Personalisht e gjej zgjidhjen te sentenca e historianit të mirënjohun Uran Butka, i cili në librin e tij monumental ” Ringjallja” shkruen:
” Dënimi i krimit asht akt kulture, krimi në çdo kohë duhet të ndëshkohet, përndryshe të ndëshkon, sidomos kur naltësohet në sistem, institucionalizohet e pranohet ashtu si ndodhi gjatë rregjimit komunist, ai ndëshkoi e përgjaku nji popull të tanë. Duhet me e denoncue e ndeshkue gjenocidin e krimin komunist, përndryshe nuk munde të flitet për demokraci e pajtim social e nuk mundemi me parandalue krimin në të ardhmen”-
Përfundoj tue falënderue z. Mark Zadejën për publikimin e veprës ” Ndeshkimi i spijunit” s’bashku me urimin e vazhdimit të aktivitetit të tij letrar ne fushën e kujtesës historike të krimit komunist.
Shkodër, 05.11.2022
F.G.



Burimi/Facebook/PRO GEGNISHTES/


Leave a Reply