Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (1797-1801)
Ai ishte avokat i shquar. Me mendjemprehtësinë dhe fjalën e tij bindëse kontribuoi në çështjen e pavarësisë së kolonive amerikane nga Anglia. Si diplomat në Evropë, përsa i përket suksesit, ai vinte i dyti pas Benxhamin Frenklinit.
Xhon Adamsi (John Adams) lindi në 19 tetor të vitit 1735 në Baintree (sot Quincy) Masaçusets. Në rininë e tij ai vendosi të ndiqte studimet për avokaturë duke menduar se ajo degë do t’i jepte njohje e famë. Xhon Adamsi i ndoqi ambiciet e tij gjithë jetën. Historiani Riçard Morris shkruan se Xhon Adamsi vazhdoi arsimimin e vetarsimin e tij gjithë jetën.”
Ai ishte lexues i palodhur dhe një koleksionist i madh librash. Dhjetë vjet të praktikës së tij si avokat e ndihmuan që rreth vitit 1771 të ndërtonte një bibliotekë të madhe. Ai porosiste në Londër çdo libër apo pamflet që dilte e kishte të bënte me qeverinë apo ligjet. Biblioteka e Xhon Adamsit me 3000 tituj përfaqësonte radhën e gjerë të interesave të tij. Si avokat i shquar, emri i Xhon Adamsit është i lidhur me atë që ka hyrë në histori si Masakra e Bostonit, 5 marsit 1770, kur Xhon Adamsi me reputacion të madh si avokat, duke respektuar ligjet, mbrojti ushtarët britanike (kapotkuqtë) duke shkaktuar zemërimin e qytetit. Gjithë jetën e vet Xhon Adamsi e kujtonte këtë gjyq si “shërbimin më të mirë që i kam bërë vendit tim (Amerikës). Kjo, pasi i tregoi Anglisë dhe Evropës që edhe në kolonitë, të cilat konsideroheshin si inferiore, vepronte ligji”.
Xhon Adamsi ishte figura kryesore në lëvizjen revolucionare në Masaçusets, vatra e nxehtë e luftës së kolonive kundër Anglisë. Xhon Adamsi luftoi kundër ndërhyrjes së Britanisë në punët e kolonive. Në shkrimet e tij ai argumentonte që Anglia nuk kish të drejtë morale dhe ligjore për të qeverisur kolonitë e Amerikës. Në një artikull të firmosur “novanglus” ai deklaronte se Amerika nuk ishte pjesë e Anglisë dhe Amerika duhet të ngrihej në luftë kundër shtypjes angleze. “Ne nuk do të qëndrojmë pasivë e të presim derisa të na therin. Ne do ta mbrojmë jetën tonë derisa Zoti të na japë fuqi”- shkruante ai.
Xhon Adamsi u martua me Abigal Smith të cilën për nga inteligjenca e vlerësonte të barabartë me veten e tij. Në letrën që ajo i dërgonte të shoqit kur ai ishte në mbledhjen kushtetuese në Filadelfia, e porosiste të mos harronte “gruan dhe të drejtën e saj për të gëzuar frytet e Kushtetutës, pasi edhe ajo qe pjesë shoqërisë”. Në këtë pikëpamje Abigell madje ishte më e avancuar se i shoqi. Abigali ishte gjithashtu një grua trime që i qëndroi në krah burrit të saj si partnere besnike, pa iu dridhur qerpiku.
Si delegat i Kongresit kontinental, Xhon Adams u bë figurë kyçe në krijimin e bindjeve të delegatëve në marrjen e dy vendimeve kryesore: emërimin e Xhorxh Uashingtonit kryekomandant i ushtrisë kontinentale dhe caktimin e Tomas Xhefersonit për përpilimin e tekstit të Deklaratës se Pavarësisë. Natyrisht kjo e fundit për rezultatin e jashtëzakonshëm që pati dhe famën e madhe që i dha Xhefersonit si autor i saj, e bëri xheloz Xhon Adamsin dhe la një krisje në miqësinë midis dy burrave të mëdhenj e cila u riparua plotësisht në vitet e fundit të jetës së tyre.
Xhon Adamsi, brenda në shpirt ruante rezerva se kishte bërë më shumë për vendin se sa meritat që i atribuoheshin. Si zëvendëspresident i parë i SHBA, ai shërbeu nën Xhorxh Uashingtonin dy legjislatura dhe pas tij u zgjodh president. (Xhorxh Uashingtoni nuk pranoi të zgjidhej për të tretën herë). Si zëvendës president, duke mos qenë gjithnjë i ftuar në marrjen e vendimeve, ai është shprehur për rolin e këtij posti se është “puna më e parëndësishme që ka pjellë ndonjëherë imagjinata njerëzore”. Gjatë presidencës se tij Xhon Adamsi u kritikua nga të dy palët, nga federalistët dhe nga republikanët. Partia federaliste, që ai përfaqësonte, po shkatërrohej. Problemet me Francën u bënë shqetësuese. Atë kohë francezët i konsideronin anijet amerikane armike dhe kur ndesheshin me to në ujërat e Evropës i konfiskonin. Presidenti Adams dërgoi një grup përfaqësuesish nga të dy partitë për t’u marrë vesh me Francën.
Qeveria franceze refuzoi t’i priste përfaqësuesit e SHBA, por nga ana tjetër tre zyrtarë të lartë francezë hyjnë në bisedime duke kërkuar një shumë të madhe dollarësh si kusht për të zgjidhur çështjen. (Kjo ka hyrë në histori si “aferi XYZ”). Ky incident i zemëroi federalistët me në krye Hamiltonin të cilët i kërkuan presidentit t’i shpallte luftë Francës. Vendi i zëmëruar deklaroi “Miliona për mbrojtjen, as një cent për bakshish”. Mirëpo presidenti Adams, u përmbajt. Ai dërgoi një delegacion tjetër për bisedimet me Francën dhe lufta u evitua. Më 1800, Xhon Adamsi humbi zgjedhjet për turin e dytë presidencial. Në vend të tij u zgjodh Tomas Xhefersoni, zëvendëspresidenti, me të cilin ishte kundërshtar politik.
Ai u kthye në fermën e tij në Quincy, Masaçusets. Ai jetoi edhe 25 vjet të tjera pas asaj dite duke iu gëzuar rritjes se reputacionit të të birit, Xhon Kuinsi Adams, deri në zgjedhjen e tij si president i SHBA. Këto qenë edhe vitet e ripërtëritjes se miqësisë me Tomas Xhefersonin. Që nga viti 1812 e 14 vjet të tjera rresht, deri në fund të jetës së tyre dy burrat e mëdhenj i shkruan pareshtur njëri-tjetrit. Midis tyre u shkëmbyen 160 letra. Për ironi të historisë të dy burrat vdiqën në të njëjtën ditë, në 4 Korrik 1826, ditën e 50 vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë për të cilën dhanë kontribut të jashtëzakonshëm.
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani



Leave a Reply