Shënim i muajit shtator – 2022Për ju të dashur miq e adhurues të prozës së gjatë artistike!
Manushaqja, një vajzë e thjeshtë, e dashur, e dëlirë dhe e padjallëzuar, vinte nga një familje punëtorësh nga qyteti i Durrësit. Që e vogël, e rritur nën kujdesin e vazhdueshëm të dy prindërve të devotshëm, do të ishte kanakarja e preferuar e shtëpisë. Fytyra e saj engjëllore dhe angazhimi i saj i parakohshëm në gjirin e familjes e shoqërisë, e bënë të ishte shpejtazi qendra e vëmendjes dhe modelin e vajzës që duhej ndjekur në jetë. Një fëmijë të tillë do të donin ta kishin të gjitha familjet shqiptare. Por vetëm fisi Dako e pati atë fat të mrekullueshëm. Ndonëse s’e kishte me qejf shkollën, çuditërisht pasioni i saj i vetëm ishte të lexonte libra. Dhe jo në libra në përgjithësi, por vetëm romane. Rastësisht “Aventurat e Tom Sojerit” u bënë rrëfimet e saj me të dashura. Ishte Mark Tuen që me tregimet e tij të famshme, do të bëhej autori që ngjizi tek Manushaqja e brishtë dëshirën e fortë për gjininë e romanit.
Që prej asaj ditë, ajo s’i ndau për asnjë çast sytë e bukur nga leximet. Po nëse do të mbetej me aq, me të drejtë do të quhej një lexuese e zellshme, dhe vetëm kaq. Mirëpo me kalimin e viteve, pasioni i saj u thellua më tej, qëkur kuptoi aftësinë që zotëronte në përshkrimin e ngjarje të ndryshme. Krahas leximit, vogëlushja Manu filloi të mendonte edhe për shkrimet, të cilat zuri t’i hidhte në formë skicash, e më pas si tregime të vogla, derisa një ditë do të hynte në galaktikën e vëllimshme të prozës së gjatë artistike.
E ndërsa vazhdonte të lexonte me ritme të shfrenuara, një ditë nisi të shkruante romanin e saj të parë. Një rrëfim i cili mori hove të mëtejshme e zhvillime të papritura një ditë të bukur pranvere, teksa udhëtonte me trenin e linjës Durrës-Tiranë. Shpërfillëse ndaj çdo gjëje dhe çdokujt ndërsa lexonte, në një moment pauze, ngriti kokën të çlodhte shikimin jashtë dritares se kabinës në vagonin e trenit ku ndodhej. E kur dikush e pyeti se çfarë po lexonte, vetëm atëherë, për herë të parë në jetën e saj, ndjeu zemrën t’i rrihte me vërtik nga një ndjenjë e fortë dhe e thellë, të cilën e përjetoi vetëtimthi në pak fraksione të sekondës. Djaloshi i bukur përballë, rrëmbyesi i zemrës së saj quhej Ilir Toska. Nga ai çast fatal, jeta e dy të rinjve pësoi një kthesë të befasishme. Dy fate njerëzore morën udhë nga ai takim i rastësishëm, ndoshta i parashikuar vetëm nga Providenca.
Dashuria e tyre u shfaq thellësisht romantike, me shikimin e parë. “Rrufeja” dashuri qe shkarkuar në shpirtrat e tyre me një forcë goditëse të paimagjinueshme, aq sa dy të rinjtë premtuan dashuri të përjetshme. Mirëpo Iliri vinte nga një familje e fisme që nuk pranonte dallime në shtresën shoqërore, arsye për të cilën e kundërshtoi fuqishëm dashurinë e djalit të tyre, të cilin donin ta martonin me një vajzë të fisme e të kamur. E si të mos mjafton kjo, familja Toska do të transferohej në Rusinë e largët me një mision të posaçëm nga udhëheqja e lartë e shtetit. Çfarë do të ndodhë me jetët e tyre pas shpërnguljes në tokë të huaj të familjes Toska, ndërkohë që Manushaqja dhe familja e saj prisnin kurorëzimin e një prej dashurive më sublime të kohës?
Me dashurinë time të pamasë për Ju, Amedeo.
Burimi/Facebook


Leave a Reply