Armand Mero
Në Shqipëri, parlamenti dogji dhe raundin e tretë të votimit për presidentin e ri, në mungesë të një kandidature. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, tha se ishte një shans I humbur për t’i dhënë legjitimitetin e duhur institucionit ët kreut të Shtetit, duke fajësuar për këtë socialistët.Këta të fundit fajësuan demokratët të cilët sipas tyre nuk shfrytëzuan mundësinë për të propozuar një emër. Në dy raundet e fundit socialistët nuk kanë asnjë pengesë për të zgjedhur një emër të propozuar prej tyre, duke qenë se mjafton shumica e thjeshtë e deputetëve.
Për herë të tretë parlamenti u mblodh vetëm për të respektuar formalisht procedurën, duke konstatuar mungesën e një kandidati për president. Në sallë mungonte një numër i madh deputetësh demokratë, kryesisht ajo pjesë që kishte mbështetur angazhimin e kryetarit të grupit Enkelejd Alibeaj në procesin për zgjedhjen e kreut të Shtetit.
Zoti Alibeaj tha më vonë se shumica nuk i qëndroi marrëveshjes, për të cilën siç u shpreh, kishte dhënë dakortësinë. Sipas tij, u dëshmua se deklarimet e sociaistëve për një president mbi palët kishin qenë një hipokrizi. “Humbëm një rast për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një institucion i cili do të duhet të kishte legjitimitetin e palëve, që do të ishte garancia që më vonë të ishte i tillë, sa herë të kishte joshje, shantazhe, do të ishte sfida politike, për aq sa presidenti i Republikës ka, të qëndronte në mënyrë serioze, në lartësinë e detyrës”
Por nga ana e tij, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla, fajësoi demokratët që nuk paraqitën qoftë dhe një emër në të paktën dy raundet e fundit. Tanimë ata mund të zgjedhin të vetëm presidentin e ri të vendit, duke qenë se në dy raundet e mbetura, mjafton shumica e thjeshtë prej 70+1 deputetësh. Pavarësisht kësaj, zoti Balla u shpreh se “ne do vazhdojmë të kërkojmë komunikim dhe dialog me të gjithë deputetët e grupeve parlamentare të opozitës, për të siguruar një mbështetje sa më të madhe dhe konsensuale për zgjedhjen e presidentit”.
Socialistët pritet të mbledhin kryesinë për të diskutuar mbi kandidatin e mundshëm dhe më pas grupin parlamentar. Me gjasë ata do të kërkojnë që votimi në raundin e katërt të zhvillohet në kufirin maksimal të kohës, të hënën e ardhshme, edhe sepse, kryeministri Edi Rama, ka fluturuar drejt New York-ut. Shqipëria merr më 1 qershor presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe ai pritet të drejtojë një ditë më pas debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare.
Ndërsa do të duhet të zgjedhë presidentin e ri të vendit, parlamenti mbajti sot një minutë heshtje në nderim të ish kreut të Shtetit Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta të shtunën. Trupi i tij pritet të mbërrijë nesër nga Gjermania, ku ai gjendej i shtruar në spital prej disa javësh.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply