SHKRUAR NGA JULIA VRAPI
Trashëgimia muzikore është vlerë e një kombi, por sot problemet me të cilat përballet krijimtaria nuk janë pak. Për kantautorin e njohur Sajmir Çili problemi sot është në humbjen e identitetit të këngës shqip. Reagimi i kantautorit Çili është në vijim dhe të artistëve të tjerë, që janë shprehur gjatë kësaj kohe për përfaqësimin e Shqipërisë me këngën “Sekret” në “Eurovison”, një perfomancë që ka ngjallur shumë diskutime. Kantautori Sajmir Çili përmes një komenti të tij shprehet se ka dhe muzikantë e “këngëtarë”, që bëjnë atë që do publiku i rëndomtë për para. Me problemet që has sot muzika dhe kënga shqiptare me prurjet e ndryshe në skena, Çili shprehet se po deformojnë adn e një kombi.“Çfarë ndodh me artin dhe muzikën? Shumica e muzikantëve dhe “këngëtarëve” bëjnë atë që do publiku i rëndomtë për para dhe sigurisht kjo i bën të “famshëm”, ndjehen të pëlqyer nga masa dhe sigurisht me fitime marramendëse. Mos harrojnë paratë merren sot e harxhohen nesër, (e dinë vetë vazhdimin) e s’ju bëjnë derman në botën tjetër. Kultura dhe trashëgimia muzikore kulturore mbeten vlerë e vyer e një kombi. Me keqardhje këtë po e bëjnë dhe disa artistë të mirë të muzikës shqiptare. E me bindje them po prishni dhe deformoni adn e një kombi”, shprehet ndër të tjera Sajmir Çili kantautor.
Humbja e vlerave artistike
Muzika sot po shihet më shumë për fitime parash, duke lënë pas dhe vlerat artistike. Për kantautorin e njohur Sajmir Çili, i cili dhe më parë është shprehur për problemet, sot me këngët nuk po ka më identitet. “Nuk ka më “muzikë shqiptare” identitet shqiptar, por “tregu muzikor shqiptar”. Muzika shihet si mjet i shpejt fitimi të parasë, paçka se bën muzikë cilësore brenda rregullave që muzika ka (që i mëson në shkollë, apo jo), apo bën atë që do masa të dëgjoj në emër të shijes personale”, shprehet kantautori Çili më tej, në një status të tij në Facebook. Kantautori vijon se publikut po i serviren këngë ku ndihet mungesa e profesionalizmit. Sajmir Çili shton më tej se artin e bëjnë elitat dhe masa kulturohet përmes elitës së shkolluar. “Problemi është më i thellë në humbjen e identitetin të këngës shqip. Në emër të “modernizmit” po i serviret brezit të ri dhe publikut shije vulgare pa asnjë lloj profesionalizmi dhe për më tepër moda e të fituarit para pa u shkolluar e pa derdhur djersë. Sa keq për fëmijët tanë ku po rriten dhe edukohen. Artin e bëjnë elitat jo masa, masa kulturohet nëpërmjet elitës profesionale të mirëshkolluar. Gjithsesi mund të them që ka dhe publik që ka shije muzikore të mira. E natyrshëm lind pyetja; A ka “prostitucion” artistik muzikor në hapësirën shqipfolëse e më gjerë?”, thotë kantautori Sajmir Çili. Më parë kantautori Sajmir Çili ka folur dhe për festivalin e këngës në RTSH. Në një opinion të tij ka shprehur se RTSH duhet të bëj një audicion dhe event tjetër muzikor nga ku të zgjedhë këngë fituese për përfaqësimin e Shqipërisë në “EuroSong”. Sipas tij, festivali duhet të mbetet festivali i këngës shqipe.
Burimi/sot.com.al


Leave a Reply