Një ekspozitë me temën e Luftës së Dytë Botërore, është hapur këto ditë në Australi, në kryeqytetin Canberrë. Në të janë ekspozuar pikturat dhe vizatimet që paraqesin pamje të tmerrshme nga Holokausti në Gjermani.
Alan Moore, është i vetmi artist australian i periudhës së Luftës së Dytë Botërore, i cili ka qenë dëshmitar i çlirimit të kampit nazist të përqëndrimit Bergen-Belsen. Krijimet sjellin imazhe të paharrueshme nga fushat e betejës dhe nga Holokausti.
Alan Moore ishte pjesëtar i Forcës Ajrore Mbretërore të Australisë në vitin 1942 dhe një vit më pas ai u emërua artist zyrtar i luftës. Mbresëlënëse janë vizatimet dhe pikturat e tij të ekipeve të bombardimit, të të burgosurve të luftës dhe të njerëzve që qëndruan të fshehur nga mizoritë e luftës.
Në vitin 1945 Alan Moore shoqëroi trupat britanike në marshimin e tyre mespërmes Evropës së pushtuar dhe në prill të po atij viti ai ishte me trupat që çliruan kampin e përqëndrimit Bergen-Belsen në Gjermani. Pikturat e Alane Moorit janë ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Ushtrisë në Canberrë dhe ekspozita do të qëndrojë e hapur për një vit.
Per”Globi – Shqip” Shkodrani
Leave a Reply