Nga Bledi Mane- Public Enemy
1./Prilli i thyer i opozitës
Fushata megjithëse nisi herët, ishte fantastike. Për herë të parë një program i punuar e i studiuar me detaje i ofrohej elektoratit nga ku bëhej dallimi i qartë qeverisje e djeshme-qeverisje e nesërme. Ndryshe nga bajatizmi 23 vjeçar elektoral, kësaj here flitej më qartë për ekonominë e financat dhe opinioni publik u josh duke bërë hesape jo për shitjen e çmendur sporadike të votës. Qeveria u kap gafil dhe në mënyrë emergjente kopjonte pa pikë turpi çdo iniciativë që servirte opozita. Ngjyra e purpurt u shkonte për shtat tryezave të rrumbullakëta me specialistë dhe grupe interesi, ndërkohë që paqësisht po vihej re një reflektim organik i elektoratit gri. Pa zullume dhe fishekzjarre, pa çingije me cica plastike, pa tallava nëpër këmbë, pa bodyguard-ë të ngrysur pas shpinës së kryeopozitarit, me një modesti dhe racionalitet të regjur e trendy, opozita socialiste po konturohej bukur si qeverisja e së nesërmes.
Ndërkaq prozhektorët fiken.
Nuk i fiku Dollapi i CEZ-it për hakmarrje, nuk u stakuan nga faturat e papaguara. Thjesht një defekt serioz bëri që shfaqja të lihej në mes…
Do e rimbursojë ndokush audiencën gjigande në numër?
Elektricisti Ilir Meta, i ngjitur në shtyllën e opozitës, bëri masë. Preu qindra dhe mijëra tela lidhjeje dhe blackout-i spërkati vendin. Tek-tuk ndizet ndonjë flakë qiriri po shuhet, porsa pëshpëritet dhe ofshahet për korrupsionin galopant, 21 janarin, pabesinë, mandatin e Tiranës, videoregjistrimin. Kurrkund nuk nuhatet besim te plangprishësi Meta.
Frika u institucionalizua brenda opozitës dhe skepticizmi për të mbrojtur votat dhe fitoren, triumfoi mbi ngërdheshjen e lësëisë.
-Erdhi koha, puthmani bythën!-pëshpëriti Meta qysh vjet në verë dhe tashmë ndjehet më komod.
Brenda PS-së, çarja e madhe e fillimprillit i trefishohet sakrificës për fitoren e zgjedhjeve.
Përkarshi një Berishë porsi Mick Jagger që rrudhet e plaket, por nuk i shterron adrenalina për pushtet dhe diktat. Në krah Ilir Meta me një dorë në bakllava(PS) e një në revani(PD) që nuk kthehet më kurrë në opozitë sikur edhe një mandat të fitojë. Mes veti një Parti Socialiste tashmë e fragmentarizuar dhe e hallakatur. Një KQZ gjasme e blinduar socialisht, por 500 metra më larg një Kolegj Zgjedhor që të bën gjëmën me vendime të servirura nga Rusmali dhe Bylykbashi.
Optimizëm i zbehtë me 200 mijë vota avantazhi, por kalkulime të gabuara pa marrë parasysh as rrjedhjet në pritje të socialistëve të thekur idealistë dhe as “elektoratin e dilemës”.
2./ Rri dot qeni pa ngrënë…
Elektricisti Ilir Meta, mbetur majë shtyllës, po e bën momentalisht gjëmën psikologjike e shpirtërore dhe mund ta bëjë edhe pas fitores së sforcuar por të sigurt në fundqershor. Të jemi koshientë që Meta nuk zbret nga shtylla kollaj, por koshiencën duam ta përforcojmë me automatët dhe sahatet që do instalohen më vonë poshtë shtyllës. Do kemi një LSI që do vazhdojë të bëjë rezil me vjedhje dhe korrupsion qeverisjen Rama apo ky i fundit do të reagojë si një inxhinier i zoti t’u vërë fre abuzimeve?
Faktikisht nuk ia kam frikën për menaxhim punësh Edi Ramës. Problemi me të ka qenë gjithmonë se nuk e merr dot pushtetin, megjithëse ka pasur shumicën e votave. Kësaj here e kishte nisur bukur dhe na joshi paraprakisht, por frika dhe pasiguria nuk i ndahen, ndaj e ngjiti Ilir Metën në shtyllën e PS-së pa paralajmërim.
Ah mor Ed, Ed!
Ti je vetë i gjatë mor burrë dhe s’kishe nevojë për Metën. Megjithatë kur fashitja të bëjë punën e vet, gjej rastin që gjatësinë ta shfrytëzosh për ta zbritur Metën nga shtylla, por pa i ofruar shkallë.
Gëzuar fitoren pa kripë të 23 qershorit, por duhet kujdes: Këta të LSI-së nuk i largohen lehtë hajnisë dhe allishverisheve pavarësisht se kësaj here do tentojnë të bashkëqeverisin si murgjër puritanë. Disa prej tyre janë si qeni e nuk rrinë dot pa ngrënë mut.
*facebook.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE
Tema
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply