Pas mbledhjes së Kryesisë, Lulzim Basha tha se asnjë deklarim i dalë nga ai që e quajti ‘tubim’ nuk ka asnjë lidhje me PD dhe institucionet e zgjedhura të saj. Ai tha se Kuvendi Kombëtar i PD do të mbahet më 18 Dhjetor, ku sipas tij demokratët do lenë pas pjesët e hidhura të së shkuarës dhe mbeturinat e komunizmit.
“Siguroj të gjithë demokratët që institucionet e PD duke nisur nga Këshilli, Kryesia, Kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës në përmbushje të statutit. Demokratët do të mblidhen në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga kryesia e partisë më 18 Dhjetor, ku do diskutojnë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e tyre jo për hallin personal të Berishës. Në 18 Dhjetor PD, demokratët shqiptarë do lenë pas pjesët e hidhura të së shkuarës bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit, drejt ndryshimit që meriton çdo demokrat dhe çdo shqiptar”.
Basha po ashtu njoftoi se Kryesia kishte vendosur thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar, të dielën. Në këtë mbledhje pritet shkarkimi i kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të statutit të PD dhe vendimit të kryesisë së datës 15 Nëntor.
“Kryesia e PD ka vendosur thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër e diel, 12 Dhjetor ora 15:00 me këtë rend dite. 1 diskutimi dhe miratimi i një rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria antistatutore që dëmton rëndë interesat politike dhe elektorale të PD. 2. Miratimi i propozimit të kryesisë për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të statutit të PD dhe vendimit të kryesisë së datës 15 Nëntor. Kryesia vendosi shkarkimin e disa kryetarëve të degëve. Kryesia ngarkoi sekretariatin ekzekutiv për të vënë para përgjegjësisë ligjore dhe penale të gjithë personat përgjegjës për falsifikimin dhe shpërdorimin e simboleve të PD. Nesër me atributet e mia si kryetar do t’i njoftoj Këshillit Kombëtar të PD edhe vendimet e mia sa i takon disa funksioneve të tjera të shpërdoruara në këtë proces”, tha Basha.
Burimi/tvklan.al


Leave a Reply