Kryeministri Edi Rama ka bërë dozën e tretë të vaksinës anti-Covid dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit.
Duke folur për gazetarët nga ambientet e stadiumit “Air Albania”, Rama paralajmëroi se mund të vijë dita që nëpunësit civilë dhe pronarët e dyqaneve mund të mos lejohen të shkojnë në punë nëse nuk kanë pasaportën e Covid-19.
“Prandaj ju them nëpunësve që të vaksinohen sepse mund të vijë momenti që të mos shkojnë në punë dhe po u ndaluan të shkojnë në punë nuk do paguhen. U them atyre që kanë të bëjnë me hapësira publike, të vaksinohen sepse mund të vijë momenti që nuk do lejohen të hyjnë në dyqane. U them atyre që kanë dyqane që të vaksinohen sepse mund të vijë momenti që t’u mbyllet dyqani dhe kështu me radhë të gjithë”.
Edhe për qytetarët që vijnë në Shqipëri, mund të vijë momenti, sipas Ramës, që do të duhet të jenë të vaksinuar për të hyrë në vendin tonë.
“Mund të vijë edhe vendimi që kush do të vijë në Shqipëri duhet të tregojë që është i vaksinuar dhe nuk do lejohen të hyjnë të pavaksinuar në Shqipëri për të bërë pushime këtu”.
Edhe për studentët, Rama bëri të njëjtin paralajmërim.
“Edhe në Universitete, studentët të vaksinohen se mund të vijë momenti që nuk do lejohen të hyjnë”.
Kreu i qeverisë sulmoi të gjithë ata persona që janë kundër vaksinimit dhe sipas tij bëjnë teori konspiracioni.
“Unë nuk e kuptoj dot se si në shekullin XXI nuk mund t’i besohet shkencës, por u besohet disa sharlatantëve e disa delirantëve nëpër internet që shpërndajnë teori konspiracioni. U është mbyllur goja të gjitha mediave të botës, nga Amerika në Australi e deri në Islandë e u është hapur goja atyre që s’kanë asnjë lidhje me shkencën, humanizmin, shëndetin publik. U është mbyllur goja, apo më saktë po flasin për t’u vaksinuar gjithë akademitë e botës edhe po flet kundër vaksinës një lumë konspiracioni nëpër Facebook e nëpër internet.
Kjo është skandaloze dhe e turpshme. Mbi të gjitha është të fyesh inteligjencën tënde dhe në vend t’i besosh shkencës që janë faktet para nesh që humbasin jetën njerëzit, sepse vaksina nuk të mbron nga infektimit, të mbron nga vdekja, çfarë mund të thuhet tjetër sot përveç se vaksinohuni. Ne kemi bërë çmos që të mos ngarkojmë psikologjikisht dhe të mos stresojmë sektorët e jetës këtu në vendin tonë, por nuk mundet dot ta lëmë këtë situatë në rrjedhje të lirë të dali ku të dali”.
Kryeministri Edi Rama merr dozën e tretë të vaksinës
Kryeministri Edi Rama ka injektuar sot dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19. I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Rama është paraqitur në pikën e vaksinimit tek “Air Albania” dhe ka injektuar dozën e tretë.
Ai pas marrjes së dozës ka bërë thirrje për vaksinim dhe ka thënë se vetëm kështu mund të shpëtohen jetë dhe të marrë fund pandemia.
Ndërkohë sot është marrë vendimi që të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç mund të injektojnë dozën e tretë të vaksinës.
Burimi/tvklan.al


Leave a Reply