Ish-Kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbledhur 4200 firma për të thirrur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, përmes të cilit kërkon të shkarkojë kryedemokratin Lulzim Basha.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se 4200 formularët do të depozitohen në selinë e Partisë Demokratike, te kryetari i Këshillit Kombëtar të partisë, Edi Paloka.
“Delegatët e Kuvendit Kombëtar firmosën masivisht formularin e dorëzuar për të thirrur në ditën e themelimit të PD, Kuvendin, por Kuvendin që do bëjë Shqipërinë me opozitën më fitimtare që ka patur ndonjëherë.
Në respekt për publikun, këtu kemi sjellë 4200 formularët e 4200 delegatëve të Kuvendit të PD nga 1800 që është detyrim statutor për të thirrur këtë Kuvend. Po pse shkuam kaq shumë? Për të respektuar vullnetin e shumicës. Këtu përpara kemi një shumicë. Jo vetëm të PD, por de facto të Shqipërisë. Kjo është shumica e njerëzve të lirë.
Grupi përfaqësues i firmëtarëve ka vendosur që këto formularë historikë të rithemelimit të pluralizmit politik t’i depozitojë në selinë e PD. T’i depozitojë tek kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, z.Edi Paloka. Do thoni po pse? Në forumet e PD për dramën e kësaj partie, i vetmi forum brenda saj i konstitutuar pas kuvendit është Këshilli Kombëtar. Pengkryetari nuk ka mbledhur akoma kryesinë e PD.
Se ai ka frikë tani, ka tmerr nga forumet. Për këto arsye depozitohen pranë kryetarit të Këshillit Kombëtar. Por me garancinë e plotë se do ruhet privatësia e të dhënave personale, pasi formularët këtu kanë jo vetëm gjeneralitetet, por kanë edhe numrin e kartës së anëtarësisë dhe të identitetit. Verifikimi i mandateve sipas rregullit të çdo Kuvendi, bëhet vetëm nga Kuvendi. Vetëm Kuvendi ka të drejtën të verifikojë mandatin e zonjës apo zotërisë që ka firmosur formularin”, deklaroi Sali Berisha.
Burimi /tvklan.al


Leave a Reply