(V:O Ne foto Autori i shkrimit )
Përshëndetje miqtë e mi!
Rutina e “Facebook”-ut në rastet më të shpeshta na gjen të përfshirë me opinione e komente për ngjarje “të mëdha”, kryesisht politike. Realisht, por edhe historikisht, politika na ka marr dhe na merr ende një kohë të konsiderueshëm të diskutimeve tona edhe këtu në këtë platformë komunikimi… Gjë e keqe apo e mirë kjo, nuk është momenti për këtë diskutim, por një gjë është e sigurt, pa dashje harrojmë që kjo platformë rëndom quhet “rrjet social”, e cila nënkupton që në bisedat, diskutimet, mendimet, vlerësimet, pse jo edhe debatet, një vend të rëndësishëm duhet ti kushtojmë njëri-tjetrit… Sepse çfarë kuptimi ka që ftojmë, apo pranojmë ftesat e ndërsjella reciproke për “miqësi”, këtu në “Facebook”…, por “miqësi” njëri-tjetrit nuk i ofrojmë.
Nuk do kisha marrë mundimin të bëja këtë hyrje, apo për më tepër të shkruaja këto radhë, sikur pak ditë më parë të mos isha i ftuar në një drekë nga miku im i vyer, mjeku i mirënjohur Kirurg-Urolog Bedri Mihaj. Ftesa dhe dreka e tij kishte një domethënie shumë të madhe e shumë të rëndësishme, personalisht për atë, sigurisht edhe për familjen e tij. Ai festonte marrjen e titullit më të lartë akademik, “Profesor”. Shumë më herët, në vitin 1999, miku im Bedri Mihaj kishte marrë edhe gradën më të lartë shkencore “Doktor i Shkencave”. Natyrisht në atë drekë, gëzimi dhe lumturia e tij nuk kishte si të mos përcillej te të gjithë ne, të ftuarit e tij, kolegë, miq e shokë të fushave të ndryshme… Dhe unë, për aq sa kam shkruar në hyrje të këtyre radhëve, nuk mund ta përcjellë edhe te ju “virusin” e gëzimit dhe lumturisë me të cilin “Profesor Doktor” Bedri Mihaj më “infektoi” edhe mua…
***
Karriera e mjekut Bedri Mihaj, të lindur në 15 dhjetor 1957 në Cakran të Fierit, duke sikur u parashkrua që në vitin 1976, kur ai mbaroi shkollën e Mesme Mjekësore në Vlorë, dega ndihmës-mjek, me rezultatin më të larë, notën mesatare 10. Në vitin 1982 përfundoi Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Mjekësisë, dega Mjekësi e Përgjithshme.
Për të mbërritur te titulli “Profesor”, titulli më i lartë akademik për mësimdhënësit në arsimin e lartë universitar, Bedri Mihajt i janë dashur vite të shumta, jo vetëm pune, por edhe studimi e specializimi edhe në universitete të njohura, jashtë Shqipërisë.
Pas mbarimit të Universitetit Bedri Mihaj filloi punë Spitalin e Divizionit të Vlorës, ku deri në vitin 1990 shërbeu edhe si Shef i Shëndetësisë së këtij spitali. Kësaj periudhe i përket edhe specializimi pasuniversitar për Kirurgji të Përgjithshme. Me fillimin e viteve ’90, për mjekun e mirënjohur fillon edhe një erë e re specializimi i e kualifikimi për Urologji në Spitalin Ushtarak të Padovas në Itali, Spitalin Ushtarak Val De Grace, në Paris, Francë (1999), në Spitalin Ushtarak të Aviacionit, në Athinë, Greqi etj.
Në vitin 1999 mbrojti Doktoraturën pranë Fakultetit te Mjekësisë dhe mori titullin “Doktor i
Shkencave Mjekësore”. Që nga viti 1991 – 2003 ka qenë mjek Kirurg-Urolog në
shërbimin e Kirurgjisë, pranë Spitalit Universitar Qendror të Ushtrisë (SUQU). Ndërkohë nga viti 2003 – 2006 ka mbajtur edhe detyrën e Shefit të Shërbimit te Kirurgjisë në SUQU. Nga shtatori i vitit 2006 deri në tetor 2013, ka mbajtur e detyrën e lartë të Drejtorit të Përgjithshëm të SUQU-së.
Pjesë e kësaj aftësi të veçantë në fushën e tij, janë edhe pjesëmarrja në konferenca ndërkombëtare shkencore, numri i botimeve në periodikë shkencorë, vendorë e ndërkombëtarë i shumë artikujve, apo edhe vitet në mësimdhënie, etj.
Prej vitit 1992 ai është anëtar dhe pjesëmarrës në të gjitha konferencat e Shoqatës Ndërkombëtare
të Urologjisë (EAU) dhe Shoqatës Urologjike të Ballkanit. Bedri Mihaj ka një numër të
konsiderueshëm Paraqitje dhe Abstrakte si dhe artikuj në konferencat, simpoziume dhe revista mjekësore brenda dhe jashtë vendit. Brenda vendit, ai ka qenë pjesëmarrës, referues dhe bashkautor në të gjitha konferencat dhe simpoziumet mjekësore.
Nga viti 2004 e në vazhdim, Bedri Mihaj është edhe Pedagog i jashtëm i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Mjekësor, në lëndën e Urologjisë.
***
Karriera profesionale e shkencore si dhe akademike e “Profesor Doktor” Bedri Mihaj, janë njëra anë e CV së suksesshme të tij, kulmi i së cilës u shpërblye pak ditë më parë. Mjeku i mirënjohur ka edhe anën tjetër të tij, atë shoqërore, vlerat dhe virtytet e së cilës, të mëshiruara prej tij, nuk shkruhen në asnjë CV, por na bëjnë edhe ne ta ndiejmë dhe përjetojmë suksesin e tij shkencor e akademik, jo vetëm bashkë me atë, por pse jo edhe me të njëjtën kënaqësi që e ndjenë dhe e përjeton edhe ai vetë. Sigurisht, kjo është meritë e tij, në marrëdhëniet shoqërore që ai ka ndërtuar, i zhveshur nga uniforma e mjekut.
Me mjekun e suksesshëm jam njohur rreth 20 vjet më parë. Gatishmëria e tij për t’ju përgjigjur ftesës për t’ju bashkëngjitur platformës politike të PD-së i hapi rrugën miqësisë sonë. Kjo rrugë, relativisht jo e shkurtër, na ka përballur në takime e biseda, ku kemi ndarë mendime e opinione, përgjithësisht të njëjta. E vetmja fushë ku e shohim njëri-tjetrin si kundërshtarë është fusha e lojës së shahut, pasioni ynë i përbashkët, të cilin pasditeve apo mbrëmjeve ne e ndajmë me njëri-tjetrin. Gjatë këtyre lojërave, bisedat mes nesh më kanë bërë të zbuloj se Bedri Mihaj është edhe një njeri i madh human. Do thotë ndonjëri prej jush, “po je mjek, nuk ka si të mos jesh human”. Dakord jam me ndonjë opinion të tillë të mundshëm, por në këtë rast “human” për Bedri Mihajn merr vlerë edhe në qoftë se ai nuk do të ishte mjek. Mjafton të sjell një rast. Në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, në një takim në zonën e Mallakastrës midis të tjerave kujtoj se Bedri Mihaj ju drejtua pjesëmarrësve..: “Mos prisni nga unë, nesër kur të jem deputetë t’ju sigurojë ujë e drita apo t’ju bëjë rrugë, këto kërkojuani këtyre (duke treguar drejtuesit e lartë të PD-së pjesëmarrës në takim). Por në qoftë se do të keni një hall shëndetësor, bjerini derës e telefonit tim në çdo kohë”. Sigurisht ai këtë “ftesë” e bëri jo si mjek, sepse pas kësaj do të ishte deputet, por e bëri si “human”, se jo të gjithë që i binin më pas derës dhe telefonit të tij, kishin probleme urologjie…, që mund tua zgjidhte deputeti… Dhe sot, nuk gjen askënd, jo në Mallakastër, por as në Fier e Patos, në gjithë qarkun e Fierit të paktën, që të ankohet se Bedri Mihaj, nuk e ka ndihmuar për ndonjë problem të mundshëm shëndetësor, me ndërhyrjet e rekomandimet e tij, te mjekët kolegë.
Vlerat dhe virtytet e Bedri Mihajt, janë të shumta. Dukshëm ato nuk mund të mos binin në sy edhe në drekën festive të tij, me rastin e marrjes së titullit “Profesor”, ku mjekët kolegë të tij, por edhe të ftuar të tjerë nuk e fshihnin respektin dhe mirënjohjen për atë që ai kishte arritur, por për më tepër për atë që ai është….
Unë mund të ndalem edhe më gjatë, e të sjell këtu episode e situata që e ngrenë figurën e “Profesor Doktor” Bedri Mihajt edhe më lartë. Por sado të shkruaj unë, sërish këto radhë nuk do të mjaftojnë. Jam i sigurt që ju, pjesa më e madhe e të cilëve keni pasur kontakte apo e keni njohur mjekun Bedri Mihaj, keni shumë më shumë se kaq gjëra pozitive për të thënë për këtë person…, sigurisht të merituara…
Burimi/Facebook


Leave a Reply