Hana e zbetë, si fytyra e nji të vdekuri, kundron nga kupa e qiellës.Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora.Kundron kasollet e kristalizueme të katundit, të cilat as frymë nuk marrin.Të gjitha janë mbështjellë në bardhsin e borës.Vret shpirtin e malsorit siç vret shpirtin e artistit shtatorja e bardhë e nji grue së lakuriqët.
E në kasolle, e cila gjëmon nën barrën e borës,derdhen dy ngjyra kuq e zi. I kuq zjarrmi i votrës në mes të kasolles, e i zi rrethi. Të zeza, t’errta janë skutat e kasolles, nga ndigjohet blegrimi i mekun i ndoj delje ose kumbona e lopës. Edhe ato i vret buluria e bardhë. Nga goja u del avulli i afsheve që ngrihen n’ajr, bjen mbi qimet e tyne si brymë dhe kristalizohet. Heshtje. Gjithçkafja e kristalizueme .Nji dorë shtrihet, zen nji dru e shpupurish zjarmin. Rropos nji ”botë gacash”. Flaka lëpin errësinën e shkëndijat kërcejnë nën tra dhe nëpër fëtyra rreth votrës. E trupnat e njerzve dridhen,nëpër korriz u përshkohet të ftoftit, që vjen nga skutat, andej nga errsina. Brrr…uf..andej mbrapa shpinet përpijnë errsina me të ftohtit e saj.
-Po shiko mos ngrinë Laroja??
Dhe çohen, i lëshojnë vend rreth zjarmit Larojës, lopës së shtëpisë. Të nxehet dhe ky pjestar familje në kasollen e kristalizueme. E Laroja din si duhet me u shtrimë rreth zjarmit. Po me trupin e saj të math, gati shtypi dy vocrrakë, të cilët i kish zanë gjumi pranë zjarmit.
E kur, andej nga mesnata , acarimi arrin dhe kulmin e vet, atëhere ndër bagëti fillon nji lëvizje.Po ,nji lëvizje. Nji nga nji u aviten njerëyve e me syt e vet si me u lutë:”na lëshoni dhe neve të ngrofemi pak rreth zjarrmit, se u ngrimë”. Dhe njerzit kundrejt njerzve s’kanë mshirë, po kundrejt shtazve -po. Prandej çohen, ua lëshojnë bagëtis vendin rreth votrës, e ata vetë shkojnë n’errësinën që përpin.
…..Dhe agimi zbardhë me bukurinë e bardhë që vret. Çohen njerzit me trupnat e mpime dhe me kujtim në ndërgjegje se u kalua dhe nji natë e vështirë. U çuen , por nuk çohet nji vocrrak. Dora e s’amës shtrihet bi të dhe m’at çast nji britmë e tmerrshme shpoi zemrat e kasolles. Dhimba e nji nanës i shkrinë zemrat në vaj, por ç’e do kur nuk shkrin zemrën e vocrrakut.
Po, ishte ngrimë lokja e nanës. Gjaku i tij i kuq dhe i purpurt ish ngrimë ndër dej dhe në zemër, ish bamë kristal qe te bahet nji servis per milionarin ; Jo gjaku ish ba rubis per gjerdhanet e metresave . E trupi i vocrrakut, i lokes së nanës, ishte bamë nji shtatore e ngurët e zhgulun nga gjini i nanës.
Merrnje dhe çonie në qytet kët shtatore. Vendosnie në nji shesh! Dhe si përmendore kushtonja ndokujt! Kushtonja atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputetti, o ndokuj tjetër… E në rasë se nuk gjeni ndonje njeri që ka merita të mjaftueshme ,atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndis klasike.


Leave a Reply