Si, kush dhe pse ia vuri Sekretarit Blinken, në letrën e tij të urimit për Ramën, caktimin e datës së rënies së komunizmit në Shqipëri?
Në letrën me të cilën Sekretari i Departamentit të Shtetit të SHBA Blinken i uroi Kryeministrit Rama fitoren në zgjedhjet e 25 prillit kishte një frazë shumë interesante. Z. Blinken iu referohej zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri si “10th national elections since the fall of communism”. Që në shqip do të thotë “zgjedhjet e dhjeta parlamentare që nga rënia e komunizmit”.
Zgjedhjet e 25 prillit ishin zgjedhjet e dhjeta të mbajtura në Shqipëri që nga viti 1991. Sipas llogarisë së z. Blinken del se zgjedhjet e para shumëpartiake në Shqipëri, ato të 31 marsit 1991 janë mbajtur pas rënies së komunizmit.
Sot në botë ka një pajtueshmëri mendimesh për atë se kur ka rënë formalisht komunizmi në vendet ish-komuniste, sepse nëse ka rënë ose jo në realitet për këtë gjë nuk ka pajtueshmëri mendimesh. Komunizmi ka rënë formalisht kur janë shfuqizuar kushtetutat komuniste që e shpallnin marksizëm-leninizmin ideologji sunduese të shtetit dhe shoqërisë përkatëse, e përcaktonin diktaturën e proletariatit si formë të regjimit shtetëror, si dhe sanksiononin sundimin e partisë komuministe.
Në Shqipëri kushtetuta e fundit komuniste ishte miratuar në 1976 dhe ishte në fuqi kur u bënë zgjedhjet e 31 marsit 1991. Kjo kushtetutë u shfuqizua vetëm në 30 prill 1991, pra pas zgjedhjeve të para shumëpartiake, gjë që i bën këto zgjedhjet më të çuditshme në historinë e politikës botërore. Kjo për arsye sepse u mbajtën zgjedhje shumëpartiake në një vend ku me ligjin themelor të shtetit ishte përcaktuar sundimi i një partie. E thënë më thjeshtë, edhe nëse opozita fitonte në zgjedhjet e 31 marsit, ajo nuk mund të vinte në pushtet sepse këtë gjë ia ndalonte Kushtetuta në fuqi!
Në vendet e tjera komuniste para se të bëheshin zgjedhjet e para shumëpartiake u shfuqizua dispozita kushtetuese e monopolist të pushtetit të partisë komuniste. Në Shqipëri jo. Data e rënies formale të komunizmit në Shqipëri është 30 prilli i vitit 1991. Data e rënies së komunizmit në realitet është një çështje e hapur për diskutim.
Gjithsesi, zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, të mbajtura pas rënies formale të komunizmit janë ato të vitit 1992. Pra, zgjedhjet e 25 prillit janë të nëntat në radhë që nga rënia e komunizmit, jo të dhjetat.
Përse Sekretari Blinken ndërhyn në historinë politike të Shqipërisë në një letër rutinore urimi për një palë zgjedhje parlamentare? Është e sigurt që jo më ai, por edhe bashkëpunëtorët e tij në Departamentin e Shtetit nuk kanë njohuri kanë njohuri kaq të imta për historinë politike të Shqipërisë. Është e qartë se kjo frazë në letrën e Blinken është sugjeruar nga Tirana, përkatësisht nga zyra e Edi Ramës, nëpërmjet ambasadës amerikane. Arsyeja?
Meqënëse Sali Berisha u fut në listën e zezë amerikane duhet t’ i hiqet edhe “lavdia” e fituesit të zgjedhjeve të para në vend pas rënies formale të komunizmit. Se sa për rënien reale kjo përgënjeshtrohet edhe nga vetë fakti që Berisha kishte qenë anëtar i PPSH. Duke u shpallur zgjedhjet e 31 marsit 1991 si të parat pas rënies së komunizmit, kjo “lavdi” i jepet Ramiz Alisë, diktatorit të fundit komunist.
Antiberishizmi po i bën burokratët e Departamentit të Shtetit që të prodhojnë absurditete në lidhje me historinë politike të Shqipërisë! Madje edhe këtu po godasin Partinë Demokratike më shumë se Sali Berishën.
Sali Berisha ka të drejtë të reagojë për këtë pjesë të letrës së Blinken. Lulzim Basha ka detyrim që të reagojë sepse këtë preket PD.
Por kanë detyrim që të reagojnë edhe ata antikomunistë të cilët janë kundër Berishës dhe Bashës. Letra e Blinken është një tallje me të gjithë shqiptarët të cilët kanë vuajtur nën diktaturën komuniste.
Nuk mund të mos vihet re dhe shënohet që një njeri i cili i përket një familjeje të mbijetuarish të Holokaustit si z. Blinken thotë një gënjeshtër që prek ata të cilët kanë vuajtur në një diktaturë komuniste./Kastriot Myftaraj
Burimi/Facebook


Leave a Reply