“Fadil HOXHA: Kur bëhet fjalë për vëllezërit Gërvalla dhe të Kadri Zekën, kam qenë dhe jam i sigurt se i ka heq qafe UDB-a e Jugosllavisë. Është e vërtetë se në një mbledhje të ish-Kryesisë jugosllave, ku kam marrë pjesë edhe unë, ish-sekretari federativ i Punëve të Brendshme, Franjo Herleviq, ka dhënë informatën për gjoja zënkë mes veti të emigracionit politik shqiptar. Po ashtu edhe kur flitet për heqjen e Enver Hadrit, mendoj se ai është u hoq nga UDB-a. Përndryshe, Enverit edhe babën ka pushkatuar UDB-a.
• A ka pasur raste kur në periudhën pas vitit 1981 keni ofruar dorëheqje?
HOXHA: Rreth dorëheqjes sime pata biseduar, në vitin 1981, me Dushan Dragosavcin (përfaqësues serb i Kroacisë në Federatën jugosllave). Ai e kundërshtoi idenë time, duke më thënë qartazi në katër sy: “Po, a nuk po e sheh se mezi po presin që ti të japësh dorëheqje. Mos u bë i çmendur”. Rreth dorëheqjes sime, të cilën e kërkonte Serbia, pata biseduar edhe me Cvijetan Mijatoviq (përfaqësues i Bosnjës në Federatën jugosllave), i cili po ashtu kundërshtoi qëllimin tim. Por, çështjen e dorëheqjes sime megjithatë e pata shtruar në një mbledhje të presidencës jugosllave, duke apostrofuar se me të madhe po flitet për dorëheqjen time dhe për përgjegjësinë time lidhur me ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë. Dorëheqja ime nuk u aprovua…
• Disa vjet pas pensionimit tuaj, udhëheqja partiake jugosllave e ngriti komisionin e veçantë për përgjegjësinë tuaj. Ekzistojnë dëshmi se ndër dëshmitarët më të zëshëm, më kritikë e më të ashpër kundër jush, në bisedat me anëtarët e komisionit gjegjës, kishte qenë Ali Shukria, i cili i vetmi nuk kishte lejuar që dëshmia e tij të incizohej…?
HOXHA: Ali Shukria më ka borxh mjaft, por… Ne, menjëherë pas luftës kemi pasur një dëshmi të një shqiptari i cili jetonte në Turqi e i cili ia kishte dhënë një deklaratë UDB-ës, lidhur me veprimtarinë e Ali Shukrisë. Ai person është quajtur Rafet Brica, nga Mitrovica. Brica, pra, ka dhënë dëshmi sipas të cilës Ali Shukria ka bashkëpunuar me Gestapon dhe i ka fshi lapën pas çlirimit një shqiptar nga Mitrovica. Rafet Brica ka deklaruar kinse Alia e ka pushkatuar personin nga Mitrovica, për të mos lejuar që ai të dëshmojë për veprimet e Ali Shukrisë për të cilat ai ka ditur.
Meqenëse me këtë rast u përmend puna e Komisionit partiak-jugosllav rreth përgjegjësisë sime, të them se në fjalën time para komisionit më duhej të mbrohesha, sepse isha i akuzuar rëndë me shpifje e spekulime. Në të vërtetë, po ta kisha ditur se do të bëhet kështu, siç është sot në vitin 1994, sigurisht se ndryshe do ta përpiloja mbrojtjen time, sepse unë akuzohesha për politikë antiserbe. Përndryshe, gjatë luftës më kanë degraduar, në vitin 1944 kur isha komandant i Shtabit Operativ të UNÇ të Kosovës. Shtabin tonë kryesor e kanë ndërruar pa na pyetur dhe kanë marrë vendim me ia bashkangjitur Serbisë, pra e kanë futur nën komandën e SHO të UNÇ të Serbisë. Ndërkaq, si komandant i SHO të Kosovës asnjëherë nuk kam marrë pjesë në mbledhjet e Shtabit Operativ të Serbisë dhe asnjëherë nuk kam referuar.
Kur në vitin 1945 ata erdhën nga Serbia në Kosovë me tri shtabe, na thoshin se kishin ardhur për të pastruar Kosovën nga ballistët dhe në këtë kohë të administrimit ushtarak, secilit shqiptar i thoshin se është “armik”. Administrimi ushtarak është vendosur në Kosovë pa ditur unë asgjë. Mua më kishte informuar Milladin Popoviqi. Në prag të luftës, ndërkaq, kur e shtronim çështjen e Kosovës, na thoshin: të presim, le të përfundojnë lufta e pastaj do të shohim. Mbaroi lufta dhe situata veçse u keqësua. Në fakt, unë kam qenë vazhdimisht për bashkim me Shqipërinë, i përcaktuar për këtë kurs politik, i bindur se vetëm ajo është zgjidhje e vërtetë e çështjes sonë kombëtare. Po, sikur të mos e kisha pasur një bindje aq të fortë në drejtësinë komuniste, sigurisht se nuk do të kisha mundur të luaja rolin që e kam luajtur dhe as që do të kisha duruar tërë atë që e kam duruar. Kam përbi hapa të idhët në këtë historinë time, në radhë të parë prej akuzave serbe”.
Burimi/a-news24.com/


Leave a Reply