Pandemia e koronavirusit e ka vështirësuar situatën për kategori të ndryshme të popullsisë në Shqipëri, kryesisht për të rinjtë me prirje të veçanta. Pamundësia e tyre për t`u ushtruar në instrumente muzikore apo aktivitete krijuese si dhe mungesa e organizimit të ngjarjeve kulturore janë disa nga sfidat në këtë kohë pandemie.
Andon Cepe luan në klarinetë në një nga mjediset e Shkollës Artistike në Gjirokastër e cila ka hapur dyert për këta të rinj megjithë situatën e pandemisë së koronavirusit. Andonisfidonshikimin e kufizuar dhe krahas të merret me instrument i pëlqen të shkruajë tekste, të kompozojë dhe të këndojë. Pandemia thotë ai ka ndikuar në jetën e tij si edhe të shumë të rinjve që ushtrojnë pasionet e tyre.
“Duke qenë se pandemia nuk të jep të njëjtat kushte si në periudhat normale ka qenë e vështirë, por së bashku me profesorin e klarinetës kemi punuar fort dhe i kemi kaluar barrierat. Unë i kam zbatuar të gjitha mësimet “on line” me profesorin dhe jam paraqitur edhe në shkollë për t`u ushtruar me klarinetë”.
Andoni thotë se synon tëtë bëjë një kombinim mes klarinetës dhe muzikës dhe të publikojë shumë shpejt projektin e tij.
“Dëshiroj të bëj një kombinim të përgjithshëm mes klarinetës dhe muzikës. Pak a shumë e kam bërë dhe thjesht pres ta publikoj projektin” .
Andoni thotë se shikimi i kufizuar, që kur ka lindur, e ka mësuar të përballet me shumë sfida në jetë të cilave ai thotë se ua ka dalë më së miri.
“Ka pasur vështirësi që prej fillimeve. Sa më shumë kohë të kalojë aq më shumë ia merr dorën dhe nuk të duket më problem madje as vështirësi. Ndihem mjaft mrië dhe nuk më pengon kjo pjesë. Madje mund të them se më ka ndihmuar të bëhem dikushi.”
Armando Leme, mësues i klarinetës thotë se e vlerëson përkushtimin e Andonit dhe nxënësve të tjerë. Ai që ka dëshirw për artin sfidon cdo vështirësi, thotë Armando.
“Unë e shikoj si një nxënës normal. Nuk na ka penguar absolutisht aftësia e tij e kufizuar dhe majde unë mund të them se është një nga nxënësit më të talentuar krahasuar me nxënësit e tjerë. Kur ka dashuri gjithmonë gjendet edhe një formë për ta dhënë atë që ne dimë.”
Drejtori i shkollës artstike Bujar Dudumi thotë se sfida e kësaj shkolle me këtë kategori nxënësish ka qenë e vështirë, por ata janë përpjekur të zhvillojnë procesin mësimor.
“Kjo situatë është shumë e vështirë për këta nxënës dhe sidomos për nxënësit me aftësi të kufizuar. Edhe gjatë periudhës së pandemisë ne kemi rënë dakort me mësuesit të jemi të gjithë në shkollë, jo vetëm paradite por dhe pasdite dhe ata nxënës që duan të vijnë e punojnë qoftë edhe në formë konsultimesh të vijnë dhe kjo ka ndodhur.”
Zoti Dudumi thotë më tej se duhen gjetur rrugë për të organizuar ngjarje kulturore që të rinjtë të shprehin talentin e tyre.
“Sigurisht mungesa e ngjarjeve kulturore e pengon shfaqjen e talentit të nxënësve. Në disa raste shkolla ka organizuar duke iu nënshtruar protokolleve mjekësore per pandemine aktivitete të tilla. Një aktivitet tillë është organizuar në qytetin e Përmetit me një koncert të nxënësve dhe një ekspozitë me punime në pikturë”.
Qarku i Gjirokastrës është përfshirë disa herë në zonën e kuqe në Shqipëri për sa i përket përhapjes së koronavirusit dhe njihet si zonat me infektimin më të lartë për numrin e banorëve. Shkollat e mesme qëndrojnë të mbyllura përvec viteve të maturës dhe kjo periudhë vlerësohet si nga më të vështiratnë sistemin e edukimit si për nxënësit dhe trupat arsimore.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply