Gazeta Shqip
Zhdukja – Julian Çela u zhduk pasditen e 30 nëntorit 2012 në zonën e Laprakës në Tiranë. E fundit që e pa ishte një operatore qendre interneti. Ajo tha se një person, më i madh në moshë, e thirri
Kërkimet – Familja Çela, me në krye Skënderin, nëndrejtor i antiterrorit në SHISH, filloi kërkimet. Pas denoncimit në polici, ata kontrolluan të gjithë zonën, madje edhe në disa qytete të tjera të vendit
Interpoli – Në mesin e muajit shkurt 2013, të dhënat personale të Julian Çelës u publikuan edhe në faqen zyrtare të Interpolit, si person i zhdukur. Policia thoshte se është larguar jashtë vendit
Rrëfimi i monstrës Ardian Prenjasi: Kazanin e mora me makinë dhe e kam hedhur në Sharrë
Autori – Ishte i divorcuar dhe baba i tre fëmijëve. Aktualisht jetonte me qira në zonën e Laprakës, me një të njohurën e tij nga Peshkopia
Merr fund në mënyrën më të hidhur zhdukja e Julian Çelës, djalit 10-vjeçar të nëndrejtorit të SHISH-it, Skënder Çela. Vrasësi është një pedofil seksual, që gjuante kryesisht të miturit, të pambrojtur dhe të pafajshëm, të cilët gënjeheshin lehtë, me një çokollatë apo edhe me “bakshishe”. Ardian Prenjasi, 45-vjeçari nga Librazhdi, ka rrëfyer dje mënyrën e ekzekutimit të Julianit, e cila u ngjan filmave horror, madje mund të bëhet vetëm nga vrasës serial, që përkundër denoncimeve të familjarëve apo edhe të proceseve gjyqësore, qarkullojnë lirisht, madje mund të bëhen komshinj të kujtdo. Megjithëse i denoncuar për veprime të tilla në vitin 2008, madje në të njëjtën zonë, në Laprakë, drejtësia ka qenë e pafuqishme për ta izoluar. Ai ka thurur të tjera plane për fëmijët e lagjes. Rasti më i fundit ka qenë 11-vjeçari A.Cama, që banonte vetëm 10 metra larg maniakut, ndërsa më parë, policia ka dokumentuar se Prenjasi ka rrëmbyer dhe vrarë Julianin, djalin e zyrtarit të SHISH-it, të cilin e ka mbajtur në banesë, duke i kërkuar të kryejë marrëdhënie seksuale dhe pas refuzimit të të miturit, ai e ka mbytur me duar. Trupin e pajetë e ka hedhur në një kazan plehrash para banesës dhe më pas, këtë kazan, me automjetin e marrjes së plehrave që e drejtonte vetë, e ka dërguar në Sharrë, në vendgrumbullimin e mbeturinave. Rrëfimi është bërë vetë nga monstra, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.3, para oficerëve të policisë gjyqësore, që pas rastit në familjen Cami, tentuan të zbardhin edhe rastin e zhdukjes së Julianit, pasditen e 30 nëntorit 2012.
Rrëfimi i monstrës
“Po, unë e kam vrarë Julian Çelën, djalin 10-vjeçar që po kërkohet prej disa muajsh. E mbyta me duar, pasi kundërshtoi të bënte seks. Trupin e kam hedhur në kazanin e plehrave që kam para shtëpisë, ku banoj aktualisht, në Laprakë. Me automjetin që mbledh plehra, kam marrë kazanin, bashkë me trupin e Julianit, dhe e kam hedhur në Sharrë”. Ky ka qenë rrëfimi që ka tronditur krerët e policisë që hetonin këtë rast për muaj me radhë, madje pretendonin se Juliani kishte kaluar edhe kufijtë e shtetit shqiptar, ndoshta për të lypur në Kosovë. Në prani të drejtuesve madhorë të Policisë së Shtetit, Prenjasi ka vijuar dëshminë për mënyrën e vrasjes së Julianit, teksa pohon se e kishte njohur në zonë, pasi banesat i kanë rreth 150 metra larg njëra-tjetrës. “E kam mbajtur në banesë dhe i kam kërkuar të kryejë marrëdhënie seksuale. Nuk ka pranuar. Ka qenë tip i shkathët dhe pasi më kundërshtoi i vura duart në fyt dhe e mbyta”, ka vijuar 45-vjeçari, teksa një nga kërkesat e policisë ka qenë vendi ku e ka hedhur trupin e pajetë. “E kam çuar në Sharrë. Nuk e di vendin saktësisht”, ka vijuar Prenjasi, ndërsa hetuesit kanë këmbëngulur se në cilin vend shkonte me automjet. Pasi u ka dhënë indikacionet e duhura, në drejtim të Sharrës ka shkuar një grup hetimor, ndërsa në vendin e ngjarjes, në apartamentin në rrugën “Bujar Kaloshi” në Laprakë, kanë shkuar ekspertët e Policisë Shkencore.
Gjurmët në banesë
Pas pyetjes së Prenjasit, në apartamentin ku jetonte 45-vjeçari me një mikeshën e tij nga Peshkopia, kanë shkuar disa ekspertë, të cilët kanë këqyrur dhomën dhe banjën e kësaj banese. Për orë me radhë, ekspertët kanë sekuestruar me cilësinë e provës materiale të dhëna të dobishme, ku, sipas Policisë së Tiranës, janë gjetur edhe të dhëna që mund të hedhin dritë për rastin e Julian Çelës. Mësohet se ekspertët kanë gjetur një bluzë të 10-vjeçarit, e cila qëndronte në dollap dhe e kanë dërguar për ekspertizë në laborator. Gjithashtu janë marrë kampionë nga banja për t’i ekzaminuar më pas. “Kemi gjetur disa prova për vrasjen e Julianit. Ato janë dërguar në laborator për ekspertim, ku pas disa ditësh do të dilet në një konkluzion”, pohojnë burimet policore.
Kërkimet në Sharrë
Në vendin e grumbullimit të plehrave në zonën e Sharrës në Tiranë, kanë shkuar disa oficerë të policisë gjyqësore, në tentativë për të gjetur trupin e pajetë të Julian Çelës. “Disa oficerë të policisë gjyqësore kanë shkuar në Sharrë, në vendgrumbullimin e plehrave. Me të dhënat e marra nga autori Ardian Prenjasi, kemi gjetur edhe vendin ku ai shkarkonte mbeturinat me automjetin e tij. Po kërkojmë në thellësi, pasi kemi dyshime se trupi i 10-vjeçarit mund të jetë çuar në Sharrë në fillim të muajit dhjetor dhe ndoshta ka filluar të dekompozohet”, pohojnë burimet nga Policia e Tiranës. s.ç
Vendimi
Mbajti në banesë një të mitur: “Je peng, babai duhet të paguajë”. Gjykata: Dënimi, i justifikueshëm
Mori peng një fëmijë, Prenjasi u dënua nga gjykata vetëm me gjobë
I dyshuari për vrasjen e Julian Çelës, djalit të nëndrejtorit të SHISH-it, është dënuar nga Gjykata e Tiranës vetëm me gjobë, megjithëse është gjetur fajtor për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë. Më 14 nëntor 2008, gjyqtarja Shefkie Demiraj e ka dënuar Ardian Prenjasin me një gjobë prej 60 mijë lekësh. Në seancë gjyqësore i pandehuri kërkoi mëshirë, ndërsa prokurori Blerim Tominaj kërkoi dënimin prej 100 mijë lekësh. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se më datë 30 prill 2008, rreth orës 04:00, i pandehuri Ardian Prenjasi, pasi ka mbaruar punë, ka pirë alkool me dy shokë të tij deri në orën 05:00 dhe më pas ka marrë rrugën për në banesë. I pandehuri, rreth orës 11:00, pas konsumimit të alkoolit, ka ndaluar para derës së një banese private të shtetases Zeqine S., ku aty ka parë dy djem të mitur duke luajtur dhe pa i njohur fare i është drejtuar njërit prej tyre dhe konkretisht kallëzuesit M.A., të cilit i ka kërkuar ta ndihmojë, duke ia marrë çelësat e shtëpisë në xhepin e tij me arsyetimin se i kishte duart pis.
Kallëzuesi M.A. ia ka nxjerrë çelësat të pandehurit, pa menduar për keq, ku ky i fundit i ka kërkuar të miturit që t’i hapte derën e shtëpisë duke e ftuar atë që të hynte brenda. Kallëzuesi ka hapur derën dhe pasi janë futur brenda ai i është drejtuar M.A. duke i thëne se: “…tashmë ishte i marrë peng… se babai i tij duhej të paguante para dhe në rast të kundërt ai nuk do ta linte djalin të dilte nga banesa e tij”. Situata e krijuar ka qenë e tensionuar për të miturin, i cili i lutej të pandehurit që ta linte të lirë, ndërkohë jashtë banesës bërtiste kushëriri, pasi ai e pa që M. po vonohej. Në ato momente, i mituri shfrytëzoi rastin dhe u largua nga banesa, ku së bashku me kushëririn e tij, shkuan te familjarët e tyre dhe u treguan për ngjarjen e ndodhur e më pas shkuan në Komisariatin e Policisë Nr.3, ku bënë dhe kallëzimin përkatës.
Prokuroria filloi hetimin dhe për çudi ndaj tij nuk është marrë asnjë masë sigurimi. I pandehuri kërkoi gjykim të shkurtuar. Pas shqyrtimit, në vendimin e gjyqtares Shefkie Demiraj, shkruhej: “Gjykata çmon se ky dënim është plotësisht i justifikueshëm në raport me rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale të ‘heqjes së paligjshme të lirisë’, rrethanave të kryerjes së tyre, si dhe rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit Ardian Prenjasi, e cila e bën të domosdoshëm mosizolimin e tij nga shoqëria. Gjithashtu, gjykata çmon se ky dënim do t’i shërbejë edukimit të të pandehurit, parandalimit të kryerjes së veprave penale nga ai, rehabilitimit të tij, si dhe parandalimit të përgjithshëm të këtyre veprave penale në shoqëri”.
Vëllai: “Ardiani të vritet, e dëbuam nga shtëpia, u dënua edhe në Greqi”
“Vëllai im meriton të vritet”. Kështu e ka dënuar Besnik Prenjasi, veprimin e të vëllait Ardian Prenjasit, i cili ka abuzuar seksualisht me një të mitur, ndërkohë që sot doli në dritë krimi monstruoz me 10-vjeçarin Julian Çela. Në një prononcim për mediat, Besniku rrëfen se Ardiani ka pasur probleme mendore që pas kryerjes së ushtrisë, ndërkohë që familja ka 15 vite që e ka dëbuar.
“Ardiani ka pasur probleme që pas kryerjes së ushtrisë. E kemi dëbuar nga shtëpia që prej 15 vitesh. Nuk kemi komunikuar me Ardianin. Meriton të vritet. Ai ka qenë i dënuar me 4 vite në Greqi”, shprehet i vëllai.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply