Vëllai i pedofilit: Ardiani duhet të ekzekutohet. Skandali; si e liroi gjykata 5 vite më parë
Nikoleta Kovaçi- Pesë vite më parë, duke qarë dhe kërkuar mëshirë arriti të zbuste “egërsinë” e prokurorit dhe të fitonte “besimin” e madh të gjyqtares. Nga salla e gjyqit ai lihet i lire ndërsa ishte arrestuar, hetuar dhe gjykuar për rrëmbim personi të mitur. I mituri i asaj dite fundprilli ishte me fat; momentin e rrëmbimit të tij me të ishte edhe kushëriri i parë i tij, po i mitur. Ky i fundit, arriti t`i bënte presion monstrës-komshi derisa lejoi kushëririn të dilte përjashta. Pesë muaj më vonë, gjykata do e dënonte me 60 mijë lekë gjobë dhe do ta linte të lirë, pasi ai i pandehur nuk përbënte rrezikshmëri për shoqërinë…!
Mesditën e djeshme, thuajse gati pas 5 viteve të dhënies së asaj shkëndije të frikshme të ekzistencës së një maniaku dhunues dhe vrasës të miturish në zonën e Laprapkës, pasi policia, prokuroria dhe gjykata kishin adresë të saktë të vendbanimit të tij, të atëhershëm, vendi pëson një tjetër tronditje të rëndë; gjendet për fatin e tij dhe të familjes së tij 10-vjeçari i zhdukur pasditen e së shtunës, ndërsa policia shokohet. Afërsia me shtëpinë e Julian Çelës, misteri i zhdukjes së tmerrshme, ka bërë që policia menjëherë të kërkojë gjurmët e tij. Fatkeqësisht i gjeti; monstra që gjendej në duart e policisë pranon se ka kryer vrasjen e djalit. Më pas dëshmon mënyrën makabre se si i ka marrë jetën vogëlushit, ndërsa ende më e frikshme është mënyra se si e ka zhdukur. Policia e Tiranës, ekspertët e krimeve të rënda, drejtuesit më të lartë Policisë së Shtetit janë grumbulluar në komisariatin nr 3, në vendin ku ishte izoluar përbindëshi, ndërsa kishte zhdukur trupin e djalit, fotoja dhe imazhi i të cilit, prej 30 nëntorit të vitit të kaluar ka bërë i është besuar edhe Interpolit!
Maniaku
Personi që shihet në foto quhet Ardjan Prrenjasi. Eshtë nga Librazhdi dhe banonte në Laprakë. Shtëpinë që kishte marrë me qira e kishte kthyer në një kasaphanë të miturish. Ai pasi abuzonte me ta i vriste. Një viktimë tashmë e këtij përbindëshi është e njohur, ndërsa ditën e djeshme, një 10 vjeçar ka mundur të dalë prej kthetrave të tij. Autori mësohet se është baba i tre fëmijëve ndërsa rezulton të jetë i divorcuar prej shumë kohësh nga bashkëshortja, ndërsa kohëve të fundit ai jetonte me një grua tjetër, të cilën në momentet kur donte të kryente krime e dërgonte ose në familjen e saj ose te ndonjë i afërm tjetër i saj. Policia në të gjitha të dhënat që tashmë disponon për autorin i ka mësuar nga rasti fatkeq i Julian Çelës dhe nga rrëmbimi i të miturit tjetër, i cili për fat është gjallë. Policia vijon të ketë dyshime mbi të tjera krime të këtij personi, ndërsa ekspertët deri në mesnatë nuk kanë mundur të krijojnë asnjë lloj profili të maniakut-vrasës edhe pse e kishin para syve dhe duke u rrëfyer për aktet barbare që kishte kryer. Ardjan Prrenjasi është 45 vjeç dhe punon në sektorin e pastrimit në Bashki. Është mbledhës mbeturinash me makinat e bashkisë, punë që ka tronditur së tepërmi ekspertët e policisë, pasi kanë dyshuar në atë çka vërtet doli; burri-monstër e ka vrarë Julianin dhe e ka hedhur në plehra. Me makinën e punës e ka transportuar për në Sharrë.
Zbulimi i monstrës
Saimir Cani, babai i 10-vjeçarit A, pasi ka telefonuar një titullar policie orëve të para të së djeshmes. Kur kanë përfunduar të gjitha kërkimet e tyre për djalin e zhdukur pa gjurmë që nga pasditja e së shtunës ka vendosur t’i drejtohet policisë për të ndihmuar në gjetjen e djalit. Menjëherë janë bashkuar drejtues të komsiariatit nr 3 dhe të policisë së Tiranës dhe pas marrjes së informacioneve të para kanë mbërritur në shtëpinë e Prrenjasit. Fillimisht janë përdorur kolegët e tij të punës, të cilët mësohet se e kanë kërkuar maniakun pasi ai nuk ka dalë në punë orëve të natës së të shtunës duke u gdhirë e diela. Koençidenca me zhdukjen e A. është konkluduar shpejt nga e gjithë lagjja, ndërsa policia nuk ka pritur asnjë lloj urdhëri për të ndërhyrë. Kanë thyer derën e jashtë të ndërtesës dhe kanë hyrë brenda. Në një cep të një dhome është gjendur djali i strukur në qoshe ndërsa Prrenjasi i hakërrehej me thikë dhe me një litar. Policia ka dërguar në komisariatin nr 3, monstrën 45 vjeç, ndërsa i rrëmbyeri A, bashkë me një psikologe dhe mjekë është munduar të japë shpjegimet e tij.
Julianin e mbyta me thonj në fyt
“I thashë të më blinte një paketë cigare dhe të ma sillte në shtëpi. Erdhi dhe më pas nuk e lashë më të dilte jashtë. Nuk e njihja më parë, atë ditë e pashë për herë të parë. E kam vrarë atë natë dhe e kam mbështjellë me batanije dhe e kam hedhur në kazanin e plehrave. Më pas makina është nisur për në Sharrë”. Ky ka qenë rrëfimi tronditës i maniakut vrasës para policisë, ndërsa për orë me radhë më kot policia ka nisur kërkimet për trupin e djalit të zhdukur që me 30 nëntor të vitit të kaluar. Policia urdhëroi ndërprerjen e kërkimeve orëve të vona, ndërsa burimet nga Policia bëjnë me dije se ditën e sotme killeri do ti bashkëngjitet policisë për të treguar se në çfarë vendi është hedhur trupi i të miturit. Policia po mbrëmë ka nisur një tjetër grup ekspertësh në drejtim vendlindjes së gruas së dytë të tij për të mësuar mbi tipin e personit që kishin arrestuar. Ajo quhet Bona dhe ka vendosur të bashkëpunojë me policinë për gjithçka ajo di, pavarësisht se në rastin e Julianit, gruan e ka dërguar tek kushëriri i saj, ndërsa për rastin e dy ditëve më parë i ka thënë të largohej për tek familja e vet.
Vëllai: Ardianin vriteni, ai ka probleme që kur ishte ushtar
Një tjetër fakt tronditës në lidhje me profilin e personit që ka abuzuar, vrarë dhe zhdukur trupin e Juljan Çelës si dhe ka tentuar të vrasë A. Canin. Ai vjen nga vëllai i tij i vetëm Besniku, i cili mësohet se ka kërkuar ekzekutimin e vëllait të tij. Besnik Prrenjasi ka thënë se Ardiani kishte probleme të mëdha që kur ka përfunduar ushtrinë. Ai edhe në shtetin grek është dënuar për një krim të tillë dhe edhe në Librazhd dyshohet për abuzim me të mitur prej shumë kohësh, ndërsa prokuroria dhe gjykata në Tiranë kanë mëshiruar manikaun duke e lënë të lirë, me arsyetimin se nuk përbën rrezik për shoqërinë. Babai i djalit të shpëtuar më në fund nga kthehtrat e përbindëshit të Laprakës ka qenë mjaft I tronditur kur është përballuar me të birin në atë gjendje. Tronditja I është shtuar kur rrëmbyesi i djalit të tij ka dalë të ishte rrëmbyesi dhe vrasësi i Julianit, bashkëmoshatarit të të birit, ndërsa ai, familja e tij dhe gjithë shoqëria ndjehen me fat nga fati i A.Canit.
Zhdukja, dilemat dhe tronditja
Julian Çela u largua nga shtëpia e tij pasditen e 30 nëntorit. Për herë të fundit ishte parë në një qendër interneti në Laprakë, në rrugën “Pandi Dardha”, ndërsa shtëpia e tij gjendej rreth 1 km larg. Pas kërkimit të familjarëve dhe publikimit të lajmit, nisen kërkimet intensive. Asnjë e dhënë në lidhje me djalin 11 vjeçar, djalin e shkathët, të guximshëm, që kishte guxuar edhe herë të tjera të largohej nga shtëpia me shokët e vet, por gjithnjë brenda afateve të përcaktuara. Policia përshkallëzoi kërkimet dhe hetimet ndërsa familja e djalit të zhdukur nisi të nxirrte afishe me fotot e djalit të vet dhe disa numra telefoni me qëllimin dhe shpresën se ishte gjallë. Kërkimet vijuan për rreth 30 ditë. Emri i Julianit i kaloi Interpolit ndërsa familjarët shkuan deri në Kosovë për ta kërkuar të miturin, djalin e vogël të familjes Çela. Asnjë e dhënë dhe fakti që familja e tij nuk ishte shumë bashkëpunues, zhdukja pa gjurmë e Julianit thuajse u la në harresë. Duke qenë djali i një funksionari të lartë në SHISH edhe policia besoi se gjetja e tij duhej të ishte më e lehtë, ndërsa disa herë u hamendësua se rrëmbimi i Julianit është bërë pikërisht për shkak të detyrës. U dyshua edhe se u rrëmbye pasi mendohej se Skender Çela kishte në dorë dosjen e Isa Çobës, funksionarit të lartë të SHISH në Durrës, ndërsa policia shkoi deri atje sa arriti të shoqëronte dhe të mbante nëpër komisariate me dhjetëra persona më të rritur se ai me dyshimin se mos kishin informacion mbi vendndodhjen e Julianit, 11 vjeç. Gjithashtu u sekuestruan me dhjetëra kaseta filmike të kamerave të sigurisë nëpër kryeqytet ndërsa telefonata dhe sinjale vinin se Juliani shihej nëpër pika të ndryshme në Tiranë. U shkua deri atje sa u dyshua se i mituri iku me kosovarët pas festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë. Hetimet dhe kërkimet nga policia dhe instanca të tjera të hetimit nuk kanë reshtur së punuari për gjetjen e tij, por u desh zhdukja e një tjetër fëmijë, në të njëjtin vend dhe I të njëjtave karakteristika që të zbulohej vrasja e Julianit.
Gjykata: Lëreni të lirë, nuk është i rrezikshëm
Në vendimin e firmosur nga gjykata me 14 nëntor 2008, Prrenjasi, është dënuar me 90 mijë lekë gjobë dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ai do të paguante vetëm 60 mijë lekë gjobë, pasi mbajti peng të miturin M.A. Gjykata pasi ka shqyrtuar çështjen, shprehet se ky dënim është i mjaftueshëm, për rehabilitimin e 45-vjecarit dhe nuk është i nevojshëm izolimi i tij nga shoqëria.
Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja kishte ndodhur me 30 Prill 2008 rreth orës 04.00, kur i pandehuri Ardian Prrenjasi pasi ka mbaruar punë ka pirë alkol me dy shokë të tij deri në orën 05.00 dhe më pas ka marrë rrugën për në banesë. I pandehuri rreth orës 11.00 i cili kishte konsumuar shumë alkool ka ndaluar para derës së banesës private të shtetases Z. S, ku, aty ka parë dy djem të mitur duke luajtur dhe pa i njohur fare i është drejtuar njërit prej tyre dhe konkretisht kallëzuesit M. A të cilit i ka kërkuar ta ndihmojë duke ia marrë çelësat e shtëpisë në xhepin e tij me arsyetimin se i kishte duart pis.
Kallëzuesi M. A ia ka nxjerrë çelësat të pandehurit pa menduar për keq, ku ky i fundit i ka kërkuar të miturit që t`i hapte derën e shtëpisë duke e ftuar atë që të hynte brenda. Kallëzuesi ka hapur derën dhe pasi janë futur brenda ai i është drejtuar M. A duke i thënë se: “…tashmë ishte i marrë peng…. se babai i tij duhej të paguante para dhe në rast të kundërt ai nuk do ta linte djalin të dilte nga banesa e tij”. Situata e krijuar ka qenë e tensionuar për të miturin, i cili i lutej të pandehurit që ta linte të lirë, ndërkohë jashtë banesës bërtiste kushëriri i M. A pasi ai e pa që M. po vonohej. Në ato momente i mituri shfrytëzoi rastin dhe u largua nga banesa ku së bashku me kushëririn e tij E. shkuan tek familjarët e tyre u treguan për ngjarjen e ndodhur e më pas shkuan në komisariatin e policisë nr. 3 ku bënë dhe kallëzimin përkatës.
Në rrethanat e lartpërmendura organi i Prokurorisë ka filluar procedimin penal nr 1623 i vitit 2008 ndaj të pandehurit Ardian Prrenjasi duke e akuzuar atë për veprën penale të parashikuar nga neni 110/1 të K.Penal. Hetimi i çështjes ndaj të pandehurit Ardian Prrenjasi është bërë pa masë sigurimi. Para se të fillonte shqyrtimi gjyqësor i çështjes, i pandehuri Ardian Prrenjasi bazuar në nenin 403 të K.Pr.Penale kërkoi që të procedohet me gjykim të shkurtuar në gjendjen që janë aktet e prokurorit duke shprehur pendim të thellë për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 110/1 të K. Penal nga ana e tij. Gjykata pasi mori mendimin pozitiv të prokurorit bazuar në nenin 404 të K.Pr.Penale pranoi kërkesën e të pandehurit, pasi çmoi se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet e prokurorit dhe procedoi me gjykim të shkurtuar. Gjykata krijoi bindjen e bazuar në prova se i pandehuri Ardian Prenjasi është autor i veprës penale të parashikuar nga neni 110/1 i Kodit Penal e për rrjedhojë duhet të përgjigjet penalisht.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply