Lorenzo Logoreci ishte vetëm 20 vjeç kur u largua nga Shqipëria dhe që atë largim në vitet ’90 e ka përjetuar si një përzierje entuziazmi për të eksploruar dhe frike se po linte pas gjithçka, familjen e miqtë.
E nisi në Gjermani historinë e tij të emigrimit, ku siç shprehet në këtë intervistë për “Diaspora Shqiptare” mësoi respektin për punën, më pas në Itali mësoi shijimin dhe dashurinë për jetën dhe Amerika i hapi dyert e mundësitë për ta kthyer ëndrrën e tij në realitet, diçka të suksesshme që ta kishte krijesën e tij.
Sot Lorenzo jeton në San Francisco të SHBA ku krahas restoranteve të tij është dhe aksioner në platformën Zoom. Biznesi i mikpritjes ka qenë pasioni i hershëm i tij që i solli dhe suksesin, teksa përmend dhe shefin e famshë të kuzhinës, të ndjerin Anthony Bourdain me të cilin kishte miqësi dhe së bashku kishin një plan për një emision për zakonet kulinare të krahinave të Shqipërisë.
Ai është shqiptari mik i mjaft njerëzve të famshëm duke nisur që nga ata të politikës si zv.presidentja e SHBA-ve, Camila Harris apo Nancy Pelosi e deri në muzikë, Bono i U2.
INTERVISTA
Lorenzo na tregoni pak për publikun shqiptar historinë tuaj 30-vjeçare të emigrimit?
Unë u largova në emigrim gati në moshën 20 vjeç. Si çdo i ri tjetër dhe për mua largimi ishte një përzierje entuziazmi dhe për të eksploruar vende, gjuhë, dhe mentalitete të reja dhe një ndjenjë frike për të lënë pas familjen, miqtë dhe të gjitha të tjerat që ishin të njohura drejt një bote të panjohur. Gjithashtu kisha një dëshirë, qëllim që më frymëzoi për të krijuar diçka të sukesshme që ta quaja krijesë timen.
E nisët nga Gjermania. Në vitin 1991 jo çdokush që emigroi mund të kishte një synim të qartë se çfarë do të bënte, duke menduar thjesht ti largohej sistemit. A kishit ju një qëllim dhe sa e vështirë ka qenë kjo për tu realizuar?

Me një gjermanishte dhe italishte të studiuar nga brezat e vjetër që kishin studiuar dhe jetuar në ato vende dhe me një anglishte modeste (që u përmirësua shumë me kalimin e kohës) mund të them që fati ose instinkti më dërgoi të jetoj dhe punoj në elegancën e qyteteve avangardë si Heidelberg (Gjermani), Romë (Itali) dhe San Francisco (SHBA). Janë vende që u bënë pjesë të formimit të jetës time si: Gjermania më mësoi respektin për punën, Italia më mësoi shijimin dhe dashurinë për jetën dhe Amerika më hapi dyert e mundësitë për ta kthyer ëndrrën time në një realitet, përmes një punë të palodhur, vendime për biznes dhe një vizion për të ardhmen.
Nga Gjermania në Itali e më pas për tu vendosur në San Francisco të SHBA-ve. Mund të flasim për një Lorenzo në kërkim të mundësive si një njeri i sfidave, apo kanë qenë lëvizje për shkak të punës? Sot jeni ndër aksionet e rëndësishëm të ZOOM. Nga restoranti në një platformë teknologjike. Si lindi ideja?
Që nga rinia më ka tërhequr dhe interesuar biznesi i mikpritjes (Hospitaly business) që për fat e realizova më pas si Chef Owner në restorante dhe hotele pasi përfundova shkollën “Le Cordon Blue”. Kam punuar dhe drejtuar të famshmin restorante Tre Scavini në Piazza Navona në Romë, pastaj në SHBA në hotelin në restorant-hotel me pesë yje “Ritz Carlton” ku mora një eksperiencë shumë të gjerë që më ndihmoi të hap restorantin tim në qytetin e ëndrrës sime San Francisco në 2002 dhe më vonë të tjerë.
Dhe pa harruar shokun tim personal shef Anthony Bourdain që para që të humbte jetën ishim në një proces të një projekti, të një episodi televiziv mbi kuzhinën dhe zakonet kulinare të krahinave të Shqipërisë për emisionin e tij shumë tën johur televiziv në CNN “Parts Unknown”. Kështu që në janar 2020 pas gati 30 vjet në gastronomi mund të them që për tani e kam “varur bluzën e bardhë të shefit” në varëse.
Po megjithatë merrem me bizneset e dyta që kam si real estate të banesave të mia dhe me bursat e Nju Jorkut (Stock market) ku jam një ndër aksionerët e parë dhe kryesorë të platformës teknologjike Zoom e bazuar në Kaliforni, që kam ndërmarrë pas suksesit të platformave të mëparshme në Apple Inc dhe Tesla ku isha gjithashtu aksioner.
Z. Logoreci prej shumë vitesh tashmë jetoni në SHBA dhe restorantet tuaja kanë qenë ndër më të frekuentuarit. Na rrëfeni për ndonjë episod të veçantë, a keni pasur personalitete të njohura amerikane?

Lorenzo Logoreci dhe Camila Harris
Restorantit tim të parë “Michelin Star Rated” e hapa në lagjen shumë luksoze Russian-Nobb Hill të San Francisco me një menu peshku të bazuar nga rcveta italo-ndërkombëtare dhe me një klientelë me shumë figura të famshme dhe personalitete amerikane nga fushat e politikës, muzikore, hollivudjane dhe sportive. P.SH Zv.presidentja e SHBA-ve Camila Harris me të cilët kam një shoqëri dhe familjare e personale kur ishte shefja e drejtësisë së qytetit, Joe Biden ish sekretarin e SHBA-ve, fqinjin George Shuttz, Rudi Giuliani, guvernatorët e Kalifornisë Jerry Broën dhe Gavin Nawson, Nancy Pelosi, Kryetari i bashkisë së San Francisco Willie Brown që e quante restorantin “kuzhina private”. Pastaj emra të Hollivudit, si Brad Pitt, Demi Moore, Ben Stiller, Ashton Kutcher, vendalitë e St. Carlo Santana dhe Robin Williams.
Nga muzika mund të përmend Bono i U2, që me bateristin e U2, Larry Mullen Jr kam një shoqëri familjare dhe personale, Jimmi Kimmel, Bob Sagat, Conan O’Brien. Nga sporti mund të përmend Barry Bonds, Joe Montana, Joe Torres, Max Biaggi.
Diaspora është një aset i rëndësishëm për çdo vend, a keni menduar të përfshini Shqipërinë në planet tuaja në të ardhmen?
Kështu pas vaksinimit në muajin e marsit do të kem dhe më shumë kohë të merrem me hobin që dëshiroj më shumë, të udhëtoj nëpër botë, të përjetoj kuzhinën dhe zakonet e vendeve rreth botës. Në shtator kam planin e udhëtimit në Korenë e Jugut dhe Japoni që do të jetë vendi i 60-të që kam udhëtuar rreth botës, “Qytetari i botës”. Gjithashtu do të kem kohë dhe për një udhëtim dhe të kaloj më shumë kohë në Europën e bukur.
Burimi/ Diaspora Shqiptare


Leave a Reply