Jonas Jonson, Drejtor i Drejtorisë për Ballkanin Perendimor të Këshillit të BE-së dhe Terkel Petersen, Zëvendës Drejtor në drejtorinë përkatëse të Këshillit te BE-së sot kanë takuar liderët e partive politike shqiptare, kreun e BDI-së Ali Ahmeti dhe kreun e PDSH-së Menduh Thaçi.
Dy partitë në komunikatat partiake kanë theksuar se me zyrtarët e lartë të BE-së kanë biseduar rreth zhvillimeve politike në vend, zgjedhjeve lokale, çështjes së emrit dhe procesit të integrimit të vendit në BE.
Ahmeti në takim ka theksuar se BDI është e përkushtuar për zhvillimin e një fushatë demokratike në përputhje me standardet Evropiane si dhe proces të lirë dhe demokratik zgjedhor.

Mysafirët nga Brukseli theksuan që konkluzat e dhjetorit mundësuan një agjendë shumë premtuese Evropiane për Maqedoninë që seriozisht u dëmtua nga ngjarjet e fundvitit të kaluar si dhe mosmarrëveshjet politike që pasuan.
Kryetari Ahmeti theksoi që ky imazh i dëmtuar i vendit në sytë e miqve ndërkombëtar duhet të përmirësohet duke u fokusuar fuqimisht në realizimin e agjendës Evropiane që përfshin zgjidhjen e çështjes së emrit, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore si dhe reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Zgjedhjet e lira dhe demokratike gjithashtu janë parakusht për një raport të mirë Evropian.
Pikërisht për këtë, BDI u përkushtua për mbarëvajtje të procesit zgjedhor edhe përskaj vendimit kundërligjor të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Gjykatës Administrative rreth tërheqjes së listave të këshilltarëve nga VMRO dhe propozimi i listave të kombinuara nga VMRO dhe LSDM.
Pas kryerjes së procesit zgjedhor, të gjitha palët duhet të japin kontributin e vet maksimal për plotësim të agjendës evropiane në mënyrë që Maqedonia të marrë datën për fillim të negociatave. Bashkëbiseduesit u pajtuan se e ardhmja e Maqedonisë ndërtohet vetëm mbi zhvillimin e marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike si dhe me respektin e plotë për Marrëveshjen e Ohrit.
Ndërkohë, ka pasuar edhe njoftimi i PDSH-së, ku siç thuhet lideri.Menduh Thaçi në selinë e partisë në Tetovë ka pasur takime pune me zyrtarët e lartë evropian. Në takim u bisedua për zgjedhjet lokale të vitit 2013, për procesin zgjedhor dhe tema të tjera me interes të dyanshëm.
Sipas komunikatës së PDSH-së, raportuesit e BE-së shprehën qëndrimin që Maqedonia duhet të dëshmojë që ka kapacitet dhe mundet të organizojë zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike.
Nga ana tjetër, Kryetari i PDSH-së z.Menduh Thaçi ka shprehur qëndrimin që qeveria si bartëse kryesore e përgjegjësisë për organizmin e zgjedhjeve duhet të jetë më e përkushtuar në këtë drejtim, me qëllim që të dëshmojë se ka disponim që të ju mundësojë të gjithë faktorëve politik pjesëmarrës në këto zgjedhje lokale, konkurrim korrekt dhe të barabartë. (INA)
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply