Nga Blerina Gjoka
Qeveria ka ligjëruar korrupsionin me anë të “ligjeve të porositura” apo koncesioneve me kosto marramendëse. Zyrtarët e lartë shtetërorë dhe politikë favorizojnë krimin dhe përdorin bandat kriminale për vjedhje votash. Tabloja tronditëse për Shqipërinë vjen nga Transparency International. Po çfarë do të thotë “kapje e shtetit” dhe cilat janë pasojat në ekonominë e vendit e këtyre praktikave korruptive? Analizojnë gjetjet e raportit të fundit të TI, Artan Hoxha, Ornela Liperi dhe Redjon Qirjazi nga IDM, organizata partnere e TI në Tiranë.
Bashkëpunimi i zyrtarëve të lartë dhe politikanëve me bandat kriminale dhe miratimi i “ligjeve klienteliste” e bëjnë shtetin shqiptar të cilësohet i kapur nga krimi. Këto konstatime tronditëse nuk vijnë nga opozita, por nga Transparency International, organizatës që merret me perceptimin e fenomeneve të korrupsionit apo krimit të organizuar në botë.
Raporti i fundit i TI kushtuar Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në rastin e Shqipërisë sjell shembuj konkretë se si shteti është kapur nga krimi. Aty përmendet lidhja e zyrtarëve të lartë socialistë me bandat kriminale; rasti i ish-ministrit të Rendit, Sajmir Tahiri, apo përdorimin e bandave për vjedhje votash si ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, dhe ministri Damian Gjiknuri, të kapur në përgjimet e prokurorisë. Po ashtu TI vëren se qeveria është vënë në shërbim të interesave të grupeve apo individëve të veçantë me anë të koncesioneve dhe “ligjeve të porositura”.
Një tjetër raport i Transparency International e konsideron Shqipërinë si një vend me një ekspozim të madh ndaj korrupsionit në sektorin e mbrojtjes. E ndërsa korrupsioni na shfaqet parasysh si një rrjet merimange që lidh qeverinë me krimin, pasojat e kapjes së shtetit shkojnë paralelisht me varfërimin e shqiptarëve. Në indeksin e fundit të EUROSTAT Shqipëria radhitet si vendi më i varfër në Europë. Gjetjet e TI për Shqipërinë evidentojnë disa fenomene që tregojnë dorëzimin e shtetit në duart e interesave të grupeve të caktuara dhe të bandave kriminale dhe mekanizmat për ligjërimin e korrupsionit.
Korrupsioni i nivelit të lartë
“Një shembull i klientelizmit politik paraqitet në rastin e ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, anëtar i komitetit drejtues të Partisë Socialiste në atë kohë dhe përgjegjës për fushatën zgjedhore në Durrës gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 në Shqipëri. Dako bashkëpunoi me klanin lokal Avdulaj në blerjen e votave dhe frikësimin e votuesve në këmbim të trajtimit të favorizuar në institucionet lokale”.
Lidhje me krimin e organizuar
“Korrupsioni i zyrtarëve përkatës publikë për të lejuar krimin e organizuar është gjetur në më shumë se një vend. Në Shqipëri, për shembull, ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, në bashkëpunim me drejtorin e stacionit lokal të policisë në Vlorë, u akuzua për ndihmën e një grupi kriminal. Sipas akuzës, ai dyshohet se u dha informacion trafikantëve dhe hoqi pengesat për trafikimin e narkotikëve gjatë mandatit të tij në detyrë nga 2013 në 2017.”
Ligjet klienteliste
“Ligjet e bëra me porosi vulosin dhe legjitimojnë privatizimin e institucioneve dhe burimeve publike duke e bërë atë të ligjshme. Ligje të tilla jo vetëm që dekriminalizojnë kapjen por, pasi të legalizohen, e bëjnë më të vështirë luftimin e kapjes sepse përpjekja do të perceptohet si mosbindje ndaj ligjit. Gjatë mbledhjes së të dhënave tona, vendet ku u gjetën ligjet më të personalizuara ishin Turqia dhe Shqipëria”. TI sjell si shembuj ligjin mbi lojërat e fatit, i cili në vend që të kufizonte industrinë, e zgjeruan atë ndjeshëm. “Përfituesit e ligjit mund të përfshijnë rrjete të krimit të organizuar dhe politikanë që financojnë fushatat e tyre me para të tilla”- thuhet në raport. Një tjetër rast përmendet koncesioni për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, i cili sjell përjashtim të konkurrentëve dhe ndikim negativ në zhvillimin ekonomik duke u bërë një barrë e kushtueshme për buxhetin publik.
Korrupsioni te Mbrojtja
Në raportin me titull “Qeverisja në Sektorin e Mbrojtjes në Evropën Qendrore dhe Lindore”, në lidhje me monitorimin e punës në ministritë e mbrojtjes në vendet e Evropës lindore, Shqipëria shfaq nivel të lartë risku veçanërisht në dy kategori, prokurimet dhe menaxhimin e financave. Raporti shpreh shqetësimin se në kushtet e një menaxhimi të dobët financiar dhe të prokurimeve pa mbikëqyrje të fortë të jashtme, risku i korrupsionit në sektorin e mbrojtjes mund të shumëfishohet, sidomos duke marrë parasysh që vende si Shqipëria janë angazhuar për të përmbushur objektivin e NATO-s për të rritur shpenzimet mbi prokurimet në të paktën 20% të buxhetit të mbrojtjes.
Ornela Liperi: Politikat e qeverisë, favorizuese vetëm për një grusht të vogël njerëzish
Revista Monitor ka ngritur e para shqetësimin për kostot e larta dhe procedurat problematike të koncesionit për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren. Ky koncesion ishte një prej konstatimeve të raportit të TI për korrupsionin e qeverisjes. Ornela Liperi, kryeredaktore e Monitor, në një intervistë për gazetën MAPO komenton gjetjet e këtij raporti dhe pasojat që kanë në ekonominë e vendit politikat qeverisëse.
Raporti i fundit i Transparency International për Shqipërinë flet për kapje të shtetit për qëllime korruptive. Si shembuj raporti sjell ligjet e personalizuara, ose të bëra me porosi, që sipas raportit, legjitimojnë privatizimin e institucioneve dhe burimeve publike duke e bërë atë të ligjshme. Si e konsideroni këtë raport në tërësi?
Në fakt, gjetjet e raportit janë konfirmim i asaj që po diskutohet prej vitesh tashmë. Qeveritë e të gjitha kaheve nuk kanë pasur një vizion të qëndrueshëm dhe afatgjatë për zhvillimin e vendit dhe të ekonomisë dhe të atyre sektorëve që kanë vlerë të shtuar dhe avantazhe konkurruese. Qëllimi parësor rezulton se kanë qenë fitimet afatshkurtra dhe favorizimi i grupeve të caktuara të interesit. Kemi parë shumë raste të ndryshimeve ligjore që janë hartuar edhe pse janë kundërshtuar nga grupet e interesit dhe nga institucionet ndërkombëtare si dhe nuk kishin një analizë të qartë të kostove dhe përfitimeve. Nëse marrim një shembull të dy viteve më parë. Përkundër të gjitha këshillave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dy vjet më parë qeveria mori një vendim për të ulur pragun e futjes në tatimin mbi vlerën e shtuar nga 5 në 2 milionë lekë. Grupet e interesit thanë se ulja e këtij pragu do të falimentonte bizneset e vogla, ndërsa FMN tha se kjo lëvizje nuk do të ishte eficiente për faktin se burimet që administrata do të duhet të vinte në dispozicion ishin shumë më të larta sesa përfitimet që do të merrte nga mbledhja e të ardhurave shtesë. Por, qeveria eksperimentoi dhe e miratoi këtë vendim, çka ka ndikuar negativisht në ecurinë e bizneseve të vogla dhe në 2018 dhe 2019, sipas të dhënave të INSTAT janë mbyllur mesatarisht nga 4-5 mijë subjekte të vogla në vit. Tashmë qeveria ka pranuar se kjo ishte një politikë e dështuar dhe nga janari i këtij viti pragu është rritur në 10 milionë lekë.
Në një nga shembujt më flagrantë të kësaj skeme korruptimi përmendet koncesioni për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, një çështje e publikuar më herët nga hulumtimet e medias që ju drejtoni, ku është denoncuar rritja fiktive e kostos së saj. Sa duhej të ishte vlera reale e kësaj rruge dhe sipas jush a duhet të tërhiqet qeveria nga ky projekt? A ka shembuj të tjerë të ngjashëm me PPT-të në sektorë të tjerë?
E gjithë politika e ndjekur vitet e fundit për partneritetet publike private ka një mungesë të qartë të analizës kosto përfitime dhe ka ngritur dyshime të shumta si për kostot e larta me të cilat do të bëhen këto projekte, ashtu dhe për rrezikun e pastrimit të parave. Rasti më flagrant është ai i Milot-Balldren. Kontrata koncesionare për ndërtimin e 17 km rrugë Milot-Balldren, e miratuar nga Kuvendi me një kosto prej 256 milionë euro për 13 vjet (por që mund të arrijë deri në 300 mln euro), ka qenë më e kundërshtuara dhe më problematikja, duke rezultuar dhe me falsifikime, çka e bën atë lehtësisht të anulueshme, nëse do të ekzistonte një vullnet politik për ta bërë këtë. Por deri tani kjo kontratë nuk është anuluar dhe sipas informacioneve të fundit kanë filluar matjet në zonën ku parashikohet të bëhet ndërtimi.
Ka shumë arsye pse kjo kontratë është e dyshimtë:
Kompania fituese A.N.K nuk ka kapacitetin për të ndërtuar një rrugë të përmasave të tilla. Ndërsa A.N.K premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj ishte vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro. Kompania pretendon që do të marrë një hua prej 70 milionë eurosh, një shumë që asnjë bankë nuk do ia jepte një kompanie me bilanc të tillë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar në auditimin e tij se të dhënat për kontratën koncesionare me Partneritet -Publik -Privat për ndërtimin e rrugës, Milot -Balldren nga kompania ANK janë falsifikuar. KLSH ka gjetur të dhëna të ndryshme në një tabelë që ka të njëjtin numër regjistrimi, ku vërehen qartë se si kanë ndryshuar shumat dhe afatet e financimit të segmentit nga furnitorët.
E dyshimtë është dhe futja në lojë e furnitorëve, përmes të cilëve kompania pretendon të sigurojë rreth 20 milionë euro, duke ngritur dyshime për pastrim parash. Sipas kontratës së botuar në faqen e Kuvendit, financimi nga furnitorët është 19.5 milion euro, përkatësisht 2.5 milion euro vitin e parë, 3 milion euro vitin e dytë, 7 milion euro vitin e tretë dhe 7 milion euro vitin e katërt, të projektit koncesionar/PPP.
Për më tepër që kontrata është e hapur, kostot mund të rriten pa fund. Neni 35 i kontratës, “Ndryshime në punimet apo shërbimet” specifikon që Autoriteti Kontraktor mund të kërkojë ndryshime në projekt përmes një kërkesë me shkrim, përpara fillimit të këtyre punimeve, duke lënë në këtë mënyrë të hapur një rritje tjetër të kostove. Kontrata parashikon që përballimi i kostove për ndryshimin e kërkuar bëhet nga Autoriteti Kontraktor. Edhe shoqëria koncesionare mund të propozojë ndryshime dhe në këtë rast kostot ndahen 50:50. (neni 35, faqja 70-72 e kontratës.
Por, qeveria në kuadrin e saj afatmesëm është e përgatitur të paguajë deri në 36.5 miliardë lekë për këtë koncesion, sipas tabelave të brendshme të hartuara nga Ministria e Financave për llogari të institucioneve ndërkombëtare. Pra shuma maksimale që qeveria parashikon të paguajë nga buxheti i saj është dhe 5.3 miliardë lekë, ose gati 44 milionë euro më shumë, sesa ajo e miratuar në kontratën nga Kuvendi, duke e çuar koston në total në 17 milionë euro për kilometër.
Po me ligjin për lojërat e fatit çfarë ndodhi? I nisur me synimin për kufizimin e këtij biznesi në fund, siç thekson dhe TI, përfundoi duke krijuar lehtësira dhe duke e zgjeruar këtë biznes. Çfarë pasojash do të ketë kjo në ekonominë e vendit dhe a është kjo një rrugë ligjore për pastrimin e parave, siç thekson dhe DASH?
Në vitin 2018, MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave publikoi raportin kundër pastrimit të parave për Shqipërinë, i cili ishte shumë negativ dhe vihet në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohë që u tërhiqet vëmendja autoriteteve që ata nuk po marrin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen. “Sektori i lojërave të fatit (përmes kërcënimit të infiltrimit kriminal në pronësi dhe në aktivitet) dhe sektori i pasurive të paluajtshme shihen që kanë një rrezik të madh për pastrimin e parave”, thuhej në këtë raport.
Pas këtij raporti qeveria mori vendim për t’i ndaluar tërësisht ato, nga 1 janari i vitit 2019. Pas ndalimit të lojërave të fatit ishte evidente një kanalizim i pastrimit të parave drejt sektorit të ndërtimit, me qiellgërvishtësit që po ndërtohen në Tiranë, një pjesë e të cilave do të bëhen hotele. Në këtë rreth vicioz, qeveria në kundërshtim me linjën e saj për ndalimin e lojërave të fatit rishikoi kuadrin ligjor për kazinotë, duke mundësuar zgjerimin e aktivitetit të tyre. Në shtator 2020, qeveria miratoi dy vendime ku, së pari, përcaktohen koordinatat se ku lejohet aktiviteti kazino brenda qytetit dhe që saktësisht përfshin zemrën e tij nga Rruga e Barrikadave te rruga “Urani Pano”; rruga “Dedë Gjon Luli”; rruga “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi “Zhan D’Ark”, rruga “Xhorxh W. Bush”.
Nëse do të shohim atë që po ndodh sot në ekonomi, është e dukshme se ka një rritje të pastrimit të parave, sidomos në sektorin e ndërtimit, duke krijuar iluzionin e një rritjeje ekonomike, kur në fakt ajo që po ndodh është vetëm shtimi i pabarazisë në vend. Bizneset e vogla, nuk po arrijnë t’i mbijetojnë krizës dhe po mbyllen duke ndikuar rritjen e varfërisë në vend dhe duke lënë terren për hyrjen e atyre që i kanë fituar paratë nga aktivitetet e paligjshme.
Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se në tremujorin e dytë aktiviteti i pasurive të paluajtshme ishte i vetmi që shënoi një rritje me rreth 5%, me bazë vjetore, kur për të njëjtën periudhë ekonomia ra me 10.2%. Ndërsa në tremujorin e tretë, të gjithë sektorët ishin me rënie, sidomos shërbimet, ndërsa ndërtimi u rrit me 16%. Janë të gjitha këto tregues direktë dhe indirektë se politikat e ndjekura nga qeveria kanë qenë favorizuese vetëm për një grusht të vogël njerëzish dhe nuk kanë ndikuar në përmirësimin e jetesës së pjesës më të madhe të shqiptarëve. Këtë e dëshmojnë dhe të dhënat e fundit të Eurostat, sipas të cilave Shqipëria mbetet edhe sot shteti më i varfër i Europës me 31% të të të ardhurave për frymë të mesatares europiane.
Artan Hoxha: Lidhja politike me krimin është një vijë e qëndrueshme sjelljeje e Rilindjes
Shteti është bërë njësh me krimin dhe kjo ka qenë një sjellje e vazhdueshme e “rilindjes” që kur erdhi në pushtet. Analisti Artan Hoxha në një intervistë për MAPO analizon raportin e TI për kapjen e shtetit nga krimi duke konstatuar se në 25 prill do të ketë një votë masive ndëshkuese për keqqeverisjen aktuale.
Raporti i fundit i Transparency International për Shqipërinë (Ballkanin) fliste për kapje të shtetit nga krimi. Si mund t’ua shpjegojmë qytetarëve çfarë do të thotë termi “kapje e shtetit” dhe çfarë do të thotë ky konstatim i TI për qeverisjen aktuale?
Termi ka kuptimin e “vënies nën kontroll” apo “vënien nën shërbim” të shtetit nga strukturat e krimit të organizuar por ka edhe kuptimin që “shteti dhe krimi janë bërë njësh”. Jo më kot që nga 2014 është folur dhe vepruar, nën presionin opozitar dhe ndërkombëtar, për dekriminalizimin e strukturave shtetërore duke filluar nga Kuvendi e deri në strukturat e poshtme të shtetit, përfshirë më së pari policinë, administratën civile dhe pushtetin vendor. Rezultatet e dekriminalizimit janë të vogla. Rezistenca për të dekriminalizuar ka qenë e madhe ndërsa janë tentuar, jo pa sukses, forma kamuflazhi për t’i ikur dekriminalizimit apo për të bërë gjoja sikur po dekriminalizohet, përfshirë të ashtuquajturin Operacioni Forca e Ligjit (OFL). Ndaj, jo me kot, TI konstaton se shteti shqiptar është i kapur nga krimi.
Në raport përmenden me emër disa zyrtarë të lartë dhe drejtues të Partisë Socialiste për lidhjet e tyre me krimin në vjedhjen e votave dhe trafikun e drogës, si Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri. Të tre ata nuk janë dënuar, përkundrazi janë mbrojtur politikisht nga kryeministri Rama. A tregon kjo që mekanizmat e kapjes së shtetit nuk janë sporadike apo me përgjegjësi individuale, por janë pjesë e filozofisë së kësaj qeverisjeje?
Këto dhe plot shembuj të tjerë, të ditur publikisht e që s’ka se si të përmendeshin të gjitha çka dimë e çka ndodhi në tetë vitet e Rilindjes nga raporti i TI, tregojnë se kjo – lidhja politike me krimin dhe përdorimi reciprok – është një vijë e qëndrueshme sjellje e Rilindjes, e që në fakt konstatohet që në ngjizjen e saj si koncept politik dhe strukturor-organizativ i mbivendosur në PS, në tetor 2011, kur edhe u shpall si term.
Raporti sjell të paktën dy shembuj për ligjërimin e korrupsionit; koncesionin për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren dhe ligjin për lojërat e fatit. Sipas jush çfarë tregojnë të dyja këto “ligje të personalizuara”, sipas përcaktimit të TI dhe a ka shembuj të tjerë ligjesh dhe PPP-sh që janë në këtë model?
Këto janë vetëm dy, numërohen të paktën një duzinë ligjesh apo aktesh normative të këtij lloji (sa për kujtesë e shembull, ai lidhur me teatrin kombëtar) drejtpërdrejt të personalizuara e plot të tjera ngushtësisht të personalizuara. Ashtu siç janë thuajse të personalizuara termat e referencës së një numri të madh “garash” de facto, pa garë të prokurimeve publike. Këto në tërësi japin një pamje të qartë të akaparimit të shtetit dhe pasurisë publike nga klientela e Rilindjes dhe vetë ajo.
Opozita e ka parë raportin si konstatim të të gjitha denoncimeve të bëra prej saj për qeverinë në këto 7 vite. Sipas jush cilët janë mekanizmat ligjorë dhe politikë që ka në dorë ajo për të luftuar kapjen e shtetit në rolin e opozitës dhe nesër si forcë qeverisëse nëse vjen në pushtet?
Sa është në opozitë, mjeti i vetëm i saj është denoncimi i faktuar dhe argumentuar, fatkeqësisht pa shpresën se organet e drejtësisë do të vihen në lëvizje të qenësishme. Duket qartë se sistemi i drejtësisë është nën tutelën e Rilindjes. Ndaj mjeti i vetëm efikas mbetet vota. Besoj se do kemi votim masiv ndëshkues për Rilindjen. Sa për opozitën e sotme nesër në pushtet, ajo besoj se në qeverisje do jetë në lartësinë e duhur të betejave të veta dekriminalizuese dhe çliruese të shtetit nga kapja gjithfarëlloj qe ka zhvilluar me pasion gjatë opozitarizmës së saj. Edhe ndaj qeverisë se re mjeti më i mirë që kemi në dorë është pasja e një ekuilibri politik – Jo të gjitha pushtet në një dorë- opozita e nesërme socialiste e çliruar nga Rilindja e kriminalizuar dhe vota.
Qirjazi: Kapja e shtetit avancoi me forcimin e ekzekutivit
Çfarë do të thotë termi “Kapja e shtetit”, sa i avancuar është ky fenomen në Shqipëri dhe si funksionojnë mekanizmat e favorizimit nga ana e qeverisë të interesave private duke dëmtuar interesin publik?! Një analizë për gjetjet e raportit të fundit të Transparency International nga Redion Qirjazi, menaxher i programit për sigurinë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, në një intervistë për MAPO.
Raporti i Transparency International këtë vit për Shqipërinë konstaton “kapje të shtetit”, mund ta sqaroni për publikun çfarë do të thotë ky term dhe çfarë do të thotë kjo për qeverisjen?
“Kapja e shtetit” duhet kuptuar si përpjekjet e përbashkëta përmes mekanizmave korruptive të aktorëve privatë apo publikë, për të ridrejtuar politikat publike dhe legjislacionin larg interesit publik dhe drejt përfitimit privat. Kapja e shtetit ndodh atëherë kur ndërthuret pushteti politik dhe publik me interesat private. Klientelizmi, konflikti i interesit, financimet politike, bashkëpronësia midis elitave politike dhe njerëzve të biznesit, mungesa e kontrollit mbi pushtetin e politikëbërësve (në veçanti të ekzekutivit), janë “portë hyrëse” drejt kapjes se shtetit. Duhet theksuar se kapja e shtetit shkon përtej korrupsionit të thjeshtë; ky fenomen ka të bëjë me abuzimin sistemik me burimet publike.
Problemi më i madh i që buron nga kapja e shtetit është se vendimmarrja politike favorizon interesin privat në kurriz të atij publik. Kjo nënkupton se shumë ligje, politika dhe masa rregullative ngjizen dhe zhvillohen për të avantazhuar grupe specifike interesi, duke cenuar barazinë në shoqëri, konkurrueshmërinë e ndershme, zhvillimin ekonomik, cilësinë e shërbimeve publike, infrastrukturën, mjedisin, madje dhe shëndetin publik.
Nëse do të bëjmë një krahasim me raportet e mëparshme mund të themi që ky është konstatimi më i keq për qeverisjen? Ose nëse ka ekzistuar si fenomen a është ai në rritje vitin e fundit?
Rishtazi, “kapja e shtetit” është përmendur edhe në raportet e Komisionit Evropian për vendet e zgjerimit, ku për më tepër theksohet nevoja për të ngritur politika parandaluese ndaj këtij fenomeni. Qartazi, kapja e shtetit është përkeqësuar me kohën dhe kjo evidentohet me faktin se legjislacioni po përshtatet për të legjitimuar veprimtarinë abuzive. Një faktor kyç që ka ndikuar në avancimin e këtij fenomeni është dhe dobësimi konstant i mekanizmave të kontrollit dhe balancimit të pushteteve që do të mundësonin, mbikëqyrje, transparencë dhe bashkëqeverisje më efektive.
Në veçanti, vitet e fundit vihet re një fuqizim i njëanshëm i Ekzekutivit ku sipas po Transparency International, parlamenti ka humbur pushtetin mbikëqyrës duke u njehsuar gjithmonë e më shumë me qeverinë dhe shëmbëllyer gjithmonë e më shumë me një “noterizues” të vendimeve qeveritare përmes avancimit të ligjeve që qeveria i gjykon të rëndësishme. Sigurisht në këtë situatë ka ndikuar fuqishëm dhe reforma e cunguar në drejtësi, mungesa e pluralizmit parlamentar, ineficenca e Kuvendit për të mbikëqyrur përmes mekanizmave të tij, pafuqia e institucioneve të tjera të pavarura për të ndikuar në zmbrapsjen e vendimeve të papërshtatshme të qeverisjes dhe tensioni i vazhdueshëm politik që e ka zhvendosur fokusin nga problematika institucionale dhe e ka drejtuar atë drejt debateve të rotacionit politik. Kapja e shtetit është një problem serioz për mirëqenien publike dhe demokracinë në Shqipëri. Ajo jo vetëm cenon rëndë interesin publik, por mbi të gjitha minon pavarësinë institucionale dhe zhvlerëson besimin publik tek institucionet shtetërore, politikë-bërja dhe parimet e një demokracie funksionale.
Raporti flet për ligje të personalizuara me anë të të cilëve ligjërohet korrupsioni. Si funksionon ky mekanizëm dhe çfarë pasojash ka për interesin publik?
Raporti i Transparency International thekson se kapja e shtetit lehtësohet nga mungesa e ndëshkueshmërisë dhe ligjet e personalizuara. Ndërsa pandëshkueshmëria fuqizon zyrtarë të korruptuar të shkelin ligjin pa frikën e ndëshkimit nga drejtësia, ligjet e personalizuara e legjitimojnë shkeljen.
Ligjet e personalizuara ose, thënë troç, ligje “të qepura me porosi” [tailor-made laws] janë akte ligjore të krijuara për t’i shërbyer vetëm interesit të një personi fizik, ligjor apo grupimi individësh të lidhur me njëri tjetrin, në dëm të aktorëve të tjerë të grupimit shoqëror apo dhe interesit publik.
Ndonëse këto ligje mund të duket se kanë aplikueshmëri të përgjithshme, në fakt kriteret e listuara brenda tyre ofrojnë limitime të shumta për shumicën e qytetarëve, me përjashtim të grupit të interesit për të cilin hartohet ky ligj. Ligjet e personalizuara mund të konsiderohen si shprehja me e lartë e kapjes së shtetit pasi ato efektivisht e ligjërojnë kapjen e shtetit dhe korrupsionin. Ato mund të përmblidhen në tre kategori kryesore sipas qëllimit të krijimit të tyre: ligje që ndihmojnë në kontrollimin e një sektori apo industrie, ligje që reduktojnë kapacitetin e institucioneve për të ushtruar kontroll demokratik, dhe ligje që mundësojnë qëndrimin në pozita të rëndësishme të personave që lehtësojnë korrupsionin.
Në rastin e Shqipërisë shohim disa raste të ligjeve të personalizuara si për shembull (rastet janë të evidentuara në raportin e Transparency International):
• Ligji për lojërat e fatit i vitit 2015 fillimisht presupozohej te kishte 25% takse, të limitonte numrin e vendeve të lojërave të fatit në 500 dhe të respektonte distancën e të paktën 200 metrave nga institucionet fetare, shtetërore dhe të arsimit. Me ndërhyrjen e disa deputetëve të LSI këto parametra ndryshuan në 15%, 1000 pika lojërash dhe 100 metra. Kjo lëvizje i dha hov një industrie të madhe në Shqipëri që përpos kostos sociale lehtësoi mundësinë e larjes së parave për krimin e organizuar, si dhe ndihmoi në veçanti 5 kompani bastesh që kontrollonin mbi 80% të tregut.
• Rruga Milot-Balldren pati një fryrje të pashpjegueshme të kostos së ndërtimit pas një propozimit të pakërkuar nga qeveria nga një kompani ndërtimi. Qeveria kaloi ligjin Nr. 52 në Korrik 2019 për të finalizuar këtë projekt. Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi se kostoja i kalonte parashikimet e Strategjisë Sektoriale të Transportit 2016-2020. Kompania fituese ishte në pronësi të një personi që ka lidhje të ngushta me pushtetin aktual qeverisës.
• Pezullimi i çështjes Gjiknuri nga Prokurori i Përgjithshëm në vitin 2016 pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte bërë një padi mbi ministrin për dëmin e shkaktuar shtetit (479 milionë Euro) pas negociatave me ČEZ pasi ju pezullua licenca e operimit.
• Ndryshimet kushtetuese ne 2008 benë të mundur që veto e presidentit të hidhet poshtë me një shumicë të thjeshtë përkundrejt asaj të cilësuar si dhe i dhanë kontroll më të madh drejtuesve të partive për të diktuar kush futet në Kuvend – duke limituar kështu pushtetin e popullit në vendimmarrje.
Një tjetër problematikë ka të bëjë me riskun e lartë për korrupsion në sektorin e mbrojtjes. Çfarë pasojash ka kjo për një vend anëtar të NATO-s?
Sipas një raporti tjetër të Transparency International, të lëshuar në datën 9 Dhjetor 2020, “Progres i [Zh]Bërë: Qeverisja në Sektorin e Mbrojtjes në Evropën Qendrore dhe Lindore”, Shqipëria vlerësohet si vend me risk “të lartë” të integritetit në këtë sektor. Ajo renditet e parafundit në Ballkanin Perëndimor me 39 nga 100 pikë të mundshme, duke lënë pas vetëm Malin e Zi.
Studimi mbulon periudhën 2018-2019 dhe vjen në një kohë kur kriza ekonomike, politike dhe shoqërore në Shqipëri (fatkeqësitë natyrore, unipolariteti politik, COVID-19 dhe kriza ekonomike shoqëruese) e kanë zhvendosur vëmendjen larg këtij sektori, ndonëse shumë i rëndësishëm për politikën ekonomike, të sigurisë dhe atë të jashtme të vendit. Problematika e evidentuar në raport thekson nevojën për të mos e lënë “në hije” këtë sektor të rëndësishëm dhe për t’u ri-angazhuar me nevojat e tij me qëllim zbutjen e riskut ndaj korrupsionit dhe praktikave të këqija të qeverisjes. Faktorë të rëndësishëm që kanë ndikuar në këtë rezultat janë: (1) kontroll i dobët parlamentar (2) zbatueshmëri inkoherente të legjislacionit për monitorimin e sektorit të mbrojtjes (3) menaxhimi dobët financiar dhe prokurime pa mbikëqyrje të fortë të jashtme, (4) transparencë e ulët falë tendencës për mbi-klasifikim të informacionit, dhe (5) mos-përfshirja e korrupsionit si një çështje me rëndësi strategjike në doktrinën e mbrojtjes dhe të institucioneve të sigurisë. Sipas raportit të Transparency International, risku i korrupsionit në sektorin e mbrojtjes mund të shumëfishohet, sidomos duke marrë parasysh që vende si Shqipëria janë angazhuar për të përmbushur objektivin e NATO-s për të rritur shpenzimet mbi prokurimet në të paktën 20% të buxhetit të mbrojtjes.
Konkretisht problematikë për Shqipërinë mbetet fakti se plani i prokurimeve të mbrojtjes duket të mos jetë i bazuar qartazi në Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes gjë që mund të çojë në ndryshime të shpeshta të planit të prokurimeve dhe se legjislacioni specifik për mbrojtjen mund të përdoret për të përjashtuar prokurimet e mbrojtjes nga ligji për prokurimet publike duke limituar mundësinë për mbikëqyrje efeive.
Burimi/GazetaMapo.al


Leave a Reply