Lefter Millo “rikthehet” në vendlindje
Pas 16-vitesh mungesë, nderohet ish-futbollisti i Luftëtarit, Partizanit dhe Kombëtares
NGA MEJDAN ZHIVANI
Në Gjirokastër, nuk ka ndeshje, por ka aq njerëz sa mund të jenë të vlefshëm për një takim sportiv. Nën kujdesin e posaçëm të ministrit Spiro Ksera, deputet dhe bashkëkohës i Lefter Millos, nderohet njëri prej emrave legjendë të këtij sporti. Një ekspozitë me fotot më të mira në vite, ka shënuar startin e një dite simbolike, që përkujton këtë futbollist në mungesë. Relike, bluza dhe mjaft foto e postera të evidentuara në faqet e hollit në pallatin e kulturës në Gjirokastër, të njohin më nga afër me këtë lojtar, që edhe pse na mungon prej 16-vitesh, të duket se është mes nesh.
Më pas, një takim përkujtimore, me fjalë zemre, dhurata dhe këngë. Ksera, ka pohuar vlerat e një ish-futbollisti, që e detyruan atë, të rikthejë Millon këto ditë në Gjirokastër dhe në Derviçan, fshatin e tij të lindjes. “Këtë takim e kam organizuar si një detyrim të madh për një njeri dhe futbollist të madh”,- ka thënë Ksera. Më pas, mjaft të ftuar special, kanë rrëfyer se Millo ishte dhe mbetet modeli i njeriut dhe i sportistit. “Një gërshetim ideal të punës dhe rezultatit”,- e ka quajtur gazetari i mirënjohur Sokrat Papadhopulli, ndërsa për Violeta Shqevin, zyrtare në MTKRS, “Millo ishte modeli se si duhet ndjekur për t’u bërë dikushi në jetë”. Më tej, drejtuesit e ekipit grek, Larisa (ku Millo luajti për disa vite në shtetin fqinj, derisa u nda nga jeta), sollën kujtime të bukura dhe vlerësime të mëdha për një figurë të tillë, që edhe në qytetin grek akoma kujtohet me shumë nderime edhe sot.
Drejtori i Akademisë së moshave pranë këtij klubi, ka thënë se “sot 60 për qind e fëmijëve që luajnë aty, janë shqiptarë dhe kërkojnë të bëhen si Millo”. Mjaft nota dashurie dhe respekti, solli edhe presidenti aktual i ekipit të Larisës, ndërsa për gazetarin e mirënjohur sportiv të TVSH-së, Defrim Methasani, “Millo ishte më shumë se një në fushë. Ai quhej motori i skuadrës”,- dhe solli nëpër mend një shkrim të botuar vite më parë, tek ai (Millo) shënonte 3 gola në një ndeshje kundër skuadrës lushnjare dhe shkrimi titullohej: ”Millo – Traktori” 3-0. Për Methasanin, “ai sot mund të konsiderohet modeli i të rinjve dhe fëmijëve, sepse pasi mbaronte stërvitjen me ekipin, Millo e vazhdonte atë (stërvitjen) në mënyrë individuale, pasi të gjithë të tjerët kishin ikur”.
Në takim ka falënderuar dhe përshëndetur të gjithë, edhe vëllai i tij, Niko Millo, që e kishte të vështirë të përzgjidhte nga ky grupim njerëzish, që e rikthyen vëllanë e tij.
Këngëtari i njohur Hysni Zela, këndoi këngën dedikuar Lefter Millos “të thërret Luftëtari, të don Partizani, të kërkon Kombëtarja, Lefter Millo djali”. Këto janë disa nga vargjet e këngës kushtuar kësaj legjende, që nuk do të vdesë kurrë. Pas këtij takimi mjaft emocionues, të pranishmit janë drejtuar drejt Derviçanit, ku mjaft njerëz, miq dhe të ftuar, përcollën me lot në sy, ceremoninë e zbulimit të bustit, që i është kushtuar këtij personaliteti sportiv të kësaj treve. Pastaj ceremonia ka vazhduar me dhënien e kupave dhe medaljeve të shumta, për të rinjtë futbollistë që luajtën për orë të tëra në kërkim të këtij trofeu kaq simbolik. E gjitha kjo ditë, ishte e mbushur me shumë emocione dh do të mbetet gjatë në kujtesë. Millo foli aty me gjuhën e futbollit, mjeshtërisë dhe prezencës së tij në mungesë. Ai u vlerësua dhe u ringrit në piedestal, aty ku meritonte numri 9 i Kombëtares sonë të futbollit, që mbeti në memorien e gjithë shqiptarëve për vlerat e jashtëzakonshme që mbarte.
Thanë për Millon
Sefedin Braho, ish-futbollist i Luftëtarit dhe Kombëtares:
“Kam luajtur pak kohë me Millon, sepse ai erdhi te ne, kur ishte 18 vjeç. Por Millo meritonte të luante edhe 15 vjeç me ekipin e parë, falë talentit që spikaste dhe vlerave që mbarte si njeri”.
Spiro Ksera – ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta:
“Për mua mbetet legjenda e futbollit shqiptar. Kam kujtimet më të bukura si bashkëkohës dhe mik që e kisha. Në Derviçan, ai spikati me talentin e tij që kur ishte fëmijë, ndërsa më vonë mori përmasa të tjera duke veshur bluzat e ekipeve shumë të njohura, deri nëLarisa. Kombëtarja mbetet “maja e tij”, por jam i sigurt që nëse do ishte gjallë, ai mund të shkonte në ekipet më me emër të Europës”…
Luan Shehu, mik i Millos dhe drejtues i policisë rrugore:
“Unë, Millon e kam njohur përmes futbollit si dashamirës i tij dhe këtij sporti. Me Millon, pas njohjes, patëm mjaft kujtime. Dua të ndaj me ju, ditën e ndeshjes Shqipëri – Belgjikë, kur fituam 2-0 dhe atë ditë Millo ka marrë edhe patentën e shoferit. Ishte i jashtëzakonshëm”.
Edmond Kodra, ish-futbollist:
“Për mua, Millo ishte i veçantë dhe gjithnjë shërbente për të tjerët me modestinë e tij. Ashtu si në repartin e mesfushës, që dhuronte topa për gola, ashtu edhe në jetë, kishte të njëjtën cilësi. Millo mbetet një model lojtari, që duhet ndjekur”.
Sokrat Papadhopulli – Gazetar sportiv:
“Millo është gërshetimi mes punës dhe rezultatit. Ai, gjithnjë dallohej për shpirtin e garës dhe frytet që korrte nga një ndeshje, apo punë e nisur. Është pjesë e krenarisë sportive të qytetit të Gjirokastrës dhe të futbollit shqiptar”…
Defrim Methasani – gazetar RTSH:
“Lefter Millo ishte më shumë se në një fushë. Të kishe në formacion Millon, do të thotë të kishe më shumë se kundërshtari futbollistë në fushë. Ai, falë modestisë së tij, asnjëherë nuk dilte mbi të tjerët, edhe pse shpesh herë meritonte te ishte mbi ta. Një tip Gatuzo, Gigs, Nedved apo Ksavi. Quajeni si të doni. “Motor i fushës”,- i thoshin. Mbaj mend ndeshjen me Danimarkën, kur trajneri danez në pjesën e dytë e nxori nga fusha mbrojtësin që mbante Millon dhe vuri dy të tjerë ta mbanin. Ky ishte Millo, që për mua mbetet një model që duhet ndjekur prej këtij brezi”.
Skeda:
Emri: Lefter
Mbiemri: Millo
Datëlindja: 2 gusht 1966
Vendlindja: Derviçan – Gjirokastër
Vdiq(aksidentalisht): 8 mars 1997 (30 vjeç)
Roli: Mesfushor
Gjatësia: 1.72 metër
Pesha: 75 kg
Karriera: Luftëtari (Gjirokastër) 1980-1984, Partizani (Tiranë) 1986-1990, Larisa (Greqi) 1991-1996, Iraklis (Greqi) 1996-1997
Kombëtarja: 1988-1966 20 ndeshje të luajtura
Short URL: http://www.gazetarepublika.al/?p=46170
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply