Regjisori Mihallaq Luarasi tregon për Festivalin e 11, si ndihet pasi vuajti tetë vite burg dhe si e përjeton artin e ditëve tona në një bashkëbisedim mbresëlënës me antropologun Përparim Kabo
“Diku atje nga fundi i muajit shkurt të vitit 1973, në Lidhjen e Shkrimtarëve u zhvillua ajo që mund të quhet si ‘mbledhja e madhe’, ku unë për çudi, megjithëse isha edhe anëtar i Komitetit Drejtues të Lidhjes, nuk u ftova të merrja pjesë” – Luarasi
“Sigurisht që në burg, brenda vetes, nuk e kam mohuar kurrë veprën time. Nuk jam penduar për atë që kisha bërë. E doja veprën time si një krijesë të gjallë dhe frymëzuese” – Luarasi
“Tregu nuk është moral, nuk është as imoral. Tregu është amoral. Ai drejtohet nga interesi si vetinteres dhe e shpie njeriun te një ‘pagan’ si skllav modern i energjisë luftarake” – Kabo
Bisedë mes Mihal Luarasit dhe Përparim Kabos
Nga Mihal Luarasi & Përparim Kabo
Kabo: I nderuar zoti Luarasi. Shkrimtari hungarez, Imre Kertesh, fitues i çmimit “Nobel”, i është përgjigjur kështu pyetjes se: Kur ke qenë më i lirë për të krijuar? “Në komunizëm, thotë ai, sepse atëherë shkruaja për të mos botuar dhe i shkoja të vërtetës deri në fund. Tani shkruhet për t’i pëlqyer tregut dhe kjo e ka prishur marrëdhënien me të vërtetën.”
Ju si mendoni, a provuat në emër të lirisë me Festivalin e 11 të Këngës, fiks 40 vite më parë?
Luarasi: Kertesh ka të drejtë për mënyrën e krijimtarisë së tij, sepse shkrimtari ka në dorë letër e laps dhe mund t’i mbajë në sirtar për një kohë tjetër atë që ai shkruan. Puna ime ndryshon. Regjisori punon drejtpërdrejti. Ne në festival ishim një grup artistësh të përkushtuar, regjisori, kompozitorët, këngëtarët etj. Të gjithë përballë një detyrimi që nuk mund të konservohej për një kohë tjetër dhe të vinte sot pas 4 dekadave, si një zbulim. Këtë mund ta bëj një piktor ose një krijues individual që krijon për përjetësinë. Sfida jonë kishte të bënte vetëm me lirinë krijuese si themel i një lirie më të gjerë, artistike e kulturore dhe pse jo edhe shoqërore.
Festivali ishte sfidë e hapur ndaj sistemit, rrezikun e kishim marrë në sy. Liria në një farë kuptimi është dalje nga rreshti, është një lloj mosbindje ndaj klishesë, një refuzim i urdhrit dhe anashkalim i një standardi të ngurtë që duket sikur të mbyt dhe nuk të lë të marrësh frymë lirisht. Që nga Kopshti i Edenit vjen sfida dhe dashuria për lirinë. Adami dhe Eva sfiduan urdhrin e Zotit që të mos hanin fruta nga pema e dijes. Ndryshe do të dëboheshin nga Parajsa dhe do të bëheshin të vdekshëm. Ata pranuan, më mirë të lirë dhe të vdekshëm, se sa të ngurtë dhe të pavdekshëm. Pa liri je gjithnjë i vdekur. Pavdekësia të vjen thjesht si një shterpësi.
Prishja e marrëdhënies me të vërtetën ishte shqetësim jo vetëm i Imre Kertesh, por shpërfaq sot një problem global në art dhe në shoqëri. Dëshiroj të di mendimin tuaj zoti Kabo: Si e shpjegoni ju në filozofi dhe antropo-art këtë brengë të dhimbshme?
Kabo: Tregu nuk është moral, nuk është as imoral. Tregu është amoral. Ai drejtohet nga interesi si vetinteres dhe e shpie njeriun te një “pagan” si skllav modern i energjisë luftarake që nuk ndalet dhe pa skrupuj lufton për fitim në rastin fatlum, dhe për mbijetesë kur fati nuk është bujar me të. Në shoqërinë e sotme transaksionare dhe me individin e saj të tregut, luhet hidhur me lirinë dhe me të vërtetën. Liria në treg si konkurrencë dhe mundësi për të konsumuar, nuk është liria si mënyrë jetese në demokraci. Ekonomia e tregut të lirë është prezente edhe atje ku nuk ka sistem demokratik. Iniciativa e lirë e tregut, lëvizja e lirë si qarkullim pa viza, si dhe liria si një tërësi vlerash që lidhen me dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, nuk janë e njëjta gjë. Çdo lloj bashkëshkrirje të shpie në udhë pa krye. Komercializimi i vlerave duke shndërruar edhe artin dhe njerëzit e tij në reklamë, në etiketë dhe emër që josh në konsumizmin utilitar, e ka dëmtuar rëndë artin dhe kulturën. Janë rrezikuar identitetet historike dhe ato kulturore. Janë sheshuar kufijtë ndarës mes asaj që është art dhe asaj që është mall tregu. Autori amerikan Benjamin Barbier, në librin e tij “Xhihadi kundër McWorld”-it, ka sqaruar se: “Si mbylljet hermetike në kulturat lokale mosdialoguese, ashtu edhe hapjet pa vlera si imitacione, si dhe një lloj standardizimi uniformizues i kulturave, që mohon individualitetet dhe kontributet e të gjithë popujve, vetëm për efekte fitimi, kanë bërë që njeriu i tregut të deformohet edhe për shkak të keqkuptimit me lirinë.
Mihal Luarasi: Fatkeqësisht është kështu, por kjo nuk është fatale. Shoqëria borgjeze e solli lirinë dhe tregu si pjesë e saj e pengon atë, jo si ndalim, por si deformim, ndaj ne duhet ta ruajmë dhe ta ushqejmë lirinë nëse e duam atë më të vërtetë. Liria e krijimit dhe liria si tipar i shoqërisë liberaldemokrate, shkojnë paralelisht. Unë ndaj me ty i dashur Përparim të njëjtin mendim, se sfida më e madhe në shoqërinë e sotme globale është ajo e multikulturalizmit.
Kabo: Zoti Luarasi, kanë kaluar 40 vjet nga dhjetori i acartë i 1972-shit. Emocione në atë kohë, emocione edhe sot. Si e përjetoni ardhjen e dhjetorit çdo vite qysh nga ajo kohë, me nostalgji, me pendim apo me një krenari të fshehur që ju frymëzonte edhe në kohë të vështira?
Besoj me krenari të fshehur. Por edhe si orakull, unë nuk mund të parashikoja se ai do të kujtohej pas 30 apo 40 vjetësh. Kur unë u burgosa, ëndrra ime u varros në një lloj varreze ku nuk mund të shkoje qoftë edhe për një buqetë me lule ose një bisedë intime. Të varrosësh artin, ky quhet thjesht dhe me një fjalë, inkuizicion. Por se diktatura e ka një thembër Akili. Ajo nuk llogarit kujtesën e njerëzve, e cila mund të trembet, por nuk mund të fshihet. 17 vjet pas Festivalit të 11, në vitin 1989 kur këngëtari italian Albano erdhi në Shqipëri dhe këndoi në stadium këngën “Liberta”, populli shpërtheu dhe këndoi bashkë me të. Liria e munguar ishte mbledhur si një uragan që priste të shpërthente dhe ja që mënyra u gjet. Të shprehej me këngë. Në ato moment unë mendova se edhe liria që ne anticipuam në Festivalin e 11 nuk kishte humbur pa kthim.
Luarasi: Zoti Kabo, si mendoni ju si antropolog, çdo të thotë që një masë mijëra njerëzish të këndojë në kor një këngë, çfarë ndodh me ta?
Kabo: Njeriu socializohet në shumë mënyra, që nga turma instiktive deri te komuniteti social dhe nga bashkësitë e besimit deri te rreshtimet ideologjike. Komuniteti më gjithëpërfshirës është ai që nuk kushtëzohet nga kritere të tilla. Arti e ka këtë magji dhe kënga si një art demokratik dhe thjeshtësisht komunikues e kryen këtë mision me kompetencë funksionale. Sa bukur është për këngëtarin, ndryshe nga shumë artistë të tjerë që mund ta kenë artin një krijim të mëparshëm, pikturë apo letërsi të krijuar në vetminë e ateliesë së tyre dhe publiku e merr më pas, si një materie të ftohtë. Kënga ndryshe, është një akt krijues i drejtpërdrejtë, kaq tronditës dhe kaq penetrues. Madje në koncerte ku këndohet më shumë se një këngë, spektatori nuk ka të ngopur nga “përroi i krijimit”. Performanca e këngëtarit e përfshin dhe spektatorin në një aktkrijim të pandërprerë dhe kjo është art-energjia prej muze që nuk shteron. Një këngë është si një kushtrim për njeriun e zakonshëm, dhe nxit forcën e ndryshimit. Në antikitet mëtohej se njeriu civil si qytetar mund të ndërtohej nga muzika. Aq sa Platoni thoshte se:
“Nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e një vendi pa ndryshuar muzikën e atij vendi.”
Kënga kalon çdo pengesë. Muri i Berlinit ra po në atë vit që ju përmendët koncertin e Albano Karuzos në Tiranë, më 1989-n. Por se atë pengesë betoni dhe izolimi Lindje-Perëndim, e kishin penetruar në një farë kuptimi që në fund të viteve ‘60 dhe në vitet ‘70 këngët e Bitëllsave. Para disa javësh organizoi një koncert madhështor, ndoshta i lamtumirës, këngëtari i shquar italian Adriano Çelentano.
Me këngën njeriu duke qenë se rrëfehet përmes tekstit të saj, ai kapërcen censurën e sistemit, por edhe vetëcensurën që, e mbanë peng të pengesave që mund të jenë sa social-historike po aq edhe të një morali të vjetër.
Zoti Luarasi: Më ndodhi që këtë pranverë të isha në Sarandë. Befas ndjeva erën e luleve të limonit. Ishte herët në mëngjes. Nuk u ndala të telefonoja tek i biri i Fatos Harapit. I thashë Sokol, era e limonit pas 40 vitesh më jep të kuptoj sot më mirë se kurrë, tekstin e këngës me vargjet, “pikonte erë limoni/ e besova, kishte ardhur pranvera. Të lutem përcillja këtë ndjesi edhe atit tuaj, poetit që nuk shteron, Fatos Harapi! Ju zoti Luarasi si mendoni sot, festivali sfidoi thjesht me tekstet e këngëve apo edhe me orkestrimin, me vijën melodike, me ritmin, ndriçimin, skenografinë, veshjen, performimin etj.?
Do ta quaja një sintoni multidimensionale, e cila sfidoi kohën dhe dogmatizmin ideologjik në Shqipëri. Bëre mirë që e kujtove poezinë e këngës së Fatos Arapit, “Erdh Pranvera”. Ky poet guxoi dhe mori mbi vete edhe kostot. Por se në atë kohë ka pasur edhe poetë të tjerë që krijonin për të mos botuar, si thotë edhe Kerteshi. I tillë ishte Jamarbër Marko. Një sfidant me vargje dhe lirika brilante, që ndryshe mund të lexohen, “unë jetoj edhe pa ju dogmat e sistemit, ndërsa ju nuk mund të ma vidhni lirinë e brendshme”. Ndihej në atë kohë një frymë lirie, një frymëzim më i çlirët, jashtë klisheve, dhe parullave standarde. Të gjithë poetët guxuan, sepse kishin filluar të ndienin ndryshe. Frynte në të gjithë ish-Lindjen Komuniste një erë e re, më liberale dhe më humane. Sigurisht për shkak të kulturës së munguar muzikore, për persekutimin e festivalit, diktaturës i vinte si argument më për shtat analiza e teksteve, sepse së paku “injorantët” e komunizmit në nomenklaturë, fjalët dinin t’i kuptonin në rreshta dhe nën to. Pranvera që vinte nga “era e limonit që mbulonte supet e njoma të vajzës” dhe jo nga “pranvera socialiste” që luftonte kundër bllokadës imperialiste-revizioniste, do të thoshte që nuk qenka partia që na tregon udhën e ndryshimit në jetë, por se qenka një ndjenjë universale dhe e pakonsumueshme, dashuria.
Tani kam unë një pyetje për ju zoti Kabo. Përse udhëheqja e asaj kohe u shqetësua kaq shumë nga një festival kënge?
Kabo: Unë gjykoj se festivali nuk e trembi nomenklaturën e kohës me devijimet në estetikën marksiste-leniniste. Nga devijime të tilla asnjë sistem nuk bie, e aq më tepër ata diktatorialë. Pushtetet mbështeten gjetiu, është ekonomia e para, janë institucionet financiare e monetare, dhe në tirani edhe ato represive. Po të ishte kaq e thjeshtë, historia e njerëzimit do të kishte pasur tjetër rrjedhë. Udhëheqja u shqetësua nga duartrokitjet dhe entuziazmi te njerëzit, çka tregonte se kulti i udhëheqësit dhe udhëheqjes, nuk ishte i paprekshëm. Festivali tregoi se njerëzit mund të adhuronin edhe gjëra të tjera. Kështu, sistemi humbiste gravitet dhe njerëzit ndërtonin kulte të tjera që nuk pengoheshin nga censura dhe shtrëngimi. Një aspekt tjetër është se kështu njerëzit në një komunitet entuziastësh e vrisnin frikën. Mos harrojmë se në sistemet totalitare, frika është më e tmerrshme se vdekja. Të dalësh nga frika do të thotë të kesh të hapur rrugën drejt lirisë. Qysh nga “Libri i Shenjtë” vjen porosia, “Të lirë nga frika!” Mendoj gjithashtu se, diktaturat nuk i lejojnë njerëzit të hyjnë në komunitete të tjera veç atyre ideologjike.
Zoti Luarasi, dua t’ju pyes për një gjë disi delikate. Gjyqi juaj i vërtetë i festivalit u bë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Gjyqi për burgosjen tuaj u zhvillua në Gjykatën e Tiranës. I pari një procesion inkuizitiv, çfarë tha për festivalin, si e argumentoi devijimin tuaj ideologjik, sepse është e kuptueshme, se gjykimi në gjykatë ishte thjesht një formalitet i pastër?!
Luarasi: Diku atje nga fundi i muajit shkurt të vitit 1973, në Lidhjen e Shkrimtarëve u zhvillua ajo që mund të quhet si “mbledhja e madhe”, ku unë për çudi me gjithë se isha edhe anëtar i Komitetit Drejtues të Lidhjes, nuk u ftova të merrja pjesë. Atje u fol jo vetëm për Festivalin e 11, por për devijimet ideologjike në art dhe në kulturë. Mbledhja u drejtua, më saktë u komandua nga tribuna prej Ramiz Alisë dhe Dritëro Agollit, i cili sapo ishte emëruar kryetari i ri Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. “Helmi” ishte përgatitur diku larg. Në zyrat e Komitetit Qendror, ose edhe te Sigurimi i Shtetit. U realizua tinëzisht vënia e artistëve kundër njëri-tjetrit.
Kështu kompozitorë dhe këngëtarë që nuk ishin përfshirë me krijimtari në festival, u hodhën në sulm pa kufij kundër kolegëve. Aq sa pati edhe nga ata që nxorën magnetofonat me incizime nga këngët e festivalit dhe si me “hanxharë” në duar tregonin se ku kishin qenë devijimet ideologjike. Kjo ka qenë e turpshme. Jo thjesht për atë sjellje antihumane dhe jo profesionale, por se kështu vritej i gjithë arti. Artistët kundër artistëve, kjo ka ndodhur në atë kohë të shëmtuar të diktaturës. E vetmja gjë që mund të them, pa i bërë përgjegjës ata që diskutuan, është pohimi i tyre gati unanim, se ai festival ishte ndryshe, në veshjet, në lëvizjet skenike, në tekstet e këngëve, në orkestracionet dhe në mënyrën e interpretimit të këngëtarëve. Ky qëndrim atëherë më shpuri në burg, sot tregon se kishim bërë diçka ndryshe nga “kanonet” ideologjike të kohës. E nënvizoj këtë fakt, sepse nuk më vjen mirë, jo mua si Mihallaq, por të vërtetës historike, kur dëgjojmë edhe sot, se festivali nuk është se solli ndonjë gjë të madhe, por se udhëheqja komuniste donte të godiste grupet armiqësore dhe duheshin gjetur disa argumente.
Zoti Kabo, ju si filozof si thoni, a ka rëndësi dhe pse, që ne t’u rikthehemi atyre që janë thënë në atë kohë?
Kabo: Unë gjykoj se ka shumë rëndësi që të mësohet e vërteta edhe prej atyre që janë gjallë sot, si Sadik Bejko që u mor me tekstet në atë festival, Fatos Harapi, Bujar Kapexhiu, Sherif Merdani, Vaçe Zela, Justina Aliaj etj., ndryshe në një të ardhme jo fort të largët, ne dhe brezat që do të vijnë, ose do të mësojmë një histori të rreme, ose nuk do të mësojmë gjë fare. Po nëse artistët dhe krijuesit e periudhës së Mesjetës, të cilët sfiduan në Rilindjen Europiane sistemin e kohës dhe e paguan me burgime e dënime me vdekje, do të mbuloheshin me heshtje dhe anashkalime, atëherë bota nuk do të njihte jo thjesht veprën e tyre, por edhe epokën kur ata jetuan dhe krijuan. Në një këndvështrim tjetër gjykoj se, ata që e goditën artin aso kohe janë gjallë dhe ende nuk kanë folur, nuk janë shpjeguar, nuk kanë kërkuar falje. Ata duhet ta kryejnë këtë meshë pendimi tani në të gjallin tuaj. Ja ju zoti Luarasi dhe Sherifi, i harroni dot vitet e burgut? Sigurisht që jo! Ju falni, por se historia nuk mund të na fali harresën. Ka kuptim të mos kujtojmë se çfarë ka ndodhur para 40 viteve dhe të kujtojmë se çfarë ka ndodhur para 100 apo 1000 viteve. Të ankohemi përse Perandori Bizantin u soll keq me Jan Kukuzelin, kompozitorin dhe këngëtarin e oborrit bizantin që ishte me origjinë nga Durrësi, dhe të mbyllim sytë që po këta njerëz që janë sot gjallë dhe me një “ok nder e tituj” të mos i përmendim për atë që kanë bërë në atë kohë, kundër Festivalit të 11, krijuesve dhe realizuesve të tij. Kjo do të ishte e pafalshme, sepse do të shisnim gënjeshtrat për të vërteta. Kjo nuk është histori, por një parodi faktesh. Një popull me histori të fshehur apo retushuar është një popull me dinjitet të mohuar. Ja përse nuk duhet të shkojmë te harresa.
Gjatë kohës së burgosjes, zoti Luarasi, sa liri rimerrnit kur kujtonit dramën “Njollat e Murrme” dhe Festivalin e 11 të Këngës, si silleshit me këto imazhe dhe tinguj?! A ka pas ndonjë moment që i ke mallkuar krijimet e tua fatkeqsjellëse, në pafuqinë e lirisë së humbur fizike?!
Luarasi: Sigurisht që në burg, brenda vetes nuk e kam mohuar kurrë veprën time. Nuk jam penduar për atë që kisha bërë. E doja veprën time si një krijesë të gjallë dhe frymëzuese. Në hetuesi dhe në gjyq kam mbajtur qëndrim kundër veprës sime, duke pranuar gabimet që kisha bërë si shkelje të vijës së partisë. Nuk kam qenë hero dhe as disident. Mund të dukem dhe jo trim. Ndoshta për një artist, trimëria duhet kërkuar tek arti i tij dhe jo përpara xhelatëve. Ndërsa në burg udhëtoja brenda vetes në hapësirat e veprës sime. Atje gjeja liri, frymëzim dhe dinjitet. Isha i dyzuar, sepse jam njeri-artist dhe jo artist-megafon, si dhe ndodhi me shumë nga ata që e shitën talentin, dhe sot fatkeqësisht nuk kanë as vepër dhe as dinjitetin njerëzor prej artisti. Një gjë e them me dinjitet edhe sot në këtë moshë të thyer. Para arrestimit më kërkuan me ngulm të shkoja në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe të bëja autokritikë për veprën. Në këmbim m’u premtua se nuk do të pësoja gjë. Unë bëra atë që më tha shpirti krijues dhe personaliteti im. Nuk shkova atje dhe ata më shpunë në burg. Më mirë kështu!
Çdo të thotë për ju Zoti Kabo të burgoset artisti dhe të burgoset arti?
Kabo: Do të thotë shkoqur dhe pa ekuivok, të burgoset liria, të burgoset frymëzimi, të burgoset etja për një tjetër botë më të mirë, më të begatë, më humane, dhe me më shumë dritë dhe shpresë. Artisti është një institucion multidimensional.
Arti ka një mision fisnik, largon gjithçka që e dëmton humanizmin, e bën njeriun subjekt të ndryshimit, sepse i ushqen ëndërrimin, i mpreh vigjilencën ndaj despotizmit dhe deformimeve që ai krijon. Arti, ndryshe nga shkencat dhe politika, hyn në shpirtin e njeriut me ndjenjë, me përjetim, me instinktet e tij dhe e gjithë kjo pa sforcime. I frymëzuar nga arti përparimtar, njeriu gjen modelin më të mirë dhe është i lirë në udhën e tij të jetës. Kur burgoset arti kjo do të thotë që shoqëria ka probleme të rënda, ajo rënkon nën peshën e ndryshimit të afërt.
Zoti Luarasi, cili është shqetësimi juaj në ditët tona për këngën shqiptare dhe artin në përgjithësi, ku po ecin ato dhe a janë në rrugën e duhur?!
Luarasi: Në lëmin e këngës dhe muzikës së lehtë ka një zhvillim të dallueshëm. Janë shtuar ata që quhen kantautorë, është modernizuar orkestracioni falë teknologjisë ku gjenden module të gatshme. Ka edhe këngë të frymëzuara. Kam një vërejtje. Nuk më pëlqen që shumë këngëtarë këndojnë në gjuhë të huaj dhe jo në shqip. Kjo nuk ndodh në vendet rreth e qark nesh në Ballkan. Më duket si një lloj snobizmi. Po dëgjoja një këngëtare që po intervistohej në televizion. Ajo shprehu gatishmërinë për të kënduar një këngë, por kërkoi si kusht që të mos këndonte shqip. Ndoshta unë jam sot një konservator, por ama jam njeri i lirë që ta them mendimin tim. Në pjesën më të madhe ajo që krijohet sot i takon asaj që quhet “subkulturë”. Ka suksese në pikturë, në kinematografi, në teatër, në muzikë, por se nuk duhet të mbyllim sytë edhe për pseudovlerat dhe pseudoartin që gjallon si pa të keq. Është e nevojshme që zëri kritik për artin të jetë profesional, gjë që ndodh jo shpesh, dhe të mos përcillet arti e vlerat e tij me publicistikë profane që nuk thotë gjë. Pa kritikën arti është jashtë kontrollit.
I dashur miku im Përparim, a mund të hedhësh më shumë dritë sesi dhe pse duhet të ruhet identiteti etnokulturor në një botë globale?
Kabo: Shoqëria e sotme globale është një shoqëri e hapur për ndryshim, është shoqëri e multikulturalizmit dhe e komunikimit shumë të shpejtë. Duhet të mbahet në vëmendje se civilizimet cilado qofshin ato, janë produkte historike me prurje në shekuj. Ata janë unikalë, por jo universalë, sepse kështu do të mbërrinim në një përfundim të gabuar. Do të thoshim se cili është civilizimi më i përparuar? Ai i kulturës perëndimore. Atëherë ai do të duhet të përhapet. Kështu do të injoronim dhe do të “vrisnim” kulturat dhe civilizimet e tjera, po aq të rëndësishëm dhe kontribuues në histori dhe për të sotmen. Kultura botërore është në një strukturë në shumës, sepse çdo popull, çdo etni ka një histori, ka arritjet e veta shpirtërore e materiale, ka artin dhe kulturën e vet, ka gjuhën dhe etnokulturën e tij, të cilat janë pasuri e tij, por edhe pasuri e shoqërisë globale. Globalizmi si një shtrëngim uniformizues dhe standardizues i kulturave, që sjell humbjen e identitetit e trashëgimisë, dhe që ushqen nga tregu qasjen si një imitacion i të të kënduarit apo të interpretuarit në film, teatër apo në artet si piktura e skulptura, do të sillte humbjen e pasurive të rralla që lidhen me individualitetin krijues dhe me tiparet identifikuese. Edhe vetë pluralizmi kulturor do të ishte i vetëshkatërruar, sepse thjesht do të kishim një megakulturë tregu uniforme dhe pa frymëzim. Nuk do të kishte më kuptim të flitej për kulturë në shumës. Kujdesi sot e mbron artin dhe kulturën edhe për të ardhmen. Në mënyrë metaforike do të thosha se “ka shampanjë në Francë por verë të mirë ka edhe në Ballkan dhe Europën Qendrore”.
Pyetja e fundit, zoti Luarasi. Si mendoni, a ka vlera muzikore orkestrale dhe kompozicionale “kënga” e Festivalit të 11? Ne duhet ta kujtojmë atë thjesht për ta nderuar apo edhe për ta ristudiuar për vlerat që po të mos ndërpriteshin mund të kishin sjellë shumë më tepër zhvillime artistike që aktualisht nuk i kemi!
Luarasi: Mund të duket zhgënjyese, por unë nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj pyetje!
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply