Është një mjeshtër i marketingut në internet, mendja që galvanizon batutat e politikanit që ka futur në siklet partitë e vjetra italiane. Ai ka për hero Genghis Khan-in
Beppe Grillo
Gavin Jones, “Reuters”
Beppe Grillo shkakton emocione të forta. Mbështetësit e tij besojnë se ai mund ta pastrojë politikën italiane dhe t’u japë njerëzve të zakonshëm më shumë zë në vendimmarrje. Kundërshtarët e tij e shohin si një populist të rrezikshëm që rikthen kujtimet e diktatorit fashist Benito Musolini.
Media ndërkombëtare e përshkruan Grillon si një komik, gjë që në një nivel ai është, por njeriu që bashkë me të krijoi dhe udhëheq Lëvizjen “Pesë Yjet”, e cila në vetëm tre vjet është bërë më e madhja në Itali, është shumë më tepër sesa kaq.
Pas tiradave të gjata kundër elitës politike dhe të biznesit, është një mendje e ndrojtur, një alterego jashtëzakonisht me ndikim dhe dëshirë për të fituar pushtet të plotë në ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës.
“E majta dhe e djathta do të qeverisin së bashku mbi rrënojat që ata kanë krijuar dhe kjo do të zgjasë për më së shumti një vit, pastaj lëvizja jonë do të ndryshojë botën”, tha Grillo pas triumfit të partisë së tij në zgjedhjet e dy javëve më parë.
Grillo ka zënë titujt kryesorë që nga zgjedhjet, por kjo është vetëm gjysma e historisë mbi Lëvizjen e tij antiestablishment “Pesë Yjet”. Shumica e strategjisë hartohet nga Gianroberto Casaleggio, një ekspert interneti që rrallë shfaqet në publik.
“Një njeri i vetëm në krye nuk është demokraci”, thotë Pier Luigi Bersani, pasi Partia Demokratike e drejtuar prej tij u mposht dhe ra në vend të dytë në zgjedhje. “Pas Bersani-t është Partia Demokratike, unë dua të di se kush qëndron pas Grillos.”
Përgjigjja është Casaleggio, dhe kompania e tij me bazë në Milano, “Casaleggio Associates”, biznesi i së cilës është të krijojë faqe interneti dhe fushata marketingu me bazë në internet për klientët.
Të dy burrat u takuan më 2004-n dhe më 2005-n, kompania e Caseleggio-s krijoi blogun jashtëzakonisht popullor të Grillos. Caseleggio ka drejtuar aktivitetet publike të Grillos që nga ajo kohë. Ata janë bashkëthemelues të Lëvizjes “Pesë Yjet”.
Në një nga debutimet më të mira të çdo partie në Europën Perëndimore që nga Lufta e Dytë Botërore, kjo parti mori 26 për qind të votave, duke kapërcyer parti historike si PD-ja e Bersani-t apo Partia e Lirisë e Berluskonit.
“Në rast se partitë e tjera nuk ndryshojnë udhëheqësit e tyre dhe arrijnë të rikthehen në kontakt me njerëzit e zakonshëm, Grillo me siguri do të vijojë të rritet”, thotë Elisabetta Gualmini, profesore e politikës në Universitetin e Bolonjës dhe vëzhguese e lëvizjes së Grillos.
Demokrat apo despot?
“Grillo ishte i vetmi që dha ndonjë shpresë për ndryshim”, tha Matteo Schiavetti, 22 vjeç, një student në Romë. Grillo dhe ndjekësit e tij, përgjithësisht të rinj, e prezantojnë veten si pionierë të një lloji të ri demokracie, më të barabartë, bazuar në pjesëmarrje të drejtpërdrejtë dhe jo përmes delegimit dhe hierarkive.
Megjithatë kritikët e tij thonë se ai është më shumë një despot se një demokrat. Ata tregojnë se në praktikë Grillo jo vetëm e kontrollon lëvizjen, por e ka atë nën pronësi, pasi ai i ka regjistruar markat që ka krijuar bashkë me Caseleggio-n në vitin 2009.
“Varësia e plotë nga Grillo nuk është shumë e qëndrueshme, ata do të duhet të krijojnë një strukturë dhe të lejojnë miniudhëheqësit të shfaqen ose gjithçka do të shpërthejë si flluskë”, thotë Gualmini.
Grillo tregoi kontrollin e tij të ashpër vitin e kaluar, kur përjashtoi dy këshilltarë vendorë që patën kritikuar mungesën e demokracisë së brendshme dhe pati vendosur një rregull në parti për të mos u shfaqur në debate politike me politikanët rivalë nga partitë “e vjetra”. “Nuk ka transparencë, Caseleggio krijoi gjithçka dhe e vetmja strukturë është Casaleggio Associates”, thotë Giovanni Favia, këshilltar për Rajonin Emilia Romanja, i cili u përjashtua nga partia, pasi pati mosmarrëveshje me Casaleggio-n.
Casaleggio, 59 vjeç, me flokë të gjatë e të pakujdesur dhe me syze të rrumbullakëta, është i bindur në fuqinë e internetit për të ndryshuar botën dhe shpesh është karikaturuar si një vizionar ëndërrimtar.
Por ata që e kanë takuar atë, thonë se është një tip praktik, me mendje të ndarë dhe të vendosur. Heroi i tij është pushtuesi mongol i shekullit të trembëdhjetë Genghis Khan dhe ka thënë se objektivi i tij final është që partitë e vjetra të Italisë të zhduken.
“Unë jam në rrugë, ndërsa Casaleggio është në internet, këto janë role të ndërthurura dhe asnjë prej nesh nuk është udhëheqës”, tha Grillo në një libër të publikuar me Casaleggio-n muajin e kaluar.
Musolini
Disa komentatorë e kanë krahasuar Grillon me Musolinin, duke parë kulte personaliteti të ngjashme, të njëjtat sulme sarkastike ndaj kundërshtarëve dhe refuzimin absolut ndaj partive tradicionale.
Ndërsa shumica e politikave të Grillos janë vite larg nga ato të diktatorit të kohës së luftës, ai, njësoj si Musolini, posedon një karizëm të rrallë dhe energji për moshën e tij 64-vjeçare.
Për të nisur fushatën e partisë së tij për zgjedhjet në Sicili vitin e kaluar, ai përshkroi me not ngushticën e Mesinës, një distancë e rrezikshme 3 kilometra ujë që ndan ishullin nga Italia kontinentale.
Grillo dhe Sacaleggio kuptojnë se italianët kanë nevojë për diçka të ndryshme. Dhe çdo gjë te “Pesë Yjet” është e ndryshme.
Kjo është partia e vetme që refuzon financimet shtetërore, ndërsa përfaqësuesit e zgjedhur prej saj me vullnetin e tyre i kanë ulur pagat vetes. Anëtarët e saj nuk dalin kurrë në debate televizive, ai komunikon pothuajse në mënyrë ekskluzive me blogun e vet, (www.beppegrillo.it) dhe ai refuzon të bëjë aleancë me partitë e tjera. Grillo synon të joshë të majtën dhe të djathtën. Sulmet e tij mbi partitë e vjetra “zombi” dhe biznesmenëve të dhjamosur, por edhe mbi sindikatat, për të cilat thotë se nuk i përfaqësojnë më interesat e punëtorëve. Dhe ai nuk është thjesht negativ. Ai ofroi gjithashtu mesazhe pozitive mbi faktin që politika mund të pastrohet dhe mund të ndryshohet, duke cituar në mënyrë të vazhdueshme këshilltarët vendorë të partisë së tij, të cilët kanë hequr dorë nga shumica e pagave të veta për të siguruar kredi të lira për bizneset e vogla.
Vrasje pa dashje
Vetë Grillo nuk do të jetë në Parlament, për shkak se është dënuar për vrasje pa dashje dhe rregullat që ai ka vendosur në partinë e tij thonë se një njeri me dënim penal nuk mund të bëhet deputet apo senator. Xhipi që ai po drejtonte në një rrugë malore më 1981 rrëshqiti në akull, ra në humnerë dhe vrau tre nga katër pasagjerët e tij. Mund të ketë shumë kontradikta në lëvizjen e Grillos, por një pretendim i zakonshëm se ai nuk ka politika, është në fakt i pavërtetë.
Ai është ekologjist me një platformë përgjithësisht të majtë bazuar te luftimi i privilegjeve, rishpërndarja e pasurisë, rritja e kontrollit publik në shkolla e sistem shëndetësor dhe shkurtimi i shpenzimeve për mbrojtjen. Ai beson në një demokraci më të drejtpërdrejtë, duke përdorur referendumet dhe internetin dhe kërkon ligje të reja për të pastruar politikën.
Gjithsesi, ai është lëkundur mbi çështje thelbësore, si anëtarësia e Italisë në Eurozonë, fillimisht duke bërë thirrje për dalje dhe pastaj për një referendum, e së fundmi, duke thënë se ai dëshironte vetëm një konsultim jodetyrues në internet.
“Grillo ka interes në ekonomiks dhe ka një aftësi të madhe për ta kuptuar atë”, thotë Mauro Gallegati, një profesor i ekonomiksit në Universitetin e Askonës, i cili e këshilloi Grillon për politikat ekonomike. Gallegati tha se taksa mbi 1 përqindëshin e më të pasurve në Itali duhet të shkojë drejt financimit të një pagese minimale për të papunët, një nga premtimet e shumta të Grillos.
Një taksë mbi pasurinë mund të godasë edhe vetë Grillon, si një nga aktorët më të suksesshëm të vendit për më shumë se 30 vjet. Në vitin 2005, ai pati të ardhura personale prej 4.3 milionë eurosh.
Edhe vetë stili i jetesës së Grillos nuk është gjithmonë në përputhje me qëndrimet e ambientalistëve. Ai ka pasur nën pronësi një “Ferrari” dhe një varkë, por tashmë përdor një “Tojota” hibride. Ai ka dy fëmijë me gruan e tij aktuale iraniane dhe dy të tjerë nga martesa e mëparshme.
Ndërsa politikat e Grillos janë pothuajse të gjitha majtas, ai tërheq gjithashtu mbështetje të konsiderueshme nga votuesit konservatorë, të cilët janë po aq të lodhur nga partitë e diskredituara dhe kërkojnë diçka të re.
Rreth 46 për qind e votave të tij erdhën nga e majta, 39 për qind nga e djathta dhe qendra dhe pjesa tjetër nga votuesit e rinj. Ndryshe nga partitë e tjera, mbështetja për të është e ndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë Italinë dhe mes shtresave të shoqërisë.
Ai merr më pak vota nga të moshuarit, të cilët kanë më pak akses në internet, por “ai pastron të gjitha votat mes të rinjve, të cilët kanë humbur të gjithë besimin te partitë tradicionale”, tha Gualmini.
Në mënyrë mbresëlënëse, suksesi elektoral u arrit nga një parti që në shumë mënyra as nuk ekziston. E gjithë lëvizja është e bazuar në internet. Kandidatët për në Parlament zgjidhen në zgjedhje brenda partisë që zhvillohen në internet. Ai nuk ka seli qendrore, as zyra vendore dhe as hierarki të brendshme me përjashtim të faktit që Grillo është udhëheqësi.
Organizimi i lehtë i lëvizjes e lejon atë që praktikisht të jetojë me vetëfinancim. Blogu i Grillos mbart disa reklama dhe simpatizuesit mund të kontribuojnë për këtë faqe.
Origjina
Grillo dhe Casaleggio ndoshta e kuptuan potencialin politik të tyre më 2007-n, kur manifestimet e protestës që ata organizuan në blogun e Grillos u zhvilluan në mënyrë simultane në të gjithë Italinë dhe tërhoqën rreth 2 milionë pjesëmarrës.
Fytyra e Grillos me flokët dhe mjekrën e bardhë e të çrregullt ishte shumë e panjohur në skenën ndërkombëtare para fushatës zgjedhore, por në Itali kishte qenë një emër i njohur për të gjithë që kur doli si komedian televiziv në vitet 1970.
Ai ishte djali i pronarit të një kompanie të vogël saldimi dhe studioi ekonomiks në universitetin e qytetit të lindjes Xhenova, por nuk i përfundoi kurrë studimet. Ai punoi për një kohë të shkurtër si tregtar rrobash para se të bëhej komik në një kabare.
Ai shpërtheu në popullaritet në televizion, ndërsa spektaklet e tij u bënë gjithnjë e më shumë djegëse dhe satirike. Më 1986-n ai vuri nën shënjestër Partinë Socialiste në një spektakël që zhvillonte të shtunën në mbrëmje, një lëvizje që i dha fund karrierës së tij televizive, por rriti popullaritetin e tij. Pjesa tjetër është histori. Grillo lëvizi nga televizioni në teatro dhe në sheshet publike, duke filluar transformimin e tij nga komik në udhëheqës politik.
Aktrimi i tij filloi t’u ngjajë fjalimeve në mitingje dhe fushatave elektorale, ku ai fliste për tema të tilla si energjia e rinovueshme, qytete më të gjelbra dhe korrupsionin mes udhëheqësve të Italisë. Ishte kjo tema e fundit që tingëlloi më shumë në veshët e audiencës së tij.
Për të zbutur zemërimin në rritje ndaj privilegjeve të kastës politike, partitë e Italisë u betuan në mënyrë të përsëritur se do të ulnin rrogat e veta, pensionet, si dhe do të ulnin numrin e politikanëve në rang kombëtar e lokal. Ata nuk e mbajtën kurrë këtë premtim.
Së fundmi, të njëjtat parti nuk arritën të ndryshojnë ligjin zgjedhor, i cili kritikohet ashpër nga i gjithë publiku, për shkak se fshehtazi ata besuan se mund të përfitonin. Si rrjedhojë, zgjedhjet nuk arritën të prodhojnë një shumicë dhe vendi mbeti i paqeverisshëm.
Tashmë koalicioni i qendrës së majtë, që mori shumicën e deputetëve, po përpiqet të bindë Grillon të bashkohet në një qeveri duke premtuar të njëjtat reforma. E gjithë Italia po pret vendimin e tij dhe të Casaleggio-s.
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply