Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka kërkuar deputetit të AKR-së, Behgjet Pacolli, të lajmërojë menjëherë vendndodhjen e tij, ose në të kundërtën sapo të shfaqet në pubik, Policia e Kosovës do të marrë masa, duke nënkuptuar kështu arrestimin e tij.
“Z.Pacolli i kërkojmë që të shprehet tani, menjëherë, se ku është, përndryshe nëse ai shfaqet në publik, brenda Kosovës, policia do të marrë masa sipas ligjeve në fuqi”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë për media.Sveçla ka folur edhe për vizitën e mbrëmshme të presidentit Thaçi në Shqipëri, duke deklaruar se Thaçi ka shkelur të gjitha rregullat e protokollit, duke mos njoftuar për lëvizjet e tij.
Sveçla ka ngritur dyshime se deputeti Behgjet Pacolli është futur në territorin e Kosovës me veturën e presidentit Hashim Thaçi.
“Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e Policisë kufitare që Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë pak pas orës 19. Kur eskorta e Presidentit është ndalur, është konstatuar që në veturën e dytë ndodhet Presidenti. Po ashtu është vërejtur që Presidenti ishte ulur në ulësen e parë, përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP. Po ashtu Policia, për shkak të xhamave të zinj, nuk ka mundur të dallojë nëse ka persona tjerë të ulur prapa. Vetura e Presidentit ka qenë e shoqëruar vetëm nga një veturë tjetër, në të cilën ka qenë vetëm shoferi.Për sqarim, në bazë të Ligjit për Protokollin Shtetëror, çdo vizitë e Presidentit jashtë kufijve, qoftë zyrtare ose private, duhet që të komunikohet te Protokolli Shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Tashmë është konfirmuar që Protokolli i Shtetit, për kundër dispozitave ligjore në fuqi, nuk është njoftuar lidhur me vizitën e Presidentit në Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Sveçla.
Më herët përfaqësuesi i “Vetëvendosjes” në Tiranë, Boiken Abazi, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë transparencë lidhur me karantinimin në Tiranë të Behgjet Pacollit, kreut të Aleancës Kosova e Re.
Behgjet Pacolli ka mbërritur në Tiranë mbrëmjen e 28 prillit nga Zvicra. Fillimisht, ai ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të lejohet të fluturojë me avionin e tij privat dhe më pas të shmangë karantinimin 14 ditor në ndërtesën e përcaktuar nga qeveria.
Qeveria e Kosovës i ka dhënë leje Pacollit të fluturojë me avion privat por jo të shmangë karantinimin, protokoll ky i rekomanduar nga OBSH dhe i aplikuar nga çdo shtet për çdo qytetar që vjen nga jashtë.
Pas këtij vendimi të qeverisë Kurti, Pacolli ka vendosur të fluturojë nga Zvicra për në Shqipëri. Këshilltari i tij, Naim Murseli, ka konfirmuar se Pacolli ndodhet në Tiranë, në apartamentin e tij dhe jo në hotelet e vendosura nga qeveria për karantinim.
Burimi/shekulli.com.al/


Leave a Reply