Drilon Pulaj
Foto: Ridvan Slivova
Lëvizjet artistike moderne e klasike kalojnë nga një koreografi te tjetra. Kalojnë në duar të koreografëve me famë ndërkombëtare, ngase kënaqësia e tyre për të punuar me Trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës u pëlqen dhe nuk hezitojnë, pavarësisht vendit tonë që çdo ditë përballet me sfidat financiare e politike.
Trupa e Baletit e Kosovës, këtë vit do të shfaqë premierën e parë më 6 mars, e cila ka një koreograf arbëresh nga Italia, Antonio Fini. Ai bashkë me 25 balerinë që përbëjnë Trupën e Baletit kosovar, do të shfaqen në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e cila do të jepet në stilin modern.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, për gazetën tha se ky është një nder për ta, pasi në kontakt me shumë koreografë ndërkombëtarë ai thotë se iu është propozuar italiani Antonio Fini, në kontakt me të rastësisht kishte treguar se preardhja e tij është Arbëria.
“Më e mira, ka gjak shqiptari dhe ftesa jonë atij i ka pëlqyer shumë dhe ka ardhur me kënaqësi të punojë me trupën tonë”, thotë Brahimaj.
Ndërkaq, për financimin e kësaj premiere dhe në përgjithësi për këtë vit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka ndarë 120.000 euro, të cilat sipas drejtorit Brahimaj, nuk mjaftojnë në ngritjen e cilësisë dhe angazhimin më të madh për artin e baletit, ndërsa për premierën e 6 marsit, ai thotë se nga buxheti baletit të Kosovës i janë ndarë rreth 30.000 euro.
“Për çdo vit mbajmë nga katër premiera, të cilat edhe na kushtojnë në kohë, përgatitje dhe gjithashtu edhe në të holla”, thotë Brahimaj.
Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, vitin që lamë pas ka mbushur 40-vjetorin e themelimit të saj dhe deri më tani nuk është ndërmarrë përfundimisht asgjë që ajo të ketë sallën e saj të veçantë për pregatitje dhe shfaqje për publikun.
“Edhe pse para 5 viteve patën filluar investimet për objekt baleti, i cili së voni u nda nga pjesa e Teatrit, objekti në fjalë nuk ka përfunduar për shkaqe financiare të cilat MKRS-ja nuk mund t`i mbulojë”, tha Brahimaj.
Që nga fillimi i shkurtit të këtij viti kur edhe kishin filluar përgatitjet për baletin kontemporan dhe, për herë të parë loja e balerinëve do të jetë në stil të panjohur për balerinët kosovarë, ngase koreografi kinez Michael Mao, i cili punon dhe vepron në Amerikë, është krijuesi i këtij stili dhe emri i stilit vjen nga vetë emri i tij, për të cilin koreografi Fini ka marrë përgjegjësi të punojë me balerinët e Kosovës.
“Çdo koreograf që ka bërë ndonjëherë shfaqje ka kaluar shumë mirë me trupën tonë dhe më e mira është se ata kanë kërkuar përsëri të kthehen e të punojnë me ne. Kjo tregon se profesionalizmi ynë lirisht mund të krahasohet edhe me balerinët e të gjitha vendeve tjera, që kanë eksperiencë dhe buxhet më të madh se Kosova”, u shpreh Brahimaj.
Për arritjet që janë mburrje e baletit kosovar, Brahimaj thotë se për një periudhë shumë të shkurtër kohore ata kanë arritur sukseset e tyre. Ndërsa për shfaqjen e stilit modern të koreografit Fini, drejtori Brahimaj thotë se kanë dashur të ndryshojnë stilin nga ajo klasike që e kanë pasur premierë herën e fundit të kalojnë në stil modern.
“Për arsye se kemi dalë para publikut me stil klasik, menduam ta thyejmë shijen dhe të kalojmë në atë modern, ashtu siç janë duke u bërë përgatitjet edhe trupa jonë e balerinëve është e kënaqur me këtë”, tha drejtori Ahmet Brahimaj. Deri në fund të vitit, Baleti i Kosovës do të shfaqë edhe tri premiera të tjera.
Zeri info
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply