
Gazeta Shqip
Rritja drastike e divorceve ka rritur shumë edhe numrin e fëmijëve që mbeten jashtë kontrollit të prindërve dhe përfundojnë nëpër jetimore.
Drejtoresha e Shërbimit Social, Kozeta Mesiti tha se kjo tendencë po krijon probleme të mëdha sociale
“Në institucionet rezidenciale të kujdesit për fëmijë janë komisionuar dhe janë sistemuar 119 fëmijë, 95 në institucione publike dhe 24 fëmijë të tjerë në institucione jopublike. Vitet e fundit fëmijët që sistemohen në institucione janë jetimë socialë, si rezultat i rritjes së numrit të divorceve dhe prishjes së familjeve”, tha Mesiti.
Kostoja për një fëmijë jetim që qëndron në Shtëpinë e Fëmijës është 70 mijë lekë në muaj. Përfaqësuesi i UNICEF-it, Detlef Palm tha se nëse këta fëmijë do të qëndronin në shtëpi, nën kujdestari prindërish dhe këto para t’i shkonin familjeve që do t’i mbanin, ata do të rriteshin me më shumë dashuri dhe kostoja do të ishte më e ulët. Palm theksoi se mbështetja e familjes biologjike është shumë e rëndësishme dhe kjo mund të conte dhe në mbylljen e shtëpive të foshnjës për fëmijët nga 0 deri ne 3 vjeç.
“Një pjesë e madhe e reformës sociale është transformimi i institucioneve rezidenciale në kujdes të bazuar në komunitet ose në familje. Një fëmijë e ka vendin në familje dhe jo në institucion dhe kjo nuk është gjëja më e mirë për fëmijët. Kostoja mesatare, 70 mijë lekë në muaj dhe vetëm për një pjesë të këtyre parave ju mund të gjeni familje që kujdesen për ta dhe t’i japin dashuri. Ne duhet të transformojmë punën tonë sociale. Më kanë thënë që nuk ka shtëpi fëmijësh nën tre vjeç në Kosovë dhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë këtu. Kjo nuk do të thotë që ju do të ngelni pa punë, thjesht do të ndryshojë puna”, – tha Palm.
21 shkurt 2013 (gazeta-Shqip.com)/TCH
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply