Një grua në shtetin e Uashingtonit ka vdekur nga koronavirusi duke shënuar rastin e parë të vdekjes në SHBA. Lajmi u njoftua të shtunën nga zyrtarët e shëndetit publik. Presidenti Trump duke iu referuar të dhënave më të fundit pas vdekjes së parë të raportuar në SHBA tha se ajo ishte një grua mbi 50 vjeç dhe e me të dhëna mjeksore që tregonin rrezik të lartë për shëndetin.
Presidenti tha gjithashtu se nuk ka vend për panik dhe se çdo amerikan i shëndetshëm nesë preket nga COVID-19 do të jenë në gjendje të shërohet.
“SHBA ka ndërmarrë masat më agresive në historinë moderne për të përballuar përhapjen e kësaj sëmundjeje”, tha presidenti.
Duke iu referuar rastit të gruas që humbi jetën si pasojë e koronavirusit drejtori i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Robert Redfield tha se nuk kishte prova se ky përbënte një rast të lidhur me udhëtimet jashtë vendit.
Nënpresidenti Mike Pence njoftoi gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se Uashingtoni do të ndalojnë udhëtimet drejt Iranit si përgjigje ndaj situatës së krijuar atje për shkak të koronavirusit të ri. SHBA gjithashtu kanë rritur nivelin e paralajmërimeve mbi udhëtimet drejt Italisë dhe Koresë së Jugut.
Të premten Shtetet e Bashkuara raportuan rastin e katërt me koronavirus për të cilat autoritetet thonë se nuk janë ende të qartë mbi mënyrën e infektimit të tyre.
Rasti më i ri u konfirmua në shtetin e Uashingtonit. Autoritetet në Oregon njoftuan gjithashtu të premten për një pacient i cili sipas tyre dyshohet se mund të jetë bartës i virusit, dy rastet e tjera janë identifikuar në Kaliforni.
Numri i rasteve me koronavirus në SHBA llogaritet në rreth 66.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply