Historiani David Cannadine tregon për rënien dhe ngritjen e xhevahirit në qendër të Nju Jorkut, si një simbol i epokës së artë të Amerikës
Njëqind vjet më parë, në shkurt të vitit 1913, u përurua në Nju Jork një nga ndërtesat më të ndërlikuara dhe më madhështore – një amalgamë e jashtëzakonshme e sofistikimit teknologjik dhe mrekullisë arkitektonike. Kur e pashë për herë të parë, në fillim të viteve 1970, u përfshiva i tëri në të dhe më pëlqeu aq shumë, sa edhe sot, pas 40 vjetësh, ajo është ende në shpirtin tim. U ndjeva me fat që vura këmbën atje. Ajo ishte – dhe akoma është – e vendosur në epiqendrën e vërtetë të qytetit, në Manhatan, në Rrugën 42 dhe në “Park Avenue”. Ajo u ndërtua fillimisht për hekurudhën qendrore të Nju Jorkut, në pronësi të familjes Vanderbilts dhe u quajt Stacioni i Madh Qendror, sepse të gjitha linjat hekurudhore përfundonin atje.
Por më shumë është i njohur si “salloni” i Nju Jorkut. Në momentin e parë që u ndërtua, Stacioni Qendror u vlerësua si një mrekulli inxhinierike.
Në thellësitë e nëntokësore të Manhatanit është “gdhendur” një hapësirë e madhe, ku trenat mund të lëvizin nëpër platforma në dy nivele të ndryshme. Aty shkallët janë zëvendësuar me platforma me pjerrtësi të butë dhe në kuptimin e ndriçimit dhe të fuqisë, ai ishte një nga stacionet e para, i gjithi elektrik.
Ndërsa mbi tokë u ngrit një ndërtesë spektakolare, e gjitha në mermer; llambadarë, skulptura dhe pasqyra, pjesa kryesore është një sallë e stërmadhe pritjeje për pasagjerët. Kjo sallë u bë fiksim për sytë e magjepsur të miliona njerëzve. Ata mund të shëtisnin sytë në tavanin në formë fuçie të lyer me blu dhe të dekoruar me shenjat e horoskopit.
Tri vjet më parë dhe 10 lagje më në jug, u ndërtua Stacioni Hekurudhor i Pensilvanisë nga kompania rivale me të njëjtin emër. Ky stacion zuri të gjithë tokën mes bulevardeve 7 dhe 8 nga rruga 31 në rrugën 33. Penn, siç u njoh nga publiku ky stacion, ishte me të vërtetë një stacion treni, jo një terminal, pasi ishte një pikë ndalese në atë që u quajt më vonë Korridori i Bregut Lindor, sistemi infrastrukturor që fillonte nga Bostoni dhe përfundonte në Uashington DC përmes Nju Jorkut dhe Filadelfias.
E projektuar nga kompania njujorkeze “McKim” dhe e krijuar në stilin e kohës të Artit të Bukur, ajo u ndërtua në granit rozë me kolona dhe skulptura të bollshme. Salla kryesore e pritjes, e modeluar sipas banjove të Karakalës në Romën e lashtë, ishte në atë kohë një nga hapësirat më të mëdha të mbuluara në SHBA. Këta dy tempuj madhështorë për trena u ndërtuan në vitet e para të shekullit të njëzetë, kur hekurudhat e SHBA-së ishin në kulm të fuqisë dhe prestigjit.
Ata lidhën së bashku një komb që i kishte mbijetuar Luftës Civile, një komb që ishte transkontinental, që shtrihej nga një det në tjetrin dhe që dukej pa limite në aspirata.
Këtu ishte vendi i parë me njerëz miliarderë, një gjigant industrial që krijonte me bollëk milionerë gjatë asaj që me të drejtë u quajt “epoka e artë”, dhe që pas pak shpërtheu në skenën botërore pas suksesit të vet në luftën me Spanjën.
Kështu nisi ajo që më vonë u quajt “Shekulli i Amerikës” dhe, në këtë fillesë, hekurudhat qenë njëkohësisht simbol dhe shkaktarë të këtij ndryshimi mbresëlënës.
Asnjë qytet nuk simbolizonte më shumë pasurinë, energjinë dhe dinamizmin e aspiratat e Amerikës së fillimit të shekullit të njëzetë se sa Nju Jorku, qyteti që u bë metropoli i parë botëror në Hemisferën Perëndimore.
Por kishte sakaq shumë më tepër se kaq, për shkak se në vitin 1900, qyteti ishte bërë vendi ku besohej se e ardhmja po ndodhte, gjë që kishte qenë më herët e vërtetë për Londrën e vitit 1800 dhe që në kohën tonë është e vërtetë për Shangain dhe Singaporin.
Pra ishte tërësisht e natyrshme që stacioni Penn dhe Stacioni Qendror u konceptuan dhe ndërtuan në stilin më të ekzagjeruar të mundshëm, si një pikënisje triumfale për ata që po udhëtonin në distanca të mëdha përmes tokave të mundësive të pafundme, ashtu siç ishte edhe pika e hyrjes për njerëzit që po vizitonin Nju Jorkun, për të kapur një pamje të së ardhmes.
E gjithë kjo tregonte se në Amerikë, udhëtimi me tren, nisja dhe mbërritja në qytete madhështore dhe stacione madhështore, ishte një përvojë që plotësonte një aventurë gazmore.
Por brenda një gjysmë shekulli, panorama ndryshoi në mënyrë dramatike, sepse ndërsa SHBA vijoi në udhëtimin e saj në dukje të paepur drejt madhështisë botërore dhe mirëqenies së paprecedent, burimi kryesor i suksesit nuk qenë më trenat.
Në vitet 1950, trenat po mposhteshin nga aeroplanët dhe makinat. Kompanitë e hekurudhave po humbisnin para dhe po ecnin drejt falimentit. Rrjedhimisht, stacionet dikur krenare u lanë pa mirëmbajtje dhe filluan të kalben e të humbasin shkëlqimin, duke qëndruar në mes të rrugës mes modernitetit dhe progresit dhe zhvillimit të pronave të patundshme.
Nuk ishte pra surprizë kur më 1963, vetëm një vit pasi hyrja ceremoniale e stacionit Euston në Londër u shkatërrua, çatia dhe sallat e granitit të stacionit të Pensilvanisë në Nju Jork u reduktuan në rrënoja.
Të gjitha kolonat dhe shumica e skulpturave u hodhën pa ceremoni në vendin e hedhjes së mbetjeve të ngurta në Nju Xhersi, në anën tjetër të lumit Hudson.
Kryevepra e fillimit të shekullit u zëvendësua nga një stacion nëntokësor, mbi të cilin u ndërtua një kompleks jo shumë mbresëlënës sportiv.
Kontrasti i madh me ndërtesën krenare madhështore që u shemb, ishte me të vërtetë shumë jofrymëzues. Aq sa një historian i rëndësishëm i arkitekturës, Vince Scully e përshkroi atë në termat më kritikë të mundshëm.
Më parë, tha ai, ti mund të hyje në Nju Jork si zot, por tashmë të duhet të zvarritesh si mi.
Mua gjithmonë më ka ardhur keq që nuk arrita të shoh kurrë stacionin Penn siç ishte në fillim dhe kur ai u shkatërrua, dukej vetëm çështje kohe para se edhe Stacioni Qendror të kishte të njëjtin fat.
Që nga vitet ‘50 ka pasur vazhdimisht propozime për ta shembur atë dhe që kur Stacioni Penn u shkatërrua, një skemë është hartuar për të ndërtuar një qiellgërvishtës masiv në vend të stacionit.
Por megjithëse ndërtuesit ishin të vendosur për të zbatuar planet e tyre, opinioni publik filloi të ndryshojë. Shumë nga njujorkezët u ndërgjegjësuan dhe në fillim kundërshtuan e më pas u erdhi keq për shkatërrimin e Penn si një akt i papërgjegjshmërisë qytetare dhe një sjellje kulturore filistine.
Kështu fushata publike filloi, e mbështetur nga Jacqueline Kennedy Onassis, në mënyrë që Stacioni Qendror të mos pësonte fatin e Penn. Aktivistët luftuan gjatë, ashpër dhe kushtueshëm, por ata mbërritën deri në Gjykatën e Lartë ku më në fund fituan në vitin 1978.
Kështu, Stacioni Qendror mbijetoi, megjithëse përgjatë debatit, ai nuk arriti të lulëzojë. Tavani madhështor dikur i dekoruar më së miri u errësua nga pluhuri dhe tymi dhe vendi u bë Meka e shumë të pastrehëve të qytetit.
Por në vitin 1988, u njoftua një rikonstruksion tërësor dhe Stacioni Qendror u rikthye në krenarinë e dikurshme. Dhe megjithëse stacioni Penn, për fat të keq nuk mund të rindërtohet më kurrë, ka plane që një ndërtesë impresionuese e postës aty pranë, gjithashtu e dizenjuar nga “McKim”, të transformohet në një sallë pasagjerësh, gjë që do të kthejë edhe një herë përvojën e udhëtimit me tren dhe magjinë që e shoqëron atë.
Edhe për disa kohë, ne jemi duke u zvarritur si minj, por në stacionin e Pensilvanisë, zotat mundet me të vërtetë të rikthehen e ndoshta do të jetë mirë të nisë një fushatë për të rikthyer stacionin Euston të Londrës.
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” shkodrani









Leave a Reply