Unë Veseli dhe Vasili
Nga Siri Sulejmani, shkrimtar
Tregim i jetuar nga Athina: Drama e një shqiptaro-greku që ka ndërruar emrin për të mbijetuar në Greqi dhe tani kërkon të vijë në Shqipëri për të gëzuar emrin e vërtetë
Pas shumë peripecish të ankthshme në Athinë, fillova punën. Banoja në Platine Vathi, në një hotel të vjetër, por me një emër të bukur “ Orea Thesalia “ …. Po afroheshin Krishlindjet . Të dielën shkova në lagjen Anoilisja, ku banonte një kushërira ime familjarisht. Aty nga ora dhjetë dolëm me kushërirën për të psonisur në “Laiqi”. Ishte ky një pazar me mjaft interes për qetetarët. Zhivllohej një herë në javë në çdo lagje. Bllokohej një hapësirë rrugësh për qarkullimin e automjeteve dhe vërshonin aty bashkë me mëngjesin tërë llojet e mallrave me një çmim më të ulët se mallrat e dyqaneve. Pasi mbushëm një karrocë dore me ushqimet që duheshin për të gjithë javën ,shkuam te një banak i improvizuar mbi të cilin ekspozoheshin gjithfarë lulesh të freskëta. Kushërira do blinte një tufë lulesh për pronaren e shtëpisë ku ishte strehuar, e cila kishte ditëlindjen. Në mes të luleve qëndronte i gatshëm për të shërbyer një burrë i shëndetshëm rreth të gjashtëdhjetave. Ndërsa bisedonim me kushërirën për zgjedhjen e luleve, shitësi na foli shqip:
-Urdhëroni patriote, me se mund t’ju shërbej?
-Shqiptar qenkeni? E pyeta disi i befasuar.
-Po , shqiptare jam, të shkretën ,çish të jem?, – u përgjigj në dialektin çam.
-Tuajat janë lulet?
-Të miat.
-Bravo, sa mirë qenkeni rregulluar kaq shpejt?!. i thashë kureshtar.
-Jo errmi, nuk jam refugjat, jam vendas, domethënë shqiptaro-grek.
-Po si e paske ruajtur gjuhën kaq mirë?
-E kemi ruajtur ne të moshuarit, ..të rinjtë e flasin përzier.
– Si quheni?
– Vasil…
– Ç’ne Vasil? – këmbëngula.
Ai qeshi dhe ma shpjegoi:
Kur çamët u larguan me dhunë pas luftës së dytë botërore, ne nuk mundëm të largoheshim dot. Kështu erdhi puna. Grekët na kërkuan ose të ndërronim emrat dhe të jetonim të qetë, ose të largoheshim në Turqi: Pleqtë vendosën të qëndronim. Nuk kishim mundësi të merrnim udhëtime nëpër botë. Kështu unë kalova nga “Vesel” në “Vasil” . Tashti jam larguar nga vendlindja. Jetoj nja dyzet kilometër larg Athinës. Kam shtëpinë time dhe një serë, ku i prodhoj vetë lulet.Kam edhe një kamjonçinë që i sjell nëpër tregje. Pa çish të bënim errmi? Duhet jetuar e shkreta jetë , – tha si për t’u shfajësuar. Ngaqë kisha takuar shumë refugjatë shqiptarë , të cilët, për t’u pranuar në punë, e kishin ndërruar emrin mysliman, por që i mundonte ankthi i atij veprimi , e pyeta Vasilin : Më thuaj të vërtetën, nuk ndien ndonjëfarë frike kur kujton emrin tënd të vërtetë që të kanë vënë prindërit?
-Mbase ke parë nëpër disa zyra se si punonjësit mbajnë të varur në grykë një tabelë të shndritshme, ku shkruhet emri i tyre? – më pyeti. Unë e aprovova me kokë, kurse ai vazhdoi: Sa herë më shkon mendja te emri i vënë nga gjyshi, më duket sikur në qafë kam të varur një tabelë si ajo që të thashë, ku shkruhet : “Ky njeri ka ndërruar emrin”!. Ee…….çish të bësh, kështu na ra jeta dhe duhet ta jetojmë vëlla!
Sinqeriteti i tij më dha kënaqësi të veçantë. Në të gjitha fjalët që thoshte ishte i saktë . Urrejtjen e “afendikojve” grekë ndaj emrave myslimanë të shqiptarëve, e kisha provuar vetë kur fillova për herë të parë punë si shitës në Agoria, në qendër të Athinës, ndonëse rastësisht kisha një përparësi, të cilën e dija përpara se të shkoja në Athinë : nga gjysma e parë e shekullit të njëzetë në Greqi kishin jetuar dy poetë me famë popullore: Sucos dhe Suris. Ishin bejtexhinj të njohur, si Selim Hasani ynë, nga Brataj i Vlorës. Në fabrikën ku kisha nisur punë si saldator dhe tezgjaist, megjithqë brenda muajit kisha krijuar miqësi me bashkëpunëtorët e mi, kur u tregova edhe mbiemrin “Sulejmani”, më rrethoi një mjergull e ftohtë, sikur në mes tyre të ishte futur bash Sulltan Sulejmani. Kështu mbiemrin që shkonte në ”ekstrem” nuk ma përmendnin fare , ndërsa emrin ma rregulluan me atë të Suriut poet, me të cilin ishte emërtuar edhe një rrugë në periferi të Athinës.. Gjatë një jete tepër të lëvizshme nepër kantjeret e atdheut, më kishte rënë rasti të punoja me çekët, rusët, polakët, por tek askush nuk kam gjetur bezdinë, apo të keqen e emrit, ndryshe te të tjerët, siç ndodhte me grekët! Nuk e kuptoj çfarë e mundon këtë popull të lashtë!! Duke i njohur nga afër , përreth një viti e gjysmë, nuk kisha vënë re ndonjë epërsi, përkundrazi, në masën e gjerë ndihej lehtë mediokriteti në kulturën e përgjithshme…Bashkëpunëtorët e mi çuditeshin se si unë “allvanosi” njihja Kazanzaqin, Ricosin, historinë e njerëzve të mëdhenj të antikitetit, apo edhe tragjedinë e Niko Bellojanit…
Në kohën kur po ndaheshim me Vasilin, ai më përqafoi dhe më tha:
Më beso vëlla, jam në hall. Tashti që Shqipëria ka ecur përpara dhe është bërë mirë, ndërsa Greqia po ikën poshtë e më poshtë, nuk do ishte keq të vija atje për punë, të bëja dy sera me lule … Mund të ndodhë që unë Vasili , të kërkoj atje emrin tim Vesel. Kush ja din kësaj bote se sa ndryshon, ore vëlla! Dhe ia dha të qeshurit me gjithë zemër.Vetëtimthi pashë një lot t’i shkiste vjedhurazi deri poshtë, gjersa u ndal te mjekra…dhe u duk se ngriu.
kombetare.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply