Gazeta Shqiptare
Fatmira Nikolli – Siç është në traditën e RTSH, së shpejti do të zhvillohet analiza e festivalit që do të jetë e hapur për shtypin dhe publikun. Debatet janë të natyrshme ndërsa vendimi i jurisë është i pavarur dhe padiskutueshëm”. Ka qenë ky reagimi i drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçi, pas kërkesës së “GSH” për një prononcim mbi detajet dhe pozicionin e vetë RTSH në këtë debat. Në vazhdë të debateve dhe deklaratave publike mbi Festivalin e Këngës në RTSH, atij ju kërkua një intervistë, duke qenë se ka pasur shumë zëra pro e kundër dhe zëri i munguar ishte ai i RTSh. Në interes të informimit publik dhe me dëshirën për të ofruar të gjitha mendimet dhe argumentet, Gëllçi tha se do të flasë pas analizës. “Mund të bëjmë intervistë vetëm pas analizës. Unë nuk përfaqësoj veten në këtë rast”, tha ai më tej.
Kujtojmë se çmimi i parë në këtë festival shkoi për këngën “Shaj” interpretuar nga Arilena Ara me muzikë të Darko Dimitrov & Lazar Cvetkovski e tekst të Lindon Berishës. Ndërsa çmimi i dytë për këngëtaren Elvana Gjata që mbante vetë autorësinë e tekstit dhe muzikës. Diferenca mes të dyjave ishte tri pikë, dhe prej ditësh në qendër të vëmendjes janë vënë dy anëtarët shqiptare të jurisë, poetja Rita Petro dhe etnomuzikologia Mikaela Minga e cila u dha vetëm 2 pikë Gjatës. Ndërkaq, videot e finalistëve të festivalit të RTSH-së (Radio televizionit Shqiptar), janë fshirë nga kanali i “Youtube” i RTSH-së, një vendim për të cilin ende nuk ka një reagim publik. Lista e krijuar posaçërisht për këngët e këtij edicioni nuk gjendet më. Gjatë ditës së mërkurë u raportua se një pjesë e këngëve janë fshirë, ndërsa disa të tjera janë bërë private. Ndërkaq, tani, në kanalin e RTSH në Youtube mund të gjenden këngët e festivalit me versionin video të regjistruar gjatë netëve në skenë, por jo në versionin audio me foto siç ishin disa ditë para nisjes së festivalit siç u trumbetua për të dëgjuar para nisjes së festës së këngës, konkurrentët.
REAGIMI
Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe pedagogu e kompozitori Enis Mullaj. Ai thotë se nuk reagoi njeri kur foli për deformimin e festivalit, për krimin e futjes së autoreve të huaj, kur tregoi se këngët që ishin pranuar në festival nuk ishin prezente dhe nuk ishin dorëzuar sipas procedurave. “Unë jam muzikant. Jam kompozitor. Thembra e Akilit në këtë rast nuk është vetëm cilësia e këngëve, por futja e të huajve në festivalin kombëtar të muzikës shqiptare. Muzika është gjuhe komunikimi, globale, universale. Në Shqipëri ka muzike shumë të mirë, ka artistë, këngëtarë, kompozitorë e producentë, tekstshkrues dhe shkrimtarë, jo vetëm të talentuar dhe punëtorë, por dhe të update-tuar me çfarë ndodh rreth e rrotull nesh”, thotë ai mes të tjerash.
Shton se kënga e Elvana Gjatës “Me tana” Hit, me gati 4 milionë klikime, kishte një tekst me disa dialekte të përziera, një tekst i pa thelluar dhe intelektualisht i pangritur, një tekst pa mesazh dhe pa ide novatore. “Muzika e kësaj këngë ishte një imitacion, një variacion ‘shqiptar’ i këngës ‘Fuego’ të Eleni Foureira. Me motive ballkanike të stërdëgjuara, me tinguj moderne, samplim dhe chop vokalesh të ndërhyra në formantet e tyre dhe me një energji dhe adrenaline të mirë për të kërcyer. Kënga e Elvana Gjatës nuk ishte tallava. Nuk kishte as tinguj që luanin me çerektone apo cent apo qofte dhe ritme me rrahje te komplikuara”,-thotë ai.
FESTIVALI I RTSH/ Thoma Gëllçi: Vendimi i jurisë është i padiskutueshëm


Leave a Reply