Teksa na ndajnë rreth dy javë nga mbledhja vendimtare e Këshillit Evropian, po rriten gjasat që Holanda të vendosë veton kundër çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Mos ndryshimi i qëndrimit të Holandës zyrtare, e grupuar mes vendeve skeptike rreth ecurisë së vendit tonë në drejtim të përmbushjes së kritereve të vendosura nga Komisoni Evropian, është rikonfirmuar nga ministri i Jashtëm, Stef Blok.
Së fundmi, Blok është shprehur se Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, “veçanërisht në trajtimin e fenomenit të korrupsionit dhe në sundimin e shtetit ligjor”, raporton e përditshmja “De Telegraaf”. Ndërsa, diametralisht i kundërt është pozicionimi kundrejt Maqedonisë së Veriut, vendit tjetër kandidat karshi Shqipërisë, i cili paraqitet në një terren më të volitshëm, sidomos pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes shumëvjeçare për çështjen e emrit me Greqinë. “Maqedonia Veriore ka ndërmarrë hapa të mëdhenj përpara. Përparimi në sundimin e ligjit duhet të vazhdohet, kështu që ne shohim hapësirë atje “, citohet të ketë thënë Blok në një mbledhje të Këshillit të Ministrave nga “De Telegraaf”.
Kjo qasje e Holandës ndaj Shqipërisë u pohua pak ditë më parë, kur Bundestagu gjerman vendosi për dhënien e pëlqimit për hapjen e kushtëzuar të bisediemeve të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Gjatë një seance të para pak ditësh në Komisionin për Çështjet Evropiane, Blok ka theksuar se qëndrimi i vendit të tij ndaj Shqipërisë do të jetë i ngjashëm me atë të mbajtur përpara verës, kur u theksua se nuk do të çelen negociatat pa u plotësuar kushtet e qershorit të 2018.
“Zgjerimi është sërish në agjendën e tetorit. Jam i lumtur t’u përgjigjem pyetjeve që më janë bërë, por nuk do të ketë surpriza, pasi qëndrimi është i njëjtë me atë që diskutuam përpara verës. Besoj se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vlerësohen në mënyrë të pavarur sepse janë dy vende të ndryshme me probleme të ndryshme dhe proges të ndryshëm. Unë tregova më herët se shkalla e progresit në Maqedoni është e madhe se në Shqipëri”, është shprehur ministri.
Ndërkohë, akoma më herët, parlamenti holandez kaloi në qershor një mocion në të cilin një shumicë e konsiderueshme deputetësh u rreshtua kundër bisedimeve të pranimit me Shqipërinë.
kohajone.com


Leave a Reply