Akuza të forta nga PD për kryetarët e bashkive dhe deputetëve të votuar nën logon e së majtës. Pjerin Ndreu, Valbona Sako, Damian Gjiknuri etj. të përfshirë në skandale korrupsioni, vjedhje votash e trafik droge
Erjon Dervishi
Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se jo vetëm që ishte në dijeni të së shkuarës së Valdrin Pjetrit, por e vendosi atë në krye të Shkodrës pikërisht për shkak të aktivitetit të tij. Kreu i PD-së tha në një konferencë për mediat se Valdrin Pjetri i duhet Ramës për të garantuar rrugën ballkanike të trafikut të drogës që kalon përmes Shkodrës. Por nga ana tjetër Basha bëri publike edhe një listë me 17 kandidatë bashkiakë dhe deputetë të Ramës që janë në listën e zezë. ‘Në këtë listë është edhe Olsi Rama’, tha Basha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Lulzim Basha:
Tani Rama po përpiqet me shpejtësi të lajë duart. Në të vërtetë Pjetri dhe rasti i tij do të ishte i parëndësishëm, nëse e vërteta do të ishte siç thonë mercenarët e Edi Ramës. Por e vërteta është ndryshe. E para, rasti i Valdrinit nuk është rast i shkëputur. Sot, një pjesë e mirë e të gjithë kryebashkiakëve, që Edi Rama u imponoi me dhunë shqiptarëve janë me të shkuar kriminale ose me lidhje të tanishme kriminale. Pjerin Ndreu në Lezhë një njeri nga lista e zezë a ambasadës amerikane për përfshirje në trafiqe, u hoq nga policia me Fatos Nanon, u rikthye deputet me Edi Ramën, u kap në dosjen 184, u kandidua për Bashkinë e Lezhës. Valbona Sako në Durrës është e përfshirë në vjedhjen e votave në bashkëpunim e krimin dhe është përfaqësuese e bandës Dako-Avdylaj me familjarë eksponentë të rëndësishëm të drogës. Artur Bushi në Krujë është i dënuar për trafik droge dhe nuk duhet të jetë kryebashkiak. Agim Kajmaku në Vorë është një person me dy identitete dhe i përfshirë në veprimtari të paligjshme në Greqi. Dionis Ymeraj në Dibër është gjithashtu njeri me të shkuar kriminale. I pushuar për korrupsion dhe nën hetim për korrupsion, i përfshirë në vjedhjen e votave në Dibër, përfaqësues i bandës së Ymer Lalës. Rakip Suli duhet të ishte përjashtuar dhe ndjekur penalisht, kur ishte deputet, për përfitimet e paligjshme në konflikt interesi për objektet me qira e me kontrata, por as nuk u përjashtua, as u dënua, por u kandidua. Tërmet Peçi në Tepelenë, Klement Ndoni, të arrestuar në flagrancë nga policia dhe të ndjekur nga prokuroria për qindra kilogramë kanabis. Në krye të pushtetit lokal Rama po mundohet të imponojë sot përfaqësues të krimit dhe të pakicës kudo në Shqipëri. Edi Rama dhe mercenarët e tij në media dhe kudo, që sot po përpiqen t’i bëjnë dalje Valdrin Pjetrit duke larë duart, nuk patën asnjë fjalë për të thënë për Vangjush Dakon. E ndaluan edhe SHBA-të të hyjë në Amerikë për korrupsion, por Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk thanë asnjë fjalë dhe nuk shkruan asnjë rresht. Për Damian Gjiknurin e kapur në korrupsion dhe në tentativë për të pastruar para në SHBA, të kapur në dosjen e 184 si koka e operacionit për shitblerjen e votave me bandën e Ymer Lalës, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë asnjë koment. Për Jurgis Cyrbjen, përfaqësuesin e bandës së Shullazit në Kuvend, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë thënë asnjë fjalë dhe nuk kanë shkruar asnjë rresht. Nuk ka thënë e shkruar asgjë as për Ilir Ndrazhin, përfaqësuesin politik në Kuvend të bandës së Avdylajve. As për Rrahman Rrajan, as për Taulant Yaris, as për Ulsi Manjën, Xhemal Qefaliajn, Paulin Sterkajn, të kapur dhe evidentuar në bashkëpunim me bandit për vjedhjen e votave në Dibër, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe gjithë Shqipërinë. As për bandën e Xibrakës, bandën e fabrikës së kokainës, ku kanë dalë nga burgu autorët kryesorë. Pse kanë dalë? Kush nuk e mban mend më Estref Halili nga Kolonja e Lushnjës u shty drejt vetëvrasjes në paraburgimin e stërzgjatur për një cigare hashash, ndërkohë që krerët e bandës së kokainës u shoqëruan nga policia drejt arratisë dhe ata që u kapën tashmë janë liruar. E vërteta është se të gjithë këta i mbrojti Edi Rama, se kështu mbron të vëllain e tij Olsin e përfshirë drejtpërdrejt me protagonistët e fabrikës së kokainës në Xibrakë. E vërteta është se lidhja e Edi Ramës me krimin është një lidhje e përhershme. Një qeveri që vjen në pushtet me para…shikonin bumin e ndërtimit, koncesionet e fryra me çmime më të larta se në Evropë, janë favore që Rama i bën krimit.
Basha: Rama duhet të ikë, ai është i zhytur në krim
Gjatë një konference për mediat nga selia blu, kreu i opozitës Lulzim Basha ka hedhur akuza të shumta ndaj Edi Ramës. Basha u shpreh se Rama nuk korrigjohet dhe është njeri naiv dhe i rrezikshëm. Basha theksoi se: “Unë e di që problemi kryesor që ndjejnë shqiptarët është ekonomia, varfëria, papunësia, të cilat godasin direkt jetët e shqiptarëve. Shqipëria ka shumë mundësi për të gjithë. Shqipëria ka mundësi të mos ketë papunësi, të mos ketë varfëri, por kjo gjë kërkon që qeveria të punojë për njerëzit, që ekonomia të ofrojë mundësi për të gjithë. Kjo nuk mund të arrihet me një politikë të kapur nga krimi dhe nga një grusht oligarkësh. O Një qeveri e pakicës punon për pasurimin e pakicës. Një qeveri që vjen në pushtet nga krimi dhe mbahet në pushtet nga krimi do t’i shërbejë krimit. O Një qeveri që vjen në pushtet me paratë dhe mbështetjen e oligarkëve, do t’u shërbejë oligarkëve. Shikoni bumin e ndërtimit në Tiranë. Shikoni koncesionet kriminale me kosto të fryra në mënyrë marramendëse. Janë të gjitha shërbimi dhe favoret që Edi Rama u bën krimit dhe oligarkëve. Ato janë varfërim i shqiptarëve të thjeshtë. Edi Rama nuk i ka shërbyer kurrë popullit dhe nuk do t’i shërbejë kurrë popullit. Ai është kryeministri i krimit, kryeministri i oligarkëve dhe do jetë i tillë deri në ditën e fundit që do të jetë në pushtet. Vetëm një qeveri qe vjen me votën e lirë të njerëzve, të popullit, punon për popullin. Ndaj përpjekjet tona për ekonominë, për punësimin, për përparimin do të japin rezultat vetëm kur të zgjidhim problemin e madh politik: Çlirimin e politikës nga krimi dhe oligarkët. Ata që mendojnë se Edi Rama mund të kufizohet, mund të reformohet apo mund të korrigjohet, janë, në rastin më të mirë, naivë të rrezikshëm. Edi Rama është i zhytur në krim dhe mbijetesa e tij politike është e lidhur me krimin. Edi Rama duhet të ikë. Edhe pas ikjes së tij Shqipërisë do t’i duhen përpjekje titanike për të çrrënjosur modelin kriminal që ka instaluar ai në Shqipëri dhe për të kuruar plagët e korrupsionit. Por rrugë tjetër nuk ka. Pastrimi i sistemit tonë politik, largimi njëherë e mirë i drejtimit kriminal të qeverisje, është shpresa dhe rruga e sigurte për një Shqipëri që i takon të gjithë qytetarëve të saj”, theksoi kreu demokrat Basha.
PS “ngrin” Valdrin Pjetrin
Kryesocialisti Edi Rama la të fundit bashkinë e Shkodrës, si fitoren më të madhe të PS në bastionin historik të demokratëve. Por pasi PD publikoi dokumentet që cilat dëshmojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali nën akuzën e prodhimit dhe trafikimit të substancave narkotike, PS ka pezulluar betimin e tij për të marrë drejtimin e kryeqendrës së Veriut. Ndërkohë më 20 Gusht i përfundon afati kryetares demokrate Voltana Ademi duke e bërë më të paqartë atë që do të ndodhë me drejtimin e bashkisë. Sipas nenit 10 të Kodit Zgjedhor zgjedhjet duhet të mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Ndërkohë duke qenë se Presidenti ka dekretuar datën 13 tetor si datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore, për të nuk ka kryetar të zgjedhur në votimet e 30 qershorit dhe as nuk ka kryetar të shkarkuar. Por që të bëhen zgjedhje në këtë datë duhet që paraprakisht dekreti i Presidentit të botohet ne Fletoren zyrtare dhe duhet edhe vullneti i mazhorancës. Refuzimi kategorikisht i 13 tetorit nga PS mund të sjellë një thellim të krizës institucionale. Rasti i kryebashkiakut të Shkodrës nxori hapur edhe dështimin e marrëveshjes mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për verifikimi i integritetit të kandidatëve për zgjedhjet e 30 qershorit. Valdrin Pjetri e vuri sërish Edi Ramën përballë zgjedhjeve të tij të gabuara ë politikë. Elvis Roshi, Armando Prenga, Arben Ndoka dhe Mark Frroku të zgjedhur nga kryeministri për të qeverisur qytetarët për shkak të dekrimianlizimi janë detyruar të dalin jashtë politikës. Ajo që pritet të shikohet do të jetë Shkodra. Nga reagimet e shumta të Partisë Demokratike theksi është vënë edhe tek personazhe të tjerë të cilët janë përfshirë në veprimtari të dyshimtë gjatë viteve të tyre të kaluara. Autoritetet shqiptare dhe italiane kanë nisur procedurat e verifikimit pas denoncimit të demokratëve e nëse vërtetohet se Valdrin Pjetri ka gënjyer jo vetëm partinë, por edhe shkodranët ai nuk do e gëzojë asnjë ditë bashkinë e Shkodrës. Më 20 gusht kur i përfundon edhe mandati i kryebashkiakes demokrate parashikohej të bëhej konstitituimi i Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës, por gjithçka është pezull deri në një vendimmarrje politike nga socialistët të cilët presin një përgjigje nga agjencitë e zbatimit të ligjit.
Çfarë e pengoi “dekriminalizimin” e Valdrin Pjetrit?
Formulari i vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit në total ka tetë pyetje mes të cilave edhe pyetjet: “A është marrë ndonjëherë për ju masa e dëbimit nga një shtet i huaj?” dhe “A jeni dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar, ose i huaj?”. Këtyre dy pyetjeve dhe të gjitha pyetjeve të tjera që kërkojnë përgjigje nëse ka pasur “hesape” penale me drejtësinë shqiptare, ose të huaj në të shkuarën, Valdrin Pjetri u është përgjigjur me “Jo”. Plotësimi me “Po” i njërës prej këtyre pyetjeve do ta s’kualifikonte atë automatikisht nga gara si kandidat për kryetar bashkie në Shkodër. Por, pasi u është përgjigjur me “Jo” të gjitha këtyre pyetjeve, Valdrin Pjetri ka marrë përsipër edhe pasojat që prodhon deklarimi i rremë, gjithmonë nëse provohet që ai rezulton i dënuar me trafik droge në Itali. “Kujdes! Jeni i/e sigurt? Sugjerohet që nënshkrimi i këtij seksioni të bëhet pasi është plotësuar saktë i gjithë formulari”. Me këtë shënim mbyllet formulari i vetëdeklarimit për dekriminalizimin, të cilin Valdrin Pjetri e ka firmosur të zezë mbi të bardhë. Dorëzimi i këtij akti ishte hallka e fundit që i hapi rrugë kandidimit të tij nën logon e Partisë Socialiste më 30 qershor. Para kësaj, kishte kaluar edhe në filtrat e partisë. Fillimisht Taulant Balla dhe më pas Edi Rama deklaruan pas publikimit të dokumenteve nga ana e Partisë Demokratike, se sqarimet e dhëna nga Valdrin Pjetri nuk mjaftojnë, por për këtë duhet të flasë drejtësia. Edhe kur drejtësia të flasë për Valdrin Pjetrin, gjithmonë nëse provohet se ai ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit, rasti i tij do të ngrinte dyshimet mbi zbatueshmërinë e ligjit të dekriminalizimit. Ligji i miratuar unanimisht në 2015 vlerësohet si shembull suksesi nga të gjitha palët dhe përgjithësisht është zbatuar duke larguar në total nga poste të zgjedhurish, ose nga poste drejtuese në administratë mbi 300 zyrtarë. Pavarësisht disa kritikave për ashpërsinë e tij, ligji në fjalë përshëndetet më fort për efektin më pozitiv i tij, që ka qenë largimi i personave me precedentë penalë si kandidatë të përzgjedhur nga politika në zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore të disa emrave të bujshëm, si ai i Elvis Rroshit në Kavajë. Por, rasti i Valdrin Pjetrit është përjashtim. Ai ja doli mbanë që t’u shpëtonte filtrave të dekriminalizimit dhe nëse nuk do të ishte denoncuar nga Partia Demokratike, ai do të merrte detyrën e kryebashkiakut të Shkodrës krejt i patrazuar. Këtu lind pyetja se cili institucion i ngarkuar me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dështoi në identifikimin e problematikës së Valdrin Pjetrit që në momentin që ky i fundit u shpall kandidat për zgjedhjet e 30 qershorit? Për të zgjedhurit vendorë dhe ata qendrorë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi ku depozitohen formularët e vetëdeklarimit. Por, ky institucion nuk ka as mekanizmat dhe as tagrin që të verifikojë veprat penale të kryera jashtë vendit të subjekteve të dekriminalizimit. Zëdhënësja e këtij institucioni, Drilona Hoxhaj thotë për gazetasi.al se KQZ i merr apriori deklaratat dhe verifikon vetëm nëse ato që janë deklaruar nga subjekti në formularin e vetëdeklarimit i ndalojnë kandidimin në zgjedhje, apo jo dhe jo të verifikojë vërtetësinë e vetëdeklarimit, sidomos për krime të kryera jashtë Shqipërisë. Verifikimi është detyrë që i takon prokurorisë. Në rastin Pjetri, kjo e fundit është vënë në lëvizje vetëm pas denoncimeve të Partisë Demokratike. Çfarë e pengoi këtë institucion që të verifikonte para zgjedhjeve të 30 qershorit këtë kandidaturë? Ka qenë paaftësia, neglizhenca apo një tjetër faktor i qëllimshëm që e ka penguar këtë proces? Këto janë pyetjet që duhet të marrin përgjigje së bashku me vërtetësinë, ose jo të dokumentacionit të publikuar nga Partia Demokratike, sepse pavarësisht kritikave për ashpërsinë e madhe në fund të fund, dekriminalizimi është ligj dhe ligji është i barabartë për të gjithë.
http://shekulli.com.al/


Leave a Reply