Sot është ditëlindja e ikonës së muzikës dhe këngës shqiptare Merita Halili, e cila falë zërit të saj të mrekullueshëm dhe buzëqeshjes së ëmbël në skenë dhe ekran, ka dhuruar emocione për vite e vite me radhë.
Merita Halili dhe Raif Hyseni ambasadorët e këngës shqiptare në Amerikë.
Në vazhdën e shkrimeve të mia të botuara për mbresat dhe ato mrekulli shqiptare që përjetova në SHBA, nuk kam si të lë pa publikuar edhe veprimtarinë e mrekullueshme të një çifti shqiptarësh, të cilët i bashkoi Zoti që me talentin e tyre të bëhen ambasadorë të vërtetë, si dy përfaqësues të një kombi të ndarë padrejtësisht, i cili falë këtyre personaliteteve patjetër, ashtu si edhe sot do të jenë bashkë.
Ishte Raif Hyseni ai që “na e mori” Meriten në Amerikë, mori këngëtaren tonë më të mirë, por duhet thënë se edhe Merita mori muzikantin dhe djalin më të mirë nga Mitrovica e Kosovës.
Këtë çift të mrekullueshëm nuk e bashkoi thjeshtë dashuria për njëri-tjetrin, por edhe dashuria e madhe për artin shqiptar që, që nga ajo kohë, do të ishte edhe frymëzimi i jetës së tyre.
Mbi të gjitha ky çift ka vlera të jashtëzakonshme njerëzore, pikërisht ky është burimi i vlerave të mëdha artistike, çka lidhet me njohjen e mentalitetit e veçorive dhe karakteristikat e popullit shqiptar që ai nuk i asimilon por i rikrijon me një origjinalitet të veçantë.
Një varg veprimtarish kombëtare me bashkëatdhetarët, me vëllezërit dhe miqt e një gjuhe, një gjaku dhe një kombi, me dëshirën që harta e përhapjes së vlerave artistike e kulturore të vijnë gjithnjë duke u shtuar, për të qenë të pranishëm kurdoherë në ambjentet shqipfolëse, Merita Halili dhe Raif Hyseni po i shtojnë fondit të artë të muzikës shqiptare vlera tepër të vyera në SHBA, duke i konsideruar shumë të rëndësishme dhe të nevojshme për bashkëatdhetarët e tyre.
Mendoj se është e arsyeshme që t’ju sjelli në vëmendje se, në fakultetin e muzikës së Universitetit Publik të Montclair-it në New Jersey, tani mund të studiohet muzika shqiptare. Me studentët amerikanë punojnë dy emra të njohur: Raif Hyseni dhe Merita Halili. Me nismën e z.Raif ky Universitet ka krijuar Ansamblin Ballkanik ku për momentin punohet pothuajse vetëm me muzikën shqiptare. Po të ndjekësh nga afër në Montclair një orë mësimi të ansamblit, ku studentët specializohen në degë dhe instrumente të ndryshme muzikore, do të kuptosh se gjatë këtyre lëndëve ata nuk praktikojnë rryma të tjara, por muzikë tradicionale shqiptare.
Ideja për të hapur këtë dritare në kulturën shqiptare ishte e z.Raif Hyseni, i cili edhe vetë ka mbaruar masterin pranë këtij universiteti.
Mendoj se ky çift duhet cilësuar si përfaqësues i denjë i kulturës së kombit tonë në SHBA. Me këtë përkushtim që kanë treguar kanë sjellë një institucion të rëndësishëm muzikor, i cili do t’i japë një dimension tjetër të rëndësishëm muzikës shqiptare. Mund të themi se të gjithë ndjehemi krenar, sepse ata përfaqësojnë kulturën e kombit tonë.
Ky çift artistësh të spikatur që jetojnë e veprojnë në SHBA janë emra të njohur me një kontribut të madh në propogandimin e vlerave të muzikës shqiptare. Ata janë të karakterizuar nga një punë me disiplinë e kërkesa të larta artistike, për t’i shërbyer kombit shqiptar në fushën e muzikës në përgjithësi me një veprimtari të fuqishme, me ide të qarta në sferat e pakufishme të artit shqiptar, duke dëshmuar gjatë gjithë kohës devotshmërinë e shërbimit ndaj atdheut.
Merita Halili dhe Raif Hyseni janë një frymëzim për të gjithë ata që synojnë lartësimin e Atdheut të tyre, ndaj mendoj se meritojnë një vlerësim dhe nderim, sepse është një çift të cilët bashkëpunimi dhe pasioni i bëri lëvrues të të gjitha trevave muzikore shqiptare. Me emrin e Merita Halilit dhe Raif Hysenit, muzika shqiptare dhe historia e saj në SHBA është pasuruar vazhdimisht.
Mund të them se takimi me Merita Halilin dhe Raif Hysenin në Amerikë, pritja aq e ngrohtë dhe bujare e tyre, inicioi edhe bashkëbisedimin që mori formën e një interviste, në të cilën u përpoqa të evidentoj pasionin dhe kontributin e tyre prej kaq vitesh, në shërbim të artit dhe kulturës shqiptare në atë vend ku ngrihet madhështore “Statuja e Lirisë”, simboli i gjithë kombeve të botës.
Për mua ishte hera e parë që shkoja në Amerikë dhe në New York u takove me mikun tim z.Raif Hyseni, i cili më ftoi në New Jersey, në “The Excelsior”, në një eveniment familjar, në ambjent shqiptarësh. E natyrisht intervisten e fillova me mbretëreshën e këngës popullore, bijën tonë Merita Halili.
Znj. Merita, ju së bashku me bashkëshortin tuaj Raif Hyseni, vitin e kaluar morët pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ku ju patët nderin të dorëzoni çmimin e parë për këngëtaren më të mirë në këtë festival. Si u ndjetë pas kaq vitesh që u rikthyet në këtë festë të madhe?
Ardhjet tona janë plot emocion, mall e dashuri, sepse zemra dhe shpirti janë në Shqipëri. Ishim në festivalin e Gjirokastrës. Ajo skenë mua më pëlqen, sepse kam kënduar që gjashtëmbdhjet vjeçe dhe më solli vërtetë emocione të mrekullueshme. Unë nuk isha më si konkuruese, por isha si interpretuese dhe përfaqsova vërtetë këngën qytetare të Shqipërisë së Mesme.
Ne kemi rreth njëzet vite këtu në Amerikë që punojmë me grupe të ndryshme, të cilët janë të interesuar për muzikën ballkanike dhe veçanërisht për muziken shqiptare që ne prezantojmë. Këtu janë muzikologë, instrumentistë të cilët lozin me dy ose tre instrumentë. Raifi orkestron dhe punon me të gjithë, ndërsa unë kryesisht punoj me vokalin.
Z.Raif, ju keni studentë amerikanë, të cilët janë rritur dhe edukuar me kulturën e tyre muzikore, të cilat njihen. Mendoj se publikut mund t’i interesojë të dijë cili është interesi i këtyre studentëve për muzikën tradicionale shqiptare.
Suksesi i kësaj pune që kemi bërë neve këtu në Amerikë është nga që kemi qenë origjinalë dhe të sinqertë, sepse në çdo vend të botës origjinaliteti dhe sinqeriteti vlerësohet shumë. Po iu marr një shembull, një vepër e pikturuar nga Van Gog-u; origjinali kushton njëqind milion dollarë e më tepër, ndërsa kopja e saj mund të jetë edhe për pesë dollarë mund ta gjesh në treg. Kështu që amerikanët me të cilët jetojmë, e kanë vlerësuar në këtë rast origjinalitetin e vokalit të Meritës, po ashtu edhe punën time. Ndaj ne mundohemi që brenda këtij programi t’i përfshijmë të gjitha trevat e muzikës shqiptare, ku jetojnë sot shqiptarët në Ballkan, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e më gjërë.
Znj.Merita, a ndikoi tek ju tregu muzikor që gjetët në Amerikë, për t’ju shkëputur ju nga tabani muzikor shqiptar, në të cilin keni lindur, jeni formuar dhe keni bërë emër?
Unë kur kam ardhur këtu pashë në një ditë të bukur, në një sallë amerikane, ku kishte audiencë shqiptare dhe thashë këto pse erdhën. Ata erdhën se e kishin marrë vesh, sepse ishin muzikologë që e njihnin shumë mirë muziken e Ballkanit dhe i njihnin pothuajse të gjithë këngëtarët më të mirë ku ishin, kuptohet dhe shqiptarë dhe thanë që ka ardhur një këngëtare, të cilën duam ta shikojmë dhe ta dëgjojmë live. Ju them të drejtën aty filloi menjëherë ngacmimi nga interesimi i tyre dhe unë u paraqita me përvojën time, me interpretimet e mia dhe mendoj se pikërisht bartja e vlerave të mëdha të muzikës sonë aq të bukur ishte edhe suksesi im i parë në Amerikë.
Z.Raif, është në interes për publikun të dijë si funksinon programi juaj si pedagog me grupet që ju punoni.
Janë 120 vetë. Është një grup prej Vermontit, një kor. Në të vëretë janë dy grupe; i Vermontit dhe i Bostonit që këndojnë shqip, potpuri të këngëve popullore të Shqipërisë së Mesme, por edhe polifonike. Unë iu mësoi edhe këngë të tjera. Kam aranxhuar për korin, për soprano, etj.
Znj. Merita, ju merrni pjesë në koncerte, shkoni edhe në festivale folku, të gjitha tradicionale që organizohen në Amerikë, për të qenë përfaqësuese e trashëgëmisë muzikore shqiptare.
Po, të gjitha aktivitetet tradicionale që organizohen këtu në Amerikë, festivale folklorike nga gjithë bota që marrin pjesë, kuptohet ne përfaqësojmë Shqipërinë.
Z.Raif, ndoshta do të ishte me interes për publikun të dinim diçka më tepër rreth punës tuaj këtu në Amerikë. Ju lutem ç’mund të na thoni diçka më të detajuar rreth ansamblit që ju keni ngritur.
Agjenda jonë është në dy plane, në planin amerikan dhe internacional, si dhe në planin me komunitetin tonë shqiptar që gjithmonë merr pjesë në Festat e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Pavarësisë së Kosovës.
Kemi dëgjuar dhe parë klipe me interpretime të këngëve tona nga ansamblet që keni krijuar ju këtu. Si tingëllojnë ato interpretime në shijen e një amerikani.
Z.Ramazan, në fillim u duk shumë çuditshëm dhe na krijonte humor, por tani çdo gjë është perfeksionuar dhe punojmë që të ketë sa më shumë dinamikë dhe ta bëjnë edhe ata sa më origjinale.
Raifi shton se është edhe një karakteristikë tek ata, sepse në qoftëse përkthehet teksti në mënyrë mekanike, fjalë për fjalë, atëherë nuk ka kuptim në gjuhën angleze, prandaj është detyra jonë që tekstit t’i japim kuptimin e duhur në anglisht.
Institucionet e larta artistike në Amerikë ju kanë vlerësuar për punën tuaj shumë produktive dhe profesionale. Cilët janë çmimet dhe trofetë që ju keni marrë. Ju keni kënduar edhe në skena të rëndësishme siç është në “Lincoln Center” ku këndojnë më të mëdhenjt e botës.
Vlersimin e fundit që kemi marrë ne nga Amerika, vijon biseden Raifi, është ai që na ka dhënë Presidenti i Manhatannit. Vlerësim ka marrë edhe Merita gjithashtu. Jemi të vetmit muzikantë dhe artistë që kemi marrë çmim prej Presidentit të Manhatannit, në promovimin dhe përhapjen e kulturës dhe muzikës shqiptare.
Për herë të parë jemi paraqitur në sallen e Kongresit Amerikan ku asnjëherë nuk është performuar muzikë shqiptare, pastaj në “Jon Kennedi” Center në Washington, në “Broadway” Manhatenn,” Kennedy Center”, e cila është një ndër qendrat më të mëdha botërore të kulturës dhe muzikës.
Kemi performuar edhe në televizione ABC, WLIW, NY1, NJ12, Voice of America, pastaj kemi qenë “National Public Radio” që është Radio Publike Nacionale. Një intervistë që kemi dhënë unë edhe Merita, që është një sukses shumë i madh jo vetëm për ne si individë, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, sepse për gjashtë muaj ajo intervistë është emetuar në Radion e Amerikës e lidhur me “PRI Public Radio International” që është Radio Publike Internacionale, emetuar edhe në të gjitha radiot e tjera të botës.
Z.Raif, institucinet e kulturës në Shqipëri a ju kanë vlerësuar me ndonjë çmim për punën dhe aktivitetin tuaj?
Ju them të drejten çmimin e parë që unë kam marrë është para disa viteve që u nderova nga Shoqata “Tirana”. Presidenti i saj z.Arben Tafaj si dhe mbarë komuniteti i shoqatës. Unë i falenderoj nga zemra për nderimin që më kanë bërë me motivacionin e promovimit të vlerave artistike e sidomos ato të muzikës nëpër botë. Ndërsa, Merita ka marrë çmimin “Ambasadore e Kombit” në vitin 2002 në qoftë se nuk gaboj.
Edhe unë kam marrë pjesë në “Sofrën e Tiranës”, e vazhdon biseden Merita dhe kam qenë e pranishme pothuajse shumë herë dhe jam vlerësuar nga ajo shoqatë të cilën e vlerësoj, se ata po e mbajnë gjallë traditën e Tiranës me këngëtarë shumë të mirë që marrin pjesë në këtë eveniment.
Znj. Merita, në planet tuja, a është parashikuar që, një ditë të bukur, siç shpreheni ju, në Tiranë të shfaqet një recital “Merita Halili Show”, i cili do të ishte një performancë e jashtëzakonshme e arritjeve tuaja në vite.
Siç jam shprehur edhe në një televizion shqiptar, unë gjithmonë kam qenë e hapur me gjithë institucionet që recitali të jetë një gjë madhështore dhe vërtetë të shprehen vlerat e zërit tim, vlerat e këngës që unë këndoj dhe të ngelet edhe për brezat e ardhshëm e kënduar dhe interpretuar dhe të kenë një pikënisje i gjithë brezi i ri, që të dëgjojnë ashtu siç e thatë edhe ju më parë, vërtetë këngën të kënduar pastër dhe sa më autentike. Natyrisht kënaqësia ime është jashtëzakonisht e madhe.
E për ta realizuar këtë recital z.Raif a duhet t’ju marrim leje ju?
(Qesh) Merita është tiranse dhe të dy jemi të të gjithë Shqipërisë.
Mendoj se veç një publikim, është shumë pak për të promovuar dhe treguar gjithë punën dhe krijimtarin rreth njëzet vjeçare të këtij çifti në SHBA, të cilët po e mbajnë të gjallë këngën e bukur shqipe. Këngët e Merita Halilit nuk janë vetëm të Tiranës, por të gjithë shqipëtarizmës. Ato janë krenari për punën e jashtëzakonshme profesionale në ruajtjen dhe kultivimin e traditës muzikore shqiptare të të gjitha trevave dhe në rolin e tyre për ta bërë këtë muzikë kaq të bukur dhe të veçantë, të njohur përtej oqeanit, atje ku edhe kultura jonë ka rreth njëqind vjet që është pjesë e atij populli të madh.
Ramazan Çeka
Burimi/Facebook


Leave a Reply