Nga Gazeta Pjace – 29 Mars 2019
Më 14 mars të këtij viti u bënë 159 vjet nga vdekja e inxhinierit të famshëm me origjinë shqiptare. Karl Gega qe inxhinier, projektues rrugësh dhe hekurudhash. Njihet sidomos për ndërtimin e hekurudhës së Semeringut, që fillon në Glognic dhe arrin në Myrcushlag.Edhe pjesa më e vështirë dhe spektakolare e kësaj hekurudhe, ajo Ercercog-Johanban (hekurudhë e arkidukës Xhovani), Vienë – Trieste, u projektua e gjitha prej tij. Karl Gega lindi në Venecie nga prindër me origjinë shqiptare. Studioi në Padovë, ku vetëm 17 vjeç mori diplomën në matematikë.
Më pas filloi karrierën e tij si projektues duke ndërtuar rrugë dhe vepra hidrike në krahinën e Venetos. Midis gjërave të tjera ndihmoi në ndërtimin e “Rrugës së Alemanjës”, rrugës që nga San Vendemiano, pranë Koneljanos, të çon në Dobiako duke kaluar nëpër Kortina d’Ampeco. Në periudhën 1836-1840 qe mbikëqyrës në Bohemi për ndërtimin e “Hekurudhës Perandor Ferdinandi” që shonte nga Bryni deri në Lundenburg.
Në atë kohë (1836-1837) studio edhe botën e hekurudhave në Angli dhe në kombe të tjera europiane.
Në 1942-shin Gega u bë drejtori i përgjithshëm i Südlichen Staatsbahn-it (Hekurudhave Jugore të Shtetit) ku i takoi detyra të projektonte Hekurudhën e ardhshme Jugore, për të cilën ndërmori një udhëtim studimi në Amerikë. Përvojat që buruan nga ky udhëtim bashkëdikuan jo vetëm në projektimin dhe ndërtimin e Hekurudhës së Semeringut, por edhe në dy botime. Gega e botoi pjesën më të madhe të shkrimeve të tij paralelisht në gjuhët gjermane, italiane dhe franceze.
Pas kthimit të tij në Hekurudhat e Shtetit Austro-Hungarez, u ngarkua me projektimin e hekurudhës jugore, nga Viena në Trieste përmes Gracit, linjë hekurudhore që më pas u pagëzua në nder të arkidukës Giovanni d’Asburgo si “Linja Arkidukë Xhovani”, por që kaloi në histori si “Hekurudha Jugore” meqë lidhte kryeqytetin e Perandorsë me jugun.
Në atë periudhë, shumë vetë menduan se përshkimi hekurudhor i Semeringut ishte teknikisht i ndërlikuar, madje i kotë. Por që më 1848-ën Gega paraqiti një projekt që e kalonte rrugën me lokomotiva normale, pa iu drejtuar kremaljerave. Edhe më parë se të vendosej nisja e punimeve, Gega porositi ndërtimin e lokomotivave të përshtatshme për kapërcimin e pjerrësive të tilla.
Punimet filluan më 1848-ën dhe para përfundimit të tyre, më 1851-shin, mori titullin kalorës (“Ritter”). Kur më 1854-ën hekurudha u përfundua Gega kishte projektuar tashmë një rrjet hekurudhash për krejt perandorinë austriake dhe në vitet në vijim mori shumë detyra të tjera, midis të cilave ndërtimin e pjesëve hekurudhore në Transilvani.
Megjithatë Gega nuk mundi ta shihte përfundimin e kësaj vepre të fundit pasi vdiq nga tuberkulozi në Vienë, më 1860-ën. Jeta e Karl Gegës frymëzoi plot pesë romane. Në vilën e familjes, Vila Allegri Von Ghega në rivierën e Brentës në Oriago ruhet një pjesë e arkivit historik. Gegës Austria i rezervoi nderin e portretit në kartëmonedhën prej njëzetë shilingash, ndërsa në Trieste, Itali, një rrugë mban emrin e tij.
Përgatiti Adrian Beshaj
Mrrë nga Gazeta Shqip
——————————-
KARL GEGA,KRIJUESI I HEKURUDHËS SË SEMMERINGUT
Nga Gazeta Pjace – 19 Qershor 2018
Një nga veprat më të shquara të transportit hekurudhor është dhe hekurudha e Semmeringut e cila lidh Austrinë me Italinë.
Është një hekurudhë malore ku rreth 41 km linjë hekurudhore kalon përmes Alpeve të Italisë së Veriut, duke arritur pikën kulminante në 898 m sipër nivelit të detit .Është vepër me vlera historike e marrë në mbrojtje nga UNESCO.
Hekurudha lidh Vienën me Triesten (Austri-Itali) dhe gjatësia e përgjithshme e saj është pikërisht 75 km e 116,7 metra.Kjo vepër është ndërtuar nga arkitekti dhe inxhinieri shqiptar Karl Gega.
Ai punoi në shërbimin e hekurudhave shtetërore dhe u mor me trasimin e linjës hekurudhore të Semmeringut, tunel i gjatë 1430 metra.Në atë kohë,diskutohej lidhur me mundësinë e trasimit të një hekurudhe me aderencë të thjeshtë.
Kësaj zgjidhjeje ai iu kushtua mbas një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli. Më 1849 u bë drejtor i Seksionit të Ndërtimit të Hekurudhave dhe më 1850, drejtor i drejtorisë së përgjithshme për ndërtimin e hekurudhave shtetërore në Vjenë.Puna për hekurudhën solli ndërtimin e 16 ujësjellësve përgjatë linjës hekurudhore, me gjatësi të përgjithshme prej 1502 metra, dhe 15 tunele, me gjatësi të përgjithshme prej 4520 metra.
Përveç këtyre, u ndërtuan disa qindra ura të vogla dhe një mori muresh mbrojtëse për sigurimin e trenave nga shembjet e dheut. Për të gjitha këto u hodhën në erë 1.500.000 m3 shkëmbinj, u zhvendosen 3.500.000 m3 dhe, u stivuan 65.000.000 tulla dhe u ngritën 80.000 blloqe guri.Në atë kohë,mjetet e përdorura nuk ishin shumë të përparuara dhe për shpimin e formacioneve shkëmbore përdoreshin turjelat me dorë,ndërsa vinçat e mëdhenj nuk njiheshin akoma.Ndërtimi i shtyllave të larta deri 45 metra me gjerësi deri 20 metra, bëhej nepërmjet skelave të lëvizshme që lëkundshin e nuk ishin të fiksuara.
Zgjidhja e problemit të hekurudhës së Semmeringut nga Karl Gega u kundërshtua nga shumë specialistë, pasi atëherë diskutohej shumë rreth vështirësive që kishte që lokomotiva me tren të përshkonte një pjerrësi 25 dhe rreze 180 metra ndonëse kjo ishte parashikuar nga Karl Gega.
Për hekurudhën malore të Semmeringut u shpall një konkurs midis konstruktorëve të lokomotivave për të ndërtuar një lokomotivë më të fuqishme, sepse zgjidhja e problemit kushtëzohej edhe prej forcës tërheqëse të lokomotivës. Vështirësitë e shumta i nxori sidomos shpimi i tunelit kryesor, që është dhe pika kulminante e kësaj hekurudhe malore, tuneli i Semmeringut, në lartësinë 818 metra mbi nivelin e detit. Ky tunel, për arsye të gjatësisë së tij, nuk u shpua vetëm horizontalisht e nga të dy anët, por edhe vertikalisht në gjashtë vende, për të hapur galeri porsi puse, nga të cilat nxirrej dheu e gurët. Zbatimi i këtij projekti ndeshi edhe vështirësi jo teknike. Kështu më 1850-tën në mes të punëtorëve u përhap kolera nga ku vdiqën 300 punëtore.
Aksidentet në punë nga shkarjet e masivëve shkëmborë apo shembje të galerisë në Veinzettel i kushtoj jetën 13 punëtorëve. Megjithë pengesat e mëdha, Karl Gega arriti që me datën 25 qershor 1851 të bëjë provën e parë të hekurudhës duke përshkuar me lokomotivën “Save”, në fillim gjatësinë deri në Payerbadh e mbas pak ditësh deri në Küb.
Kështu që pas 6 vitesh u bë i mundur ndërtimi i
hekurudhës malore së Semmeringut nën drejtimin e Dr. Karl Ghegës, një vepër mjeshterore e paparë deri në atë kohë,në lartësinë 437 metra (në Gloggnitz), e cila kalon mbi mure mbrojtëse solide, mbi rreth 100 urave monumentale që përshkojnë luginat, shpesh edhe dy katëshe në mes masivit shkëmbor të maleve e 15 Tuneleve dhe që është shembulli i parë i hekurudhave malore.
Karl Ghega me 12 prill 1854 së bashku me Perandorin Franz Josef I, përshkoj për herë të parë lartësinë e Semmeringut. Disa ditë më vonë ai shoqëroi edhe Perandoreshën e re Elisabet po në këtë udhëtim.
Jeta dhe vdekja e Karl Gegës
Karl Gega lindi në Venedik më 10 janar 1802 dhe vdiq në Vjenë, më 14 mars 1860.Për vdekjen e tij ka disa variante ku përmendet vetëvrasja por dhe ruberkulozi i mushkërive. Të parët e tij kishin mërguar në Venedik së bashku me shumë bashkatdhetarë të ikur nga Shqipëria Veriore, pas pushtimit osman. Karli ishte djali i vetëm i oficierit të marinës Anton Ghega dhe Anna Pribish të cilët kishin edhe tri vajza.Sipas priftit franceskan shqiptar Paulin Margjokaj,i cili ka jetuar në Vjenë dhe ka studiuar gjurmët e prejardhjes së familjes Gega, në 1478-tën turqit pushtuan Shkodrën.
Venizianet u larguan nga qyteti i Shkodrës duke marrë me vehte edhe shumë familje qytetare shkodrane që punuan për to. Të gjithë këto shqiptarë u vendosën në një zonë të qytetit të Venizias dhe thirreshin nga vendasit Gegë.Një një prej këtyre familjeve shqiptare nga Shkodra,lindi dhe Karl Gega.
Pasi kreu një kolegj për filozofi e matematikë me përfundime shumë të mira,në moshën 15- vjeçare u regjistrua në Universitetin e Padovës dhe pas një viti diplomohet në degën e inxhinierisë.Më 1819,kur sapo kishte mbushur17 vjet,merr titullin Doktor në matematikë.Ai punoi në hapjen e rrugës së madhe malore në provincën e Belunos.
Gjatë periudhës 1824-30 në provincën e Trevisos, në një pjesë rruge drejtoi punimet edhe nga ana hidraulike. Nga 1830-1833 ishte inxhinier në Rovigo dhe pastaj deri në vitin 1836, u caktua në departamentin e ujërave pranë drejtorisë së bujqësise në Venedik dhe në 1848 si inspektor i Drejtorisë së Përgjithshme të Ndërtimeve, drejton ndërtimin e hekurudhave të Jugut deri në Laihah.Vitet e fundit të Karl Gegës qenë të mbushura plot me brenga e hidhërime.
Shtatë vjet pas vdekjes së tij, në 1867 eshtrat e tij u vendosën përfundimisht në një varr përmendore. Edhe në stacionin e Semmeringut, pas dy vjetësh, iu ngrit një përmendore në kujtim të këtij nismëtari të hekurudhave malore. Vite më vonë, u emetuan pulla poste dhe kartmonedha me fytyrën e Karl Gegës.
Ndërkohë, filluan shtrëmbërime tendencioze lidhur me kombësinë,duke e quajtur italian apo gjerman. Por në vetë qarqet e kulturës austriake nuk munguan autorë objektivë, që e kanë vënë në dukje origjinën e tij shqiptare.Lidhur me vdekjen e tij ka dy variante.Vetvrasje në banesën e tij në Vjenë më 14 mars 1860,në rrugën “Kulla e kuqe”,nr.6,është ajo që pohohet nga studiues e autorë tekstesh apo librash të ndryshëm
.Thuhet se kjo ndodhi pasi ai u mashtrua nga persona të ndryshëm duke i thënë se dy anët e kundërta të tunelit të Semmeringut kishin devijuar.Ky lajm ,ndonëse jo i vërtetë, e tronditi shumë Karl Gegën. Me dështimin e kësaj vepre, në të cilën ai kishte derdhur të gjithë përvojën e njohuritë, për të nuk kishte më kuptim jeta. dhe kjo solli vetëvrasjen,në një banesë të Vjenës,më 14 mars 1860,në rrugën “Kulla e kuqe”,nr.6.Ndërkohë,tuneli i Semmeringut kishte përfunduar me sukses.Varianti tjetër i vdekjes së Karl Gegës mbështetet tek të dhënat e skedës së tij të vdekjes që ndodhet në arkivën e famullisë së Shën Stefanit, në rrugën ku ai banoi.
Aty shkruhet nga famullitari i Katedrales,i cili i dha shërbimet e fundit fetare, që Karl Gega vdiq me 14 mars 1860, në orën 1 pasdreke,në apartamentin e tij në Rotenturmstrasse 6 mbasi mori të gjithë sakramentet.Shkaku i vdekjes: Tubërkulozi i mushkërive.
Dy ditë më vonë kufoma e tij u dërgua nga Katedralja e Vjenës ku ju bë shërbesa fetare, në varrezat popullore të Wahringer-it.Varrimi u bë në prani të tri motrave të tij (Tereza Centinari, Angjela von Salviolo e Josefina Gega) dhe të shumë miqve e bashkëpunëtorve të tij. Në vitin 1887, me krijimin e varrezës qëndrore të Vjenës, eshtrat e tij u transferuan në një varrezë nderi në parcelen e figurave më të nderuara të kombit.Pavarësisht nga shkaku i vdekjes, Karl Gega mbetet një ndër arkitektët e inxhinierët më të njohur në botë .Vepra e tij kryesore
Hekurudha e Semmeringut, një mrekulli arkitekturore e përmasave botërore,në dhjetor të vitit 1998, është marrë në mbrojtje të UNESCO në bazë të Konventës për “Mbrojtjen e Vlerave Botërore Historike dhe Vlerave të Trashëguara”, me arsyen se “kjo hekurudhë është ndërtuar në një terren të vështirë dhe në mënyrë konstruksioni në vlerat mbinjerëzore”.


Leave a Reply