Gazeta Shqip
Që të reformohesh, ke nevojë të kesh vullnetin të çrrënjosësh korrupsionin dhe interesat e shumëfishta. Dhe duhet të jesh i gatshëm të braktisësh ideologjitë e mërzitshme të së majtës dhe së djathtës dhe të ushqesh idetë e mira në të gjithë spektrin politik. Bota do të kalojë shumë vite duke studiuar modelin e vendeve nordike
Politikanët nga e majta dhe e djathta mund të mësojnë nga vendet nordike
The Economist
Vendet e vogla janë shpesh në pararojë kur vjen puna për reformimin e qeverive. Në vitet 1980, Britania ishte në krye, falë Thaçerizmit dhe privatizimit. Singapori i vogël, prej kohësh është parë si një shembull frymëzues për shumë reformatorë. Tashmë janë vendet nordike që ka gjasa do të marrin rol të ngjashëm.
Kjo është pjesërisht për faktin se katër vendet nordike, Suedia, Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda, po ecin relativisht mirë. Nëse dikush dëshiron të rilindë diku gjetkë në botë, një njeri me talent dhe të ardhura mesatare do të donte patjetër të lindte si viking.
Katërshja nordike është në krye të klasifikimit për gjithçka, nga konkurrueshmëria ekonomike te shëndeti publik dhe te lumturia. Ata kanë shmangur njëkohësisht sklerozën ekonomike të Europës Jugore dhe pabarazinë ekstreme të Amerikës.
Ekonomistët e zhvillimit po thonë se modernizimi i suksesshëm nuk të çon askund tjetër veçse në Danimarkë. Ndërkohë, një rajon që dikur simbolizohej nga mobiliet e gatshme Ikea dhe grupi muzikor ABBA, është kthyer në një parajsë kulturore, shtëpi e shumë grupeve muzikore, veprave letrare mbarëbotërore dhe filmave.
Një pjesë e kësaj mrekullie është pasojë e fatit të mirë. Nordikët me mençuri menaxhuan borxhet e veta publike gjatë viteve 1990. Por arsyeja e dytë se pse modeli nordik është në modë, është më interesante. Për politikanët nëpër të gjithë botën, veçanërisht në perëndimin e mbingarkuar nga borxhet, këto vende ofrojnë shtegun drejt reformave të suksesshme të sektorin publik, drejt bërjes së shtetit më eficent dhe më reagues.
Nga Pipi Çorapegjata te shkollat private
Ideja e një qeverie të egër nordike mund t’i trondisë si majtistët francezë që ëndërrojnë Skandinavinë socialiste, ashtu edhe konservatorët amerikanë, të cilët kanë frikë se Barack Obama është në rrugë drejt “suedizimit”.
Ata kanë mbetur prapa. Në vitet 1970 dhe 1980, norditët në fakt kanë qenë vende me taksa të larta dhe shpenzime të larta. Shpenzimet publike të Suedisë arritën në 67 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto më 1993. Astrid Lindgren, krijuesja e Pipi Çorapegjatës, u detyrua të paguajë më shumë se 100 për qind të të ardhurave të veta në formë taksash. Por taksimi i lartë dhe shpenzimet e larta nuk funksionuan: Suedia ra prapa katër vendeve më të pasura të botës më 1970, në vend të katërmbëdhjetë më 1993.
Që nga ajo kohë, nordikët kanë ndryshuar drejtim, më së shumti djathtas.
Pjesa e qeverisë në PBB në Suedi ka rënë me rreth 18 pikë përqindjeje të PBB-së dhe është sot më e ulët se ajo e Francës e së shpejti mund të jetë më e ulët se ajo e Britanisë. Taksat janë ulur: Tatimi mbi fitimin është 22 për qind, shumë më i ulët se sa ai i Amerikës. Nordikët janë përqendruar në balancimin e bilanceve të veta. Ndërsa Obama dhe Kongresi po grinden mbi reformën e moshës së tretë. Suedia ka reformuar sistemin e vet të pensioneve. Deficiti i saj buxhetor është 0.3 për qind e PBB-së; Amerika e ka aktualisht 7 për qind.
Te shërbimet publike, nordikët kanë qenë në mënyrë të ngjashme pragmatikë. Për aq sa shërbimet publike funksionojnë, ata nuk e vrasin mendjen se kush i ofron këto shërbime. Danimarka dhe Norvegjia lejon firmat private të drejtojnë spitalet publike. Suedia ka një sistem universal bonusesh arsimore, ku shkollat private konkurrojnë me ato publike. Danimarka ka gjithashtu sistem bonusesh, por një me kritere arritjesh. Kur vjen puna për të zgjedhur, Milton Friedman do të ndihej më shumë mirë në Stokholm se sa në Uashington.
Të gjithë politikanët e Perëndimit pretendojnë se promovojnë transparencën dhe teknologjinë. Nordikët mund ta pretendojnë këtë dhe kanë me shumë të drejtë se sa të tjerët. Performaca e të gjitha shkollave dhe spitaleve matet. Qeveritë janë të detyruara të veprojnë në kushtet e vështira të kontrollit të vazhdueshëm: Suedia i jep çdokujt të drejtën për të hyrë në arkivat zyrtare. Politikanët tregohen me gisht kur heqin dorë nga biçikleta për të hyrë në limuzinat zyrtare. Shtëpia e gjigandëve të komunikimit si “Skype”, është edhe lider në qeverisjen përmes internetit: aty mund të paguash taksat me një mesazh sms.
Mund të ngjajë si një model i fortë Thaçerizmi, por nordikët mund të ofrojnë edhe diçka për të majtën progresive, duke tregtuar se është e mundshme të kombinosh kapitalizmin konkurrues me shtetin e madh: ata punësojnë 30 për qind të forcës së vet punëtore në sektorin publik, ndërkohë që mesatarja e vendeve të OECD është vetëm 15 për qind.
Ata janë aq të bindur në funksionimin e tregtisë së lirë sa refuzojnë të ndërhyjnë edhe në rastet kur marka ikonë për vendet e tyre janë duke falimentuar: Suedia e la kompaninë e makinave “Saab” të falimentonte ndërsa “Volvo” tashmë është nën pronësinë e kompanisë kineze “Geeley”.
Por këto vende mendojnë gjithashtu edhe për të ardhmen, ku rasti më domethënës është Norvegjia me fondin e saj të kursimeve prej 600 miliardë dollarësh. Ata përpiqen të lehtësojnë efektet më të këqija të kapitalizmit. Danimarka për shembull, ka një sistem tregu pune ku fleksibiliteti kombinohet me sigurinë. Kjo i lejon punëdhënësve të pushojnë njerëz nga puna, por ofron ndihmë në trajnim për të papunët ndërsa Finlanda ka krijuar rrjete të kapitalit sipërmarrës për fantazistët që kanë ide të çmendura për zhvillim.
Pjesa e hidhur e recetës nordike
Modeli i ri nordik nuk është perfekt. Shpenzimet publike si përqindje e PBB-së në këto vende janë ende tepër të larta nga sa rekomandon kjo gazetë (“The Economist”), madje ndoshta më e lartë nga sa mund të jetë e qëndrueshme.
Niveli i tyre i taksave vijon të nxisë sipërmarrësit të largohen: Londra është përplot me të rinj të talentuar suedezë. Shumë tepër njerëz, veçanërisht emigrantë, jetojnë me ndihmë ekonomike. Presionet që kanë detyruar këto qeveri të ulin shpenzimet, të tilla si konkurrueshmëria në rritje botërore, do të detyrojnë ndryshime të mëtejshme. Nordikët janë tepër të fryrë në krahasim me Singaporin dhe nuk janë përqendruar sa duhet në matjet e efikasitetit të ndihmës ekonomike.
Por pavarësisht kësaj, shumë vende duhet të shikojnë te nordikët për shembuj. Vendet perëndimore do të arrijnë një ditë në kufijtë e qeverive të fryra, njësoj siç arriti Suedia. Kur Angela Merkel u shqetësua për faktin se Europa ka vetëm 7 për qind të popullatës së botës, por më shumë se gjysmën e parave të planetit të shpenzuara për ndihmë ekonomike, nordikët mund t’i japin një zgjidhje.
Ata tregojnë gjithashtu se vendet anëtare të BE-së mund të bëhen suksese ekonomike të mirëfillta. Dhe ndërsa vendet aziatike fillojnë të vendosin sistemin e mbrojtjes shoqërore, edhe ato do të shohin në vendet nordike për shembuj. Norvegjia është duke u vëzhguar imtësisht nga kinezët.
Leksioni kryesor i mësuar deri më sot nga nordikët, nuk është ideologjik, por praktik. Shteti është popullor jo pse është i madh, por sepse funksionon. Një suedez paguan taksa, më i bindur për vlerën e tyre se sa një kalifornian, sepse merr shkolla të mira dhe kujdes shëndetësor falas.
Nordikët kanë realizuar reforma të shtrira, duke kapërcyer sindikatat dhe lobingjet e biznesit. Prova është atje. Ti mund të vendosësh mekanizma tregu në një shtet të mirëqenies shoqërore për të përmirësuar performancën e institucioneve. Ti mund të vendosësh programet e ndihmës ekonomike në themele të forta në mënyrë që të shmanget një gjeneratë tjetër lypësish.
Por ke nevojë të kesh vullnetin të çrrënjosësh korrupsionin dhe interesat e shumëfishta. Dhe duhet të jesh i gatshëm të braktisësh ideologjitë e mërzitshme të së majtës dhe së djathtës dhe të ushqesh idetë e mira në të gjithë spektrin politik. Bota do të kalojë shumë vite duke studiuar modelin e vendeve nordike.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply