
Viktor Hygo
Burimi dhe deti
Nga shkëmbi rridhte një burim
Pikë-pikë në detin e paanë…
I thotë deti një ditë me oshëtimë:
-Ç’më duhesh ti, mor qaraman?
Unë jam stuhi, vetë lemeria!
Unë mbaroj atje ku qielli fillon…
S’më hyjnë në punë hiç disa pika
Që ti, vogëlush m’i lëshon.
Ia ktheu burimi hidhur menjëherë:
-Unë të jap pa bujë, pa falënderime,
Atë që të mungon ty, o det i gjerë!
Një pikë ujë që mund të pihet…
Vargjet e mi ikën…
Vargjet e mi ikën, të ëmbël e të brishtë,
Drejt kopshtit tënd aq të bukur;
Ah, vargjet e mi krahë të kishin,
Krahë si të zogut, moj flutur.
Fluturuan ata, si shkëndija,
Drejt kurmit tënd që shndrit;
Ah, vargjet e mi krahë të kishin,
Krahë si të shpirtit, moj shpirt.
Pranë teje, të kthjellët dhe besnikë,
Ata vrapojnë natë e ditë;
Ah, vargjet e mi krahë të kishin,
Krahë si të dashurisë, moj dritë.
Kler P.
Kler, ti po fle. Mëma të është ulur përmbi varr e mërmërit:
-Rrenë është aromë e luleve dhe agimi rrenë me bisht,
Gënjen zogu nëpër drurë, edhe lejleku gënjen,
Ylli s’është i vërtetë lart në qiell kur shkëlqen,
Qielli nuk është qiell, atje sipër asgjë s’ndrin,
Përsa unë i klith sime bije:
Shpirti im!
Jam këtu. Ngrehu! Apo të pengon ndonjë?…
Nuk e zgjoj dot bijën nëna e dy fjalë s’i flet me të.
Alfred Dë Mysé
Perdja e fqinjës
Imitim nga Gëte
Te dritare e fqinjës sime
Ngrihet perdja lehtësisht.
Del ajo në shëtitje-
Mendoj unë, sigurisht.
Hapet kanati njëçikë,
Unë ndiej zemrën të gufojë.
Mos kërkon ajo të dijë
Nëse unë po e përgjoj?
Ah! Kjo është veç hamendje.
Fqinja do një trashaman.
Dhe është era që e ngre
Cepin e perdes së saj.
Marsel Prust
Kushtim Robert Bilit
Si lule vjeshte, shpirti yt hyjnor
Na dhemb madhërisht.
Një ditë ne do të ritregojmë
Dhimbjen e bukurisë.
Kohë me shi
Ndoshta ty të pëlqen më pak se mua ky rrebesh.
Mundet! Mendësitë ndryshojnë krejt midis nesh.
Luizë Mishel
Epitaf
Lavdi zgjimit të njeriut!
Lavdi dhe për ata që, duke rënë,
Hapën me mundim
Portat e së ardhmes!
Zhak Prever
Fjalim për paqen
Nga fundi i një fjalimi tej mase të rëndësishëm
burri i madh i shtetit duke u penguar
mbi një frazë të bukur, por boshe,
ra brenda
dhe i hutuar hapi gojën e madhe.
Duke gulçuar,
tregoi dhëmbët e prishur
nga arsyetimet paqësore,
ku iu ngjall nervi i luftës
për çështjen delikate të të hollave.
Vjeshtë
Një kal rrëzohet në mes të udhës
Gjethe të verdha bien sipër tij.
U drodh dashuria jonë
Dhe dielli gjithsesi.
Kopshti
Mijëra e mijëra vjet
Nuk dihet në mjaftojnë
Për të thënë
Sekondën e vockël të amëshuar
Kur ti më përqafove
Dhe unë të përqafova
Një mëngjes në dritën e dimrit
Në parkun Monsuri në Paris
Në Paris
Mbi Tokë
Mbi Tokën që është një yll.
Këngë
Çfarë dite jemi
Ne jemi gjithë ditët
mikja ime
Ne jemi gjithë jeta
dashuria ime
Ne duhemi dhe jetojmë
Ne jetojmë dhe duhemi
Dhe nuk e dimë që kjo është jeta
Dhe nuk e dimë që kjo është dita
Dhe nuk e dimë që kjo është dashuria.
Zhan P. Manson
Shkruar në gjumë
Njëherë pashë në ëndërr
Se shkoja
të vidhja
Një puthje
E s’kisha guxim!
Por, ruaju: unë
ende po fle…
Përktheu nga origjinali: Xhevdet SHEHU
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply