Ramazani muaji i begatisë
Mire se erdhe muaji i ramazanit nga Bediuzzaman
“Muaji i Ramazanit që në të filloi të shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).” (Bekare:185)
Agjërimi i muajit të Ramazanit është nga pikat e para të themeleve të besimit të fesë Islame. Ai ka disa anë të dobishme, që mbështeten tek jeta shoqërore dhe individuale, sidomos në edukimin e veseve të nefsit (egos, unit) dhe për të shprehur falenderimin ndaj All-llahut xh.sh., për mirësitë që na ka dhënë. Njerëzit, nën perden e pakujdesisë të të mirave materiale, nuk arrijnë të vlerësojnë dhe të çmojnë të mirat e All-llahut xh.sh..
All-llahu me urdhërin e agjërimit të Ramazanit, i shtyn besimtarët të vihen si në pozitën e një ushtrie. Ai i fton besimtarët të marrin pjesë në një adhurim dhe festë të amshueshme. Ata dalin dhe presin ftesën e iftarit me fjalën e ezanit të akshamit, duke thënë: “All-llahu-Ekber!”. Përkundrejt kësaj situate të bukur të Mëshirshmërisë së gjerë të të Gjithmëshirshmit, besimtarët përgjigjen me një rregullsi dhe përsosmëri të shkëlqyer. Të gjithë besimtarët në momentin e iftarit, përpara sofrës presin urdhërin e Krijuesit të Madhëruar. Çfarë thua, a e meritojnë t’u thuash njerëz, atyre që nuk marrin pjesë këtë adhurim të ndershëm dhe fisnik?
Nuk mund të merret me mend se sa çmenduri është të shpërblesh shërbëtorin për arsye se ka sjellur dhurata nga mbreti, duke mosvlerësuar atë që i ka dërguar dhe në mënyrë të pakujdesshme t’i nënvlerësosh ato, kur dihet që ato dhurata kanë vlerë të jashtëzakonshme. Pra, duhet pranuar se All-llahu i Madhëruar, përballë mirësive që ka ekspozuar në faqen e tokës, kërkon falënderime nga njerëzit.
Shkaqet e dërgimit të mirësive, nuk vlejnë për gjë tjetër, por më tepër ato janë si një shërbyes. Ne veten e konsiderojmë mirënjohës ndaj tyre, duke i dhënë një vlerë apo çmim, më shumë se sa e kanë merituar, kurse Bamirësi i Vërtetë, duke u nisur nga arsyeja e mirësive, meriton shumë më tepër falenderime. Pra, duhet ta falenderosh Atë, duke i pranuar mirësitë drejtësisht nga Furnizuesi i Madhëruar, duke e ditur se kush është Pronari i vërtetë dhe të përcaktosh vlerën e tyre. Kjo do të dalë në pah atëhere kur e pranon nevojën ndaj tyre, e kjo vlerësohet vetëm kur agjëron.
Njerëzit, Zoti i ka krijuar që të ushqehen në forma dhe mundësi të ndryshme. Sipas këtyre dallimeve, për këtë të pasurit i fton të ndihmojnë të varfërit. Kurse të pasurit gjendjen e dhimbshme të varfërisë, mund ta kuptojnë vetëm atëhere kur duke agjëruar, ta ndjejnë vetë atë. Po të mos ishte agjërimi, shumë të pasur duke mos e provuar dhimbjen e urisë, do të binin viktimë e nefseve të tyre dhe nuk do të kishin asnjë pikë mëshire për të varfërit, të cilët kanë shumë nevojë për atë mëshirë. Ky mendim që të shtyn të respektosh racën tënde, është themeli i të vërtetës së falenderimit. Patjetër që mund të gjesh dikë më të varfër se vetja, sado i varfër që të jesh. Po qe se nuk detyrohet të vuajë urinë, atëhere askush nuk mund të kryejë detyrimin e mëshirës, që është i obliguar të bëjë mirë dhe të ndihmojë të varfërit siç e meritojnë. Pa ndjerë dhimbjen e urisë edhe në qoftë se do të bëjë mirë, e bën mangut, sepse nuk ka rënë në gjendjen e saj.
Nefsi i njeriut nga pakujdesia e harron vetveten, sepse mban dobësinë, varfërinë e pafundme dhe paaftësitë e panumërta. Ai nuk do që t’i shohë ato dhe ta kuptojë se është një i varfër që mund të shkojë drejt zhdukjes. Ky është edhe thelbi i fatkeqësisë, sepse ai është një krijesë që është krijuar prej mishi dhe kocke, që do të prishet së shpejti dhe do të ndahet. Ai mendon se ka një trup prej çeliku, që kurrë nuk do të zhduket, prandaj sulet pas interesave të kësaj bote, duke imagjinuar se nuk do të vdesë. Me një ambicje të tmerrshme dhe me një lidhje të fortë pas kësaj bote, bën çdo përpjekje. Tërhiqet pas çdo gjëje që është e shijshme dhe e vlefshme, duke e harruar Krijuesin që e edukon me mëshirën e pasosur. Më në fund rrokulliset në moralin e keq, duke mos menduar për përfundimin e jetës, sepse edhe ai do të vdesë një ditë dhe do të ikë në jetën e përjetshme. Agjërimi i Ramazanit u tregon dobësinë mosmirënjohësve, varfërinë dhe pakujdesinë e tyre. Për shkak të urisë ata mendojnë stomakun dhe e pranojnë nevojën e tij. Me anë të urisë së agjërimit, njeriu e kujton se sa mashtrues është trupi i tij dhe e pranon se ka nevojë për Mëshirën e All-llahut xh.sh.. Uria e shtyn të braktisë idhujtarinë e nefsit dhe të pranojë dobësinë dhe varfërinë e tij. Në këtë mënyrë i zgjohet dëshira që të mbështetet në praninë e All-llahut xh.sh.
Ramazani është një model ekspozite dhe shumë fitimprurës për jetën e përjetshme. Për të mbjedhur prodhimet e jetës tjetër, ai është si shiu i prillit në pranverë. Prandaj ndaj mirësive të Zotit xh.sh., është si një festë dhe parakalim zyrtar. Ky është një shkak i arsyeshëm për t’i urdhëruar muslimanët të agjërojnë Ramazanin dhe të mos i shtojnë pakujdesitë. Të mos jenë të pangopur ndaj ushqimit dhe pijes, larg nefseve dhe nevojave kafshërore dhe orekseve të papëlqyera. Kështu urdhërohen që për një kohë të shkurtër të braktisin veset kafshërore dhe t’u shëmbëllejnë melekëve të pamëkatshëm. Ndoshta njeriu duhet ta mendojë se ka hyrë në tregtinë e jetës tjetër, për të mbledhur prodhimet e saj, prandaj le të bëhet njeri i pamëkatshëm për një farë kohe. Shpirtërisht le t’i braktisë nevojat, duke pranuar dobësinë dhe varfërinë e vet.
Në muajin e Ramazanit muslimanët në këtë jetë të përkohshme, me një jetë të shkurtër u jepet mundësia të përfitojnë moshën e përjetshme. Vetëm në muajin e Ramazanit njeriu mund të përfitojë frytet e një moshe të gjatë prej tetëdhjetë vjetësh. Në Kur’an theksohet se nata e Kadrit vlen më shumë se njëmijë muaj.
Shpesh herë një mbret i famshëm, disa ditë të vitit i zgjedh për vetveten si ditë feste apo kuvendi dhe shtetasit e posaçëm të vet i njeh me ligje të veçanta, ndoshta dhe u fal dhurata të veçanta, duke qëndruar për ballë njëri-tjetrit pa kurrfarë perdeje, ashtu siç u ka hije shtetasve besnikë. Po kështu edhe Sunduesi i Pafillimtë dhe i Pambarimtë, mesazhin më të madh dhe më të përsosur neve na e ka zbritur në muajin e Ramazanit. Kjo është edhe arsyeja që Ramazani të bëhet si festë e veçantë për All-llahun xh.sh., dhe të shndërrohet në një ekspozitë të madhe të Edukatorit të Vërtetë dhe në një kuvend shpirtëror. Përsosmëria e Tij më e madhe është se ashtu siç na largon nga nevojat e stomakut, na pastron edhe nga zilia e shqisave; syri, veshi, zemra apo mendimet e liga të imagjinatës. Domethënë secilës shqisë i ndalohet të ndërhyjë në shijime të ndaluara dhe të padobishme. Përshembull, syrin ta ndalosh nga vështrimi i harameve dhe nga lëvizjet në vende të dyshimta, kurse veshin ta drejtosh të mos dëgjojë fjalët e liga, por Kur’anin dhe fjalët e drejta. Në këtë mënyrë edhe shqisat e tjera i shtyn të agjërojnë në këtë muaj të ndritur.
Për jetën individuale, agjërimi është një ilaç me shumë efekt. Nga pikëpamja mjekësore është një dietë e mirë, sepse njeriu kur ha më tepër se sa duhet dhe pa kontroll, e dëmton stomakun, gjë që mund t’i shkatërrojë shëndetin. Duke gjykuar në këtë formë, ai mund të bëhet i pavëmendshëm edhe për ushqimet e palejuara, gjë që do ta shqetësojë shumë shpirtërisht, jo vetëm për këtë jetë por edhe për tjetrën. Kjo vepër e papëlqyer bëhet shkak që zemra dhe shpirti të mos u binden urdhërave të fesë Islame. Në këtë moment nefsi i pakujdesshëm i merr në dorë frerët e njeriut dhe e sundon atë, duke e çuar ku të dojë vetë.
Me agjërimin e Ramazanit njeriu mësohet të mbajë dietë. Kështu nefsi mësohet t’i bindet urdhërave dhe stomaku i dobët e fatzi shpëton nga pesha e rëndë e bluarjes, që bëhet shkak që njeriu të sëmuret shpesh. Njeriu gjatë muajit të Ramazanit disiplinohet, që ai të mos i sulet haramit, duke braktisur hallallin. Ai e mëson njeriun ta kuptojë se qëllimi i krijimit të tij është të mos e shkatërrojë jetën shpirtërore.
Njeriu në jetën e tij në shumë raste përballohet me urinë. Agjërimi i Ramazanit është një lloj ushtrimi, që ia kalit durimin njeriut. Ai zgjat rreth pesëmbëdhjetë orë në ditë dhe po të mos hahet syfyr, ai zgjat njëzetekatër orë. Pra, për të kalitur durimin, ky është një ushtrim shumë i mirë dhe një ilaç për atë që nuk duron dot fatkeqësinë dhe nuk ka rezistencën e duhur. “Fabrika” e stomakut (lukthit) ka shumë anë shpirtërore, sepse pajisjet e saj kanë kontakt me vetë njeriun. Po qe se nefsi nuk e duron urinë e një muaji, atëhere sundimin e merr në dorë ai dhe bëhet shkaktari i veseve të tjera, duke u dhënë pas tij dhe duke harruar detyrat e adhurimit.
Në muajin e Ramazanit muslimanët shpirtërisht përparojnë në shkallë të ndryshme dhe sipas meritave fitojnë gëzime, qetësi dhe lehtësira të zemrës. Zemra, shpirti, mendja dhe sekretet e shqisave të besimtarëve në muajin e Ramazanit, për shkak të agjërimit përsosen dhe fitojnë shumë ngushëllime shpirtërore.
Pikësynimin kryesor agjërimi i Ramazanit drejtëpërsëdrejti, e ka të thyejë imagjinatën prej idhulli të nefsit dhe ta njohë dobësinë që të fillojë të bëjë adhurimin ndaj Krijuesit të tij. Ai e njofton se është një rob dhe asgjë më tepër.


Leave a Reply