Ndërsa protestat e njëpasnjëshme duket sikur kishin larguar vëmendjen e shtetit shqiptar nga Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, sot të gjithë artistëve që po bëjnë rezistencë prej afro një viti për të mbrojtur këtë godinë, ju kujtua se “lakmia” për të parën vatër të kulturës shqiptare nuk është shuar. Gjatë paradites së sotme Teatrit Kombëtar i janë hequr gërmat. Një aksion i ndërmarrë në qetësi, që për shumë konsiderohet edhe si një nismë provokatore.
Ndërkohë kujtojmë se afatet për shpalljen e konkursit për ndërtimin e një godine të re kanë përfunduar, njëherazi Parlamentit i duhet që të rivitojë përsëri për Ligjin për Teatrin, që të fundit herë përfundoi me 75 vota pro.
Ndërkohë në çdo mbrëmje artistët dhe dashamirës të Teatrit Kombëtar vijojnë në agoren e Teatrit protestën. Një protestë që duket se përcolli tek banorët e kryeqytetit, nevojën për reflektim dhe mbi të gjitha për reagim ndaj kauzave të konsideruara nga palët e interesit si të padrejta.
Janë të shumtë intelektualët që ngritën zërin kundër shembjes së kësaj godine, si; Flutura Açka, Aurel Plasari, Edmond Tupe, Ardian Vehbiu, Edmond Budina, Maks Velo etj.
Njëherazi artistë si Alert Çeloalija, Neritan Liçaj, regjisorët Kastriot Çipi dhe Robert Budina, pedagogu dhe gazetari Ervin Goci, etj., kanë vijuar çdo ditë betejën e tyre kundër rrënimit të Teatrit Kombëtar /A.Dedaj
http://shekulli.com.al


Leave a Reply