Në një intervistë për “Shekulli”-n, analisti dhe gazetari Basir Çollaku flet për Paktin Kombëtar të propozuar nga “Zgjidhja”. Ai thotë se: “Kokëdhima është një politikan përvojëplotë dhe vjen në projektin e tij politik me një ofertë shumë herë më ndryshe nga ajo e mazhorancës”
Lindita Bushgjokaj
Analisti dhe gazetari Basir Çollaku, në një intervistë për gazetën “Shekulli” analizon situatën politike në vend. Ai thotë se nuk mund të funksionojë demokracia në një vend ku mungon Gjykata Kushtetuese. Lidhur me shpalljen e kandidaturës së Kokëdhimës për bashkinë e Tiranës, Çollaku deklaron se ky është një politikan me ofertë shumë herë më ndryshe nga ajo e mazhorancës.
Intervista e plotë:
Z.Çollaku, si e gjykoni situatën aktuale politike në vend?
Vendi po kalon një krizë politike e cila sa vjen dhe po rëndohet, duke rritur koston e zgjidhjes së saj. Kanë rënë shumë institucione, kanë rënë garanci themelore kushtetuese. Jemi unikalë në planet si vend ku pretendohet të funksionojë demokracia dhe mungon Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë, në rrezik funksionimi dhe gjykata të tjera. Pra, përqendrimi i pushtetit është totalisht në një dorë të vetme, në një emër, atë të kreut të qeverisë, Edi Rama. Balanca e pushteteve në Shqipëri është thjesht një nocion teorik, duke bërë që vendi të rrëshqasë në autokraturë. Garancitë ekonomike, juridike dhe politike, mungojnë, institucionet duhen ribërë.
Si e gjykoni rolin e ndërkombëtarëve në rekomandimet e dhëna për partitë politike?
Ndërkombëtarët për nga natyra e detyrës së tyre anojnë nga përtacia dhe formalizmi. Stabiliteti është kryefjala e indiferencës së tyre. Sjellja e tyre ka qenë më shumë procedurale se sa reale. Parlamenti vendi ku bëhet debat politik, e të tjera klishe standarde, janë përdorur kundër opozitës sepse ky precedent i ka vënë në siklet ndërkombëtarët. Rreshtimi i tyre krah Ramës dhe qeverisë është një rutinë gjashtëvjeçare që i fajëson ata. Qëndrimi i tyre ka rritur pabesueshmërinë e tyre, duke zbehur jo vetëm rolin, por edhe dyshuar në dypunësimin e tyre diplomatiko-pushtetar. Por a kanë bërë një të mirë. Ne duhet të ndajmë mendjen sa më shpejt, punët e këtij vendi duhet t’i marrin në dorë më tepër shqiptarët se ndërkombëtarët, madje edhe për kriza të rënda si aktualja. Ata le të mjaftohen me raporte sheqeri siç kanë bërë në këto tri dekada.
A janë të pranueshme kërkesat e koalicionit të z.Basha për zgjedhjet?
Mendoj se janë të domosdoshme dhe nevojshme. Nëse duhet të kthejmë modelin e kohës së diktaturës, vazhdojmë përpara me ofertën Rama, krim elektoral, numërim sipas oreksit të qeverisë, pamundësi alternative për zgjedhje ofertash politike dhe qeverisjeje. Partitë politike opozitare janë përgjegjëse karshi qytetarëve dhe duhet të bëjnë avokatinë e problemeve të tyre të shumta dhe në rritje
Në këto kushte, a ekziston mundësia e një tjetër marrëveshje Basha-Rama si ajo e 11 majit, në prag të zgjedhjeve të 30 qershorit?
Më ngjan e pamundur. Rasti dy viteve më parë, ku presioni maksimal amerikan solli dhe një marrëveshje e cila nuk u respektua në asnjë pikë nga Rama, është mjaftueshëm tregues se përsëritja është katastrofë për qytetarët dhe këdo që mendon të bëjë marrëveshje të ngjashme. Një film nëse e sheh në mënyrë të përsëritur nuk mbaron ndryshe thjesht nga dëshira.
Së fundmi, si e gjykoni Paktin Kombëtar të propozuar nga Partia Zgjidhja me drejtues Koço Kokëdhimën për ndryshim të sistemit zgjedhor dhe anulimin e ndryshimeve të sistemit kushtetues të vitit 2008?
Ky është një telash i dakortësuar nga dy partitë e mëdha, por që prodhoi superkryetarë të cilët e shndërruan deputetin në një majë lapsi, që shkruhej dhe fshihej sipas reshjeve politike, lobingjeve, interesave, ekuilibrave, duke nxjerre nga binarët e demokracisë së brendshme shumë rregulla të shëndetshëm. Dorëzimi i mandateve nga opozita dhe reshjet në parlament sipas oreksit të mazhorancës të listave pasuese treguan se ato ndryshime të vitit 2008, po u kthenin kuorumin partive.
Disa parti politike kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, kjo është një nga pikat e Paktit të propozuar nga Kokëdhima. Ju e jeni dakord me këtë propozim?
Po. Është një kërkesë me vend, ashtu siç dhe z Kokëdhima ka përcjellë një kërkesë të tillë në një pakt të licencuar. Nuk mund të kemi zgjedhje në këto kushte kur mungojnë garanci elementare. Jemi dy muaj e pak para datës së dekretuar dhe vetëm për zgjedhje të lira nuk ka siguri dhe kushte të përshtatshme. Kemi të njëjtët aktorë menaxhues të procesit të cilët masakruan votimet në vitet 20015, 2016 në Dibër dhe 201ë në të gjithë vendin. Kjo tashmë e provuar dhe nga dosje që janë te Krimet e Rënda dhe të pandehurit mbrohen nga mazhoranca pjesëtar të së cilës janë. Qeveria tranzitore dhe shumë ndërhyrje në rrafshin ligjo dhe të garancive janë domosdoshmëri e panegociueshme
Si e komentoni kandidaturën e z.Kokëdhima për kryetar Bashkie?
Zoti Kokëdhima është një politikan përvojëplotë dhe vjen në projektin e tij politik me një ofertë shumë herë më ndryshe nga ajo e mazhorancës. Sigurisht jam i bindur se zoti Kokëdhima nuk do të bënte asnjëherë atë që ka bërë Erion Veliaj me Tiranën, duke e bërë pronë privatë të katër pesë oligarkëve. Ka zgjedhje që në mjaft raste rezultojnë zgjidhje..
A parashikohet të kemi zgjedhje normale parlamentare në këto kushte që po vepron politika shqiptare?
Mendoj se janë të domosdoshme zgjedhjet parlamentare përpara atyre vendore, ose të dyja njëherësh në një datë të përbashkët. Ky vend nëse liritë dhe garancitë e votave ekzistojnë, shkon në një rrotacion politik dhe kjo çliron energji pozitive për Shqipërinë. Oferta e Ramës e deritanishme ka prodhuar shqiptarë që largohen nga vendi, shqiptarë që varfërohen, shqiptarë që zemërohen dhe nuk gjejnë drejtësi në vendin e tyre, shqiptarë të cilët po shndërrohen në vrasës të vendit të tyre. Zgjimi kombëtar është një emergjencë së cilës i ka mbetur pak kohë për të ndodhur.
Ju faleminderit!
http://shekulli.com.al


Leave a Reply