Konstandin Gjordeni lindi më 2 prill 1957 në rrethin e Durrësit nga prindërit Sotir e Xhaurije, që paten edhe dy vajza. Kosta, pasi kreu shkollën fillore, bëri edhe dy vjet gjimnaz në Durrës. Ai punoi në fabrikën e miellit e në hekurudhë. Shërbimin e detyruar ushtarak e kreu po në qytetin e Durrësit në Hamallaj. Familja e Konstandin Gjordenit, origjinën e hershme e ka nga qyteti i Beratit. Babai i tij, Sotiri, ishte rrobaqepës. Nëna e tij, Xhaurija, ka qenë shtëpiake dhe rridhte nga një familje tregtare anijesh në qytetin e Durrësit, origjina e të cilës është nga Anadolli, Turqi, por vendosur herët në Shqipëri. Në vitin 1946, pasi Shqipëria u pushtua nga komunistët të cilët filluan grabitjet e pasurisë në çdo qytet e fshat, edhe kjo familje nuk mundi t’i shpëtonte bastisjes së bandave të kuqe që i grabitën 5 barka me motor (motor lundra kalamishi) si dhe tërë pronat (tokat). Kosta, duke mos e duruar skamjen e mjerimin që kishte pushtuar vendin, grabitjen e pasurisë që iu bë prindërve të tij në vitin 1946, vendosi, por me dhimbje të madhe sepse nuk shihte rrugë tjetër, të largohej nga atdheu i tij, për t’u arratisur jashtë vendit, të paktën do të mbushte barkun me bukë. Kështu, ai bashkë me dy shokë të tjerë mori rrugën drejt kufirit. Kosta arriti deri në qytetin e Kukësit, drejt fshatit Laku i Dardhës. Aty, njerëzit, si gjithmonë “vigjilent”, duke i parë se nuk ishin fytyra të njohura për fshatin, u grumbulluan çetat vullnetare dhe bashkë me gratë të cilat mbanin shatat në dorë i rrethuan, duke i kërcënuar e sharë. Si gjithmonë, ata që vendosnin për t’u arratisur apo për të bërë agjitacion për jetën e tmerrshme, krejt natyrshëm kërkonin të bisedonin me dikë për t’u shprehur ose për të marrë rrugën që t’i shpëtonin diktaturës komuniste. Kosta në Durrës kishte një të njohur që ishte me origjinë nga një fshat i Kukësit. Ai bisedoi me “shokun” nga Kukësi për t’u arratisur dhe ky i fundit mori përsipër t’i nxirrte përtej kufirit në fshatin e tij meqenëse e njihte mjaft mirë kufirin.
“Miku” nga Kukësi e denoncoi në Degën e Punëve të Brendshme ditën që Kosta dhe dy shokët e tij kishin vendosur të arratiseshin. Sapo ata mbërritën në Kukës, shkuan në fshatin ku do të kalonin kufirin, por atje i priste Dega e Punëve të Brendshme me ushtarët e kufirit me gjithë komandantin e postës kufitare. Kosta kishte dajën e tij në Gjermani dhe mendonte të shkonte tek ai. Me të mbërritur, të tre i kapën, u hodhën prangat dhe i kyçën në Degën e Punëve të Brendshme të Kukësit nga data 6 deri më 12 gusht 1982 e më pas I sollën në Degën e Punëve të Brendshme të Durrësit nga ku edhe i nxorën në gjyq pas 3 muajsh. Kostën e dënuan me 12 vjet heqje lirie ndërsa “mikun”, kuksianin e liruan dhe shpërblyen me medalje për “punë të mirë”
Nga Agustin Miraka – Facebook


Leave a Reply