Vullnet Mato
Jam puthja e parë
që lidhi nënën me babanë.
Kam në të gjithë trupin
përkatësinë e plotë të tyre.
Ndjej krenari, si kushdo
që mbjell dhe shpërndan
filiza me origjinë gjenetike
nga puthja e dy prindërve.
Po edhe të isha mbjellë
nga puthje anonime,
trungun aksidental
do ta bleroja në jetë.
Le të më quanin filiz
nga fidanët e komshinjve,
mjafton të isha bërë
pemë me trung të drejtë.
Por kam brenda gjakut
puthjen e asaj nëne,
që në buzët e babait
nuk e pashë kurrë me sy.
Di vetëm se duheshin
njësoj si dielli me hënën,
me dashuri graviteti,
derisa perënduan të dy.
Nga puthje e tyre mora
gjithë lëndën shpirtërore
mora ngjasimin identik
në pamje dhe në zemër.
Nëna më dha butësi
nga drita e saj hënore,
babai ngrohtësi nga rrezet
e diellit të kthjellët.
Këto të dyja i trashëgova
në vetvete saktësisht,
se më nxitën t’i bëj dritë
parcelës së përbashkët,
ku me gruan përbri,
pamë me sy konkretisht,
sesi nga puthjet e mbjella,
dolën filiza të ngjashëm.
S’e kam fjalën kryesisht
për puthjen e ngjasuar,
sesa për lidhjen e puthjes
në dy buzë të vetme,
kur ato janë zgjedhur
me kujdes e pa u nxituar,
për të rritur filizat bashkë,
deri në lartësimin e pemëve…
Derguar nga z.Flori Bruqi
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply